Në një intervistë për VOA, Lulzim Basha ka prezantuar tri shtyllat kryesore të programit të Demokratëve Euroatlantikë.
Sipas Bashës, programi i partisë së tij drejtohet të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe përmban tre aspekte kryesore: të drejtat e të përndjekurve dhe pronarëve shqiptarë, sipërmarrjen dhe ekonominë, si dhe mbështetje për familjet shqiptare, që ndodhen në një krizë të thellë për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës gjatë 12 viteve të fundit.
Basha theksoi se ky program synon të ofrojë një ndryshim të thellë dhe të qëndrueshëm për Shqipërinë.
Pjesë nga intervista:
Lulzim Basha: Zgjedhjet e 2021-shit, siç e pranon tani edhe z. Berisha dhe gjithë ata që për dy vite me radhë ngritën furtunën e humbjes së zgjedhjeve të 2021-shit, ishin zgjedhje të manipuluara nga z. Rama në bashkëpunim me krimin e organizuar. Është e qartë që përpjekja jonë për ndryshim nuk pati sukses jo për shkak të mangësive tona, por për shkak të përfshirjes masive të krimit të organizuar dhe problemeve të tjera që ju sapo shpalosët në kronikën tuaj, si presioni i administratës ndaj qytetarëve, përdorimi i parave dhe mjeteve publike. Lista është shumë e gjatë, dhe është e OSBE-së, nuk është e jona apo e opozitës.
Nëse e keni fjalën vetëm për të djathtën, sepse programi ynë i adresohet të gjithë qytetarëve shqiptarë, unë do të veçoja tre aspekte.
Aspekti i parë ka të bëjë me palcën e të djathtës historike shqiptare, që janë të përndjekurit dhe pronarët shqiptarë. Për herë të parë në 34 vite, Demokratët Euroatlantikë me programin e shpallur më 1 qershor kanë marrë përgjegjësitë edhe për ato që nuk na takonin ne si vendime, si për shembull 7501-shin, diskriminimin e të përndjekurve politikë dhe mospromovimin e kauzës së tyre.
Ndërsa në raport me pronarët, jemi duke ecur në shembullin e Kroacisë dhe me ndihmën e aleatëve tanë europianë, programi ynë është më i besueshëm dhe më i realizueshëm për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pronës.
Kategoria e dytë ka të bëjë me sipërmarrjen. Taksat e ulëta janë një karburant për ekonominë shqiptare, për motorin e ekonomisë shqiptare, dhe shumë propozime të tjera që kanë të bëjnë me deregulimin.
Grupi i tretë është familja shqiptare, e cila ndodhet në një krizë të thellë për shkak të keqqeverisjes 12-vjeçare të Edi Ramës.