Kreu i demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka deklaruar se qeveria e Edi Ramës është e kalbëzuar dhe ka marrë mandatin e vitit 2021 në bashkëpunim me bandat kriminale. Gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Basha theksoi se rastet si Çyrbja dhe përgjimet që lidhin Ramën me bandat e Durrësit dhe Elbasanit e vërtetojnë këtë bashkëpunim.

Ai gjithashtu tha se opozita po kalon një moment të vështirë, për shkak të problemeve të shkaktuara nga Sali Berisha dhe ndikimeve ndërkombëtare. Basha theksoi se, pavarësisht situatës aktuale, ai është i angazhuar për të ofruar një alternativë politike të re për shqiptarët.

Pjesë nga biseda:

Lulzim Basha: Që kur ka ndodhur gjyqi i 11 qeshorit, PD zyrtare e deri atij momenti është riformatuar në atë që e quajnë edhe mediat Demokratët Euroatlantikë, që është një strukturë me njerëz nga jugu në veri, në çdo qendër votimi dhe që aktualisht pasi ka shpallur programin në Konventën e 1 qershorit, aktualisht është në proces të finalizimit të kandidaturave për deputetë.
Siç mund ta imagjinosh, ky është një proces shumë intensiv edhe në rrethana normale, sigurisht nuk ndodhemi në rrethana normale. Kemi nga njëra anë një qeveri të kalbëzuar si kjo e Edi Ramës, të vërtetuar që mandatin e 2021 e ka marrë në bashkëpunim me bandat kriminale, sic tregojnë përgjimet e rastit Cyrbja, me bandat e Durrësit dhe Elbasanit. Apo sic tregoi VOA, ku një në katër votues pranoi se kishte votuar për qeverinë nën presion për vendin e punës. Nga ana tjetër kemi një opozitë me një problem të madh brenda, të shkaktuar nga ish drejtuesi i PD, zoti Berisha, për shkak të interesave dhe problemeve që ka me SHBA dhe MB, ashtu edhe me drejtësinë shqiptare.
E gjithë kjo ka krijuar një situatë ku aktorët e vjetër të politikës duan që Shqipëria të mos ndryshojë. Këtë e bëjnë në një pakt të ndërsjelltë me njëri tjetrin. Zoti Berisha është pajtuar thuajse edhe publikisht me faktin që në rrethanën ku ndodhet opozita për fajin e tij, nuk ka ai vetë asnjë mundësi të largojë Ramën, ndonëse për tre vite i gënjeu demokratët se ai ishte zgjidhje për të larguar Edi Ramën.
Është goditur rëndë shpresa e demokratëve dhe shqiptarëve, ndaj nuk është e lehtë të ndërtosh një program dhe ekip për të dalë para shqiptarëve.
Kurrë nuk e kam parë atë pjesë të misionit që më angazhoi në politikën aktive, të lidhur me një karrike apo me një funksion të vecantë. Veprat e mia, jo vetëm fjalët kanë folur qartë se kam vendosur misionin mbi karriken.
Në këtë kuadër kam një axhendë të ngjeshur nga mëngjesi deri në darkë, në takime në Tiranë dhe jashtë Tiranë, që para shqiptarëve të dalim me një alternativë.