Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar shqiptarët Ditën e Pavarësisë, duke e cilësuar si datën më të rëndësishme të identitetit kombëtar.

Ai shprehet se momentet historike janë të lidhura me këtë ditë, si ngritjen e flamurit nga Skënderbeu, Shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe ditëlindjen e Adem Jasharit.

Basha shprehet se 28 Nëntori është një ditë krenarie, mirënjohjeje dhe reflektimi për përgjegjësitë kombëtare, duke shprehur nderim për ata që sakrifikuan për liri dhe bashkim kombëtar.

Urimi i plotë i Bashës:

Urime 28 Nëntorin, datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar!

Prej ngritjes së dykrenares së Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë, te Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Bej Vlora në Vlorë e deri te ditëlindja e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jasharit në Prekaz, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me këtë datë.

28 Nëntori është një ditë krenarie, mirënjohje të thellë kombëtare dhe gëzimi, ashtu sikurse është edhe një moment reflektimi për përgjegjësitë që kemi përpara.

Nderim përjetë dhe lavdi të gjithë atyre që u flijuan për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar!