Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, së bashku me deputeten Oriola Pampuri, u takuan me deputetin gjerman Gunther Krichbaum, zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështjet evropiane. Gjatë takimit, ata diskutuan mbi integrimin europian të Shqipërisë dhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Basha theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë, duke penguar përparimin ekonomik dhe duke detyruar shumë të rinj të emigrojnë. Ai gjithashtu tha se qeveria po pengon përpjekjet e SPAK për të luftuar korrupsionin dhe për refuzimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, ai kërkoi mbështetje nga partnerët gjermanë për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të besueshëm, pasi ndodhemi në kushtet kur Edi Rama dhe një pjesë e opozitës e drejtuar nga Sali Berisha kanë mbyllur listat dhe kanë penguar një reformë të plotë zgjedhore.
Postimi i plotë i Bashës:
Pata kënaqësinë që së bashku me Oriola Pampurin të takonim deputetin e Bundestagut Gjerman, z. Gunther Krichbaum, i cili është edhe zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështjet evropiane në Bundestagun gjerman.
Gjatë takimit, u diskutua çështja e integrimit europian të Shqipërisë, rëndësia e forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Indeksi i perceptimit të korrupsionit, publikuar nga Transparency International, vijon ta rendisë Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë, gjë që pengon përparimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke detyruar kryesisht të rinjtë të emigrojnë.
Edhe përpjekjet e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të luftuar korrupsionin po pengohen nga qeveria, e cila tregon nivelin më të ulët të bashkëpunimit dhe madje refuzon të plotësojë kërkesat për t’u krijuar më shumë hapësira ligjore dhe mbështetje logjistike për punën e tyre. Shqetësues është refuzimi i mazhorancës për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe bashkimi i votave në parlament me një pjesë të opozitës për të liruar zyrtarët e korruptuar.
Hapja e negociatave pas 12 vitesh bllokim nga Edi Rama është një lajm i mirë për Shqipërinë, por përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar çdo pushtet dhe korrupsioni i përhapur janë sinjale negative për kohën e gjatë që do t’i duhet vendit për t’i përmbushur këto kushte.
Ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare, dhe në kushtet kur Edi Rama dhe një pjesë e opozitës e drejtuar nga Sali Berisha kanë mbyllur listat dhe kanë penguar një reformë të plotë zgjedhore, shitblerja e votave, përdorimi i pushtetit, fondeve dhe administratës, si dhe përfshirja e krimit, tashmë të dëshmuara me fakte, janë shqetësuese. Kërkova ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve gjermanë për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe të besueshëm.