Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përsëritur në emisionin “Log” se kryeministri Edi Rama është në konflikt interesi me Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion. Basha tha se Rama publikisht i thurr lavde SPAK-ut, por në mbledhje të ngushta e godet me të njëjtat terma që e ka goditur dhe në publik para ca kohësh dhe këtë shqetësim ia ka thënë edhe një nga zyrtarët më të lartë të partnerëve strategjikë.

Ai më tej tha se këtë tregon edhe vendimi i fundit në të cilin i ka hequr 1 milionë euro SPAK-ut në buxhetin e vitit 2025. Sipas tij, dosja e Çyrbes vërtetoi që vet mandati i Ramës është prodhim i bandave kriminale në Durrës.

Basha shprehu dhe njëherë mbështetje për SPAK-un, ndërsa tha se bashkëpunimi midis atyre që e ndajnë hallin e përbashkët është rreziku që duhet të shmanget.

“Fakti që për herë të parë në 34 vite zyrtarë të lartë dhe politikanë të lartë po përfundojnë para togave të zëza dhe pas hekurave, padiskutim është një dëshmi e parë, por jo e mjaftueshme e sukesesit të reformës në drejtësi, e në veçanti të këtij komponenti që është SPAK. Por siç e shoh këtë me optimizëm dhe i kam dhënë dhe vazhdoj t’i jap mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar, ashtu shoh dhe një rrezik në rritje që bashkëpunimi midis atyre që e ndajnë hallin e përbashkët të godtitjes së pandëshkueshmërisë, është sot dhe rreziku më i madh jo për togat e zeza, jo për SPAK-un, por për qytetarët shqiptarë. Nëse Shqipëria do të arrijë më herët, jo më vonë destinin e vet Europian, që do të thotë një vend me barazi para ligjit, me konkurrencë, me meritokraci, ku çdo qytetarë të ketë mundësinë të përfitojë nga begatia natyrore e vendit sipas aftësive dhe talentit të vet dhe jo Shqipëria të punojë për një grusht politikanësh, një grusht kriminelësh, një grusht oligarkësh. Kjo përcaktohet nga disa hapa esencial. Më esenciali midis tyre është nëse drejtësia do të vazhdojë të kontrollohet siç është kontrolluar në këto 34 vite nga politika, apo do të fillojë të veprojë e pavarur dhe në bazë të ligjit.

Sot ka dalë lajmi që njeriu që ka muaj që i thurr lavde SPAK, por që në fakt unë kam informacion nga partnerët strategjikë që e godet në mbledhje të ngushta, me të njëjtat terma që e ka goditur dhe në publik para ca kohësh. Një nga zyrtarët më të lartë të partnerëve strategjikë ia ka shprehur si shqetësim duke e etiketuar të ashtuquajturën “Republikë të Prokurorëve”, ky njeri sipas raportimeve të medias i ka hequr jo pak por 1 milionë euro nga buxheti tashmë thatanik SPAK-ut. Si mund të besohet një njeri që nga njëra anë bën sikur e lavdëron dhe në rastin më të parë përpiqet ta anatemojë me partnerët strategjikë dhe i shkurton fondet?! Zoti Rama është në konflikt interesi me SPAK-un dhe prova më e fundit e kësaj siç e thamë, janë përgjimet e dosjes Çyrbja që vërtetojnë që vet mandati i tij është prodhim i bandave kriminale në Durrës” – tha Basha.