Në një intervistë për televizionin Vizion Plus, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, theksoi se një koalicion i suksesshëm duhet të bazohet mbi një moral politik.

Ai tha se kjo është dhe një nga arsyet kryesore se pse nuk do të bënte koalicion me Berishën dhe Metën. Sipas tij, ata kanë bashkëpunojnë me Edi Ramën dhe kjo u vu re në votimin për lirimin e të korruptuarve, kanë penguar reformën zgjedhore, duke mbyllur listat dhe duke injoruar rekomandimet ndërkombëtare.

Basha më tej tha se qëllimi i tij është ndërtimi i një morali politik që të ndihmojë qytetarët të kenë besim tek alternativa për ndryshim. Ai shtoi se është i hapur për bashkëpunim me partitë e reja që ndajnë këtë vizion për një ndryshim të thellë politik dhe ekonomike për Shqipërinë, me standarde europiane.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Ju e njihni mirë procesin zgjedhor, keni garuar disa herë. Juve e dini që ju favorizon një koalicion. A jeni ju të gatshëm të bëni një koalicion me zotin Berisha e zotin Meta?

Lulzim Basha: Koalicioni duhet të ketë moral politik. Çdo formacion politik e aq më shumë koalicioni i disa formacioneve politike duhet t’i qaset qytetarëve me një moral politik. Çfarë morali politik kanë këta opozitarë që ngritën kartonat për të liruar të korruptuarit e Edi Ramës, para 6 muajsh? Çfarë morali kanë ata opozitarë të cilët ngritën kartonat për t’i mbyllur listat pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që jo vetëm i hapi, por la mundësi për të mos bashkuar votat me Edi Ramën deri sa të plotësoheshin një sërë kushtesh për zgjedhje të lira e të ndershme, siç e thash pak më herët, rekomandimet e OSBE-OHDIR-it apo dhe kushtin për qeveri teknike para zgjedhjeve. Pra qartësisht këto formacione futen në këtë sezon elektoral pa moral politik. Dhe këtë ne e shohim dit për ditë. E shohim në dështimin total të iniciativave politike, të aksionit politik, degjenerimin e të ashtuquajturës ‘mosbindje civile’, në zbrazjen e shesheve nga protestuesit. E para dhe kryesorja është ndërtimi i një morali politik, ku qytetarët që duan ndryshim, që duan vërtetë t’i japin fund keqqeverisjes 12 vjeçare të korruptuar të Edi Ramës, të kenë besim tek kandidatët për deputetë, tek programi dhe tek vendosmëria e forcës politike apo koalicionit që do të ofrojë këtë alternativë. Dhe këtë synojmë të bëjmë ne Demokratët Euroatlantikë me programin tonë, me kandidatët tonë dhe me aleancat tona.

Pyetje: Me partitë e reja që janë të shumtë në fakt, a shihni ju mundësi bashkëpunimi?

Lulzim Basha: Ne nuk i mbyllim derën askujt që ndan këtë qëllim; rotacionin por jo rotacion thjesht për hir të rotacionit, ndryshim të thellë politik, mbylljen e tranzicionit dhe nisjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Me standarte europiane në zgjedhje, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në rend dhe siguri, e kudo tjetër.