Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar liderin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 80-vjetorin e lindjes së tij. Në një postim në facebook, Basha shprehet se ka pasur fatin dhe nderin ta njohë Rugovën që në rininë e tij, duke e cilësuar një burim frymëzimi dhe vizionar për Kosovën e Pavarur.

Ai thekson rëndësinë e ruajtjes së vizionit të Rugovës për një Kosovë të lirë, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe si pjesë e Bashkimit Europian.

Postimi i plotë i Bashës:

Me Ibrahim Rugovën kam patur fatin dhe nderin të njihem herët në rininë time. Çdo takim me të ka qenë një moment i veçantë frymëzimi për mua teksa dëgjoja për vizionin e tij për Kosovën e Pavarur.

Sot me mirënjohje përkujtojmë në 80 vjetorin e lindjes, Presidentin Ibrahim Rugova, liderin vizionar, arkitektin e Kosovës së pavarur. Vizioni dhe vendosmëria e Presidentit Ibrahim Rugova janë guri i themelit mbi të cilin u ngrit shteti i pavarur e demokratik i Kosovës, i cili po konsolidohet çdo ditë e po rreshtohet krah për krah shteteve të tjera demokratike.

Projekti i tij i qartë për Kosovën e lirë dhe të pavarur në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe anëtare e Bashkimi Europian duhet të vijojë të mbetet ylli polar për politikën e sotme dhe të ardhmen e Kosovës.