Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një intervistë për televizionin Vizion Plus, shprehu shqetësimin e tij për mungesën e standardeve zgjedhore në Shqipëri. Ai theksoi se asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nuk është marrë parasysh, veçanërisht pas ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor, që sipas tij, po e pamundësojnë votën e drejtëpërdrejtë të qytetarëve për zgjedhur deputetët.

Përsa i përket votës së emigrantëve, Basha e cilësoi procesin si një “katastrofë”, duke argumentuar se qeveria ka krijuar një sistem patronazhimi që mund të manipulojë votat e emigrantëve për të ndryshuar rezultatet zgjedhore në favor të pushtetit. Ai e konsideron zgjidhjen e vetme identifikimin biometrik dhe votimin elektronik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Basha gjithashtu shprehu besimin se Gjykata Kushtetuese mund të anuloj mundësinë e mbylljes së listave, duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën në mënyrë që të mos lejohet një manipulim i mëtejshëm nga Rama dhe Berisha.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Sipas jush cila është gjëja që ju shqetëson më shumë si opozitë për zgjedhjet parlamentare?

Lulzim Basha: Mungesa e standarteve. Ndava me kreun e shtetit shqetësimin se si asnjëherë tjetër më parë, asnjë rekomandim i OSBE-OHDIR-it nuk është marrë parasysh në votimin e turpshëm, skandaloz të 29 korrikut për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Pra, megjithëse është gjetur konsensus për të mbyllur listat, për t’i pamundësuar qytetarëve votën e drejtëpërdrejtë për kandidatët për deputetë, as nuk është disutuar dhe as nuk është përpjekur të gjehet konsensus për të përmbushur detyrimet e Shqipërisë karshi zgjedhjeve të lira e të ndershme që janë ato që burojnë nga raporti i OSBE-ODIR i zgjedhjeve të 2021-it dhe pastaj të zgjedhjeve të 2023-it.

Pyetje: Në fakt, në raport me këto zgjedhje ka një risi që është vota e emigrantëve. Por zërat skeptik ndaj mënyrës se si mund të përdoret kjo votë nga qeveria janë shtuar. Ju vet si e shihni?

Lulzim Basha: Katastrofë. Vet qëllimi që emigrantët që t’u mundësohet vota parashikon që, sepse sot dhe para 5 vjetësh dhe para 10 vitesh emigrantët mund të votonin duke ardhur në Shqipëri për të votuar. Ideja është që t’ua bësh të thjeshtë. Jo vetëm që nuk e kanë bërë të thjeshtë emigrantëve për të votuar, por e kanë bërë të thjeshtë vetëm për partinë në pushtet, të ndërtojnë një sistem patronazhimi për të pickur aq vota sa i duhen për të ndryshuar rezultatin elektoral në qarqe të caktuara. Zgjidhja e vetme dhe ka akoma kohë në qoftë se ka vullnet, por qartësisht nuk ka vullnet, është identifikimi biometrik, votimi elektronik dhe numërimi elektronik për të gjithë Shqipërinë dhe për emigrantët.

Pyetje: Nëse mbetet kështu siç është procesi i regjistrimit dhe i votimit, ju besoni që do të përdoren nga qeveria?

Lulzim Basha: Padiskutim, është i tillë që të përdoret nga qeveria e cila tashmë prej kohësh nuk e fsheh se po përdor taksat e shqiptarëve në takimet e patronazhistëve të Edi Ramës nëpër botë. Dhe ka ndërtuar një rrjetë tërësisht të financuar nga taksat e shqiptarëve për të vjelur mjaftueshëm vota, për të shtrembëruar rezultatin në zgjedhjet e ardhshme.

Pyetje: Juve keni pasur një bindje në fakt që e thoni prej shumë kohësh, hapjen e plotë të listave dhe për këtë keni një betejë në Gjykatën Kushtetuese në 24 tetor. A besoni që mund të ndryshojë loja e zgjedhjeve nga kjo gjykatë?

Lulzim Basha: Argumentimi ynë kushtetues është i till që më bën të besoj se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të jetë kundër kërkesës tonë. Megjithatë, unë nuk jam Gjykata Kushtetuese. Ajo që mund të them është të pres që Gjykata Kushtetuese të zbatojë Kushtetutën, të zbatojë ligjin dhe të pamundësojë planin e zotit Rama, në bashkëpunim me zotin Berisha për të mbyllur listat për shqiptarët.