Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj vendimit për të hequr votimin dhe numërimin elektronik, duke e quajtur atë një akt poshtërues ndaj betejës së demokratëve.
Basha thekson se pazarët e fshehta për sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore tregojnë se dyshja po mbron pushtetin e njëri-tjetrit dhe se të dyja palët kanë humbur çdo legjitimitet moral e politik. Ai bën thirrje për ndëshkimin e tyre përmes votës, duke theksuar se Shqipëria meriton një alternativë më të mirë.
Postimi i plotë i Bashës:
Të flakësh në plehra betejën disavjeçare të demokratëve për votim dhe numërim elektronik, është një akt poshtërues, që dëshmon edhe njëherë se Berisha dhe grupimi i tij u shërbejnë vetëm interesave të tyre të vogla dhe meskine.
Pasi bashkoi votat me Ramën për amnistiminë e turpshme të të korruptuarve, pasi bashkoi votat me Ramën për mbylljen e listave, pas pazarit për vulën, Berisha ka humbur çdo legjitimim moral dhe politik, duke u shfaqur si paterica e Ramës, me të cilin ndanë të njëjtin fat.
Frika e tyre përballë qytetarëve, që e kanë kuptuar pazarin e pistë me sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, del sërish në sipërfaqe me pengimin e votimit elektronik, përmes të cilit duan të mbrojnë pushtetin e Ramës dhe teatër-opozitën e Berishës.
Të dy nuk kanë më çfarë t’i japin Shqipërisë, të dy duhen ndëshkuar me votë, pasi të votosh Ramën do të thotë të mbash si pseudo opozitë Berishën, të votosh Berishën do të thotë të mbash në pushtet Ramën.
Shqipëria meriton më shumë!