Kryetari i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka postuar një video me denoncimet e tij për lidhjet e ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja me bandat e Durrësit.

Me anë të një postimi në facebook, Basha shkruan se ndarja e politikës nga krimi mbetet prioritet për zhvillimin e vendit. Ai më tej thotë se prej vitesh ka denenocuar lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe të emëruarve të tij me botën e errët të krimit.

Basha shprehet se demokratët euroatlantikë mbështesin punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit, si dhe përsërit propozimi e tij për vetting-un në politikë, i cili është depozituar në Kuvendin, por i mbajtur peng nga kolegët e Jurgis Çyrbes. Sipas tij, është instrumenti i duhur ligjor për të thyer hallkat që lidhin politikën me krimin, duke e zbrazur parlamentin nga bedelët e bandave.

 

Postimi i plotë i kryetarit të PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha:

 

Ndarja e politikës nga krimi mbetet prioritet për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit. Pa u ndarë politika nga krimi, ajo nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve, por politikanëve të korruptuar dhe krimit të organizuar.

Për vite me radhë kemi denoncuar lidhjet e Edi Ramës dhe të emëruarve të tij me botën e errët të krimit, përfaqësuesit e të cilës u veshën me pushtet për t’i shërbyer interesave elektorale dhe ekonomike të një pakice, që e ka bërë vendin të pajetueshëm për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare.

Koha provoi edhe njëherë si të drejtë qëndrimin tonë mbi kriminalizimin e politikës, por kjo nuk mjafton.

Unë personalisht dhe Demokratët Euroatlantikë mbështesim punën e SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por politika ka detyrë të mos mbyllë veshët teksa në bankat e të akuzuarve ulen ata që betohen për t’i shërbyer qytetarëve, por në fakt emërohen për t’i shërbyer interesave të krimit të organizuar.

Prandaj, propozimi im për vetting-un në politikë, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, por i mbajtur peng nga kolegët e Jurgis Çyrbes, është instrumenti i duhur ligjor për të thyer hallkat që lidhin politikën me krimin, duke e zbrazur parlamentin nga bedelët e bandave.

Kjo pengesë artificiale për pengimin e vetting-ut në politikë, teksa koha e provon si të drejtë dhe të domosdoshëm, duhet të marrë fund.

Shqipëria nuk është vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Europë sepse i mungojnë burimet njerëzore dhe natyrore, por sepse keqqeveriset duke i shërbyer të korruptuarve dhe krimit të organizuar, jo qytetarëve.

Shqipëria meriton më shumë