Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në intervistën për Euronews Albania, foli edhe për lirimin e Sali Berishës që sipas tij është pjesë e marrëveshjes me Ramën. Basha u shpreh se bashkëpunimi mes tyre ka kaluar në disa etapa, dhe një nga etapat është edhe lirimi i ish-kryeministrit. Sipas tij, Berisha i duhet Ramës për luftën kundër SPAK.

“Nga pikëpamja politike, thashethemi ka nisur që në fillim të vitit se do të kishte një pakt midis zotit Ram dhe zotit Berisha, i cili do të kishte disa etapa. Etapa e parë u konkretizua për fat të keq që ishte lirimi i të korruptuarve të Edi Ramës me kartonat e Sali Berishës. Etapa e dytë ishte kalimi i vulës tek Sali Berisha në shkelje flagrante të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të ligjit shqiptar për partitë politike. Etapa e tretë ishte vota për të mbyllur listat, për t’i diktuar shqiptarëve lista të mbyllura me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe etapa e katërt është goditja frontale por edhe me krahmarrje ndaj SPAK që përbën sot kërcënimin më të madh dhe gjumëprishësin më të madh të Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar. Dhe për këtë i duhet të përdor këdo, sigurisht edhe njerëz që përballen tashmë me SPAK-un, siç është edhe Sali Berisha. Fakti është që prokuroria ka kryer hetimin, ka përfunduar hetimin dhe ka çuar dosjen në gjykatë. Gjykimi i çshtjes me sa di nis në mes të dhjetorit, është caktuar nisja e gjyqit për çështjen për të cilën akuzohet zoti Berisha. Kështu që nuk do të presim zbardhjen e vendimit, por nuk do të ishte e çuditshme nëse gjykata do të argumentonte që pas përfudnimit të hetimit, ka përfunduar edhe nevoja për masa shtrënguese ndaj zotit Berisha, duke qenë që ai do të përballet me procesin gjyqësor. Nuk dua të vendosem në pozita spekullimi sa i takon vendimeve të gjykatave. Fakti është që zoti Rama dhe zoti Berisha kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë. Por nga ana tjetër shpresa është e madhe që SPAK përfshirë GJKKO do të vazhdojnë që çdo çështjeje t’i aviten me integritet dhe duke pasur si bazë për çdo vendimmarrje ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk i takoj asaj kategorie njerëzish që kanë zgjedhur të bëjnë pazar me fatin e Sali Berishës. E di që ka shumë që hiqen si të lumtur por që u ka rënë pika, e kam fjalën për radhët e tij. E di që ka dhe të tjerë që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me është apo s’është në arrest Sali Berisha. Të dy këto kategori meritojnë neverinë time në kuptimin politik të fjalës. Sepse janë njerëz të cilët e kanë lidhur ekzistenën e tyre politike, madje dhe ekzistencën e tyre njerëzore me çfarë ndodh me Sali Berishën. Shqipëria duhet të shkojë përpara, duhet të ecë përpara. Dhe që të ecë përpara duhet të lërë mbrapa Edi Ramën, Sali Berishën të cilët jo vetëm nuk kanë çfarë t’i japin më Shqipërisë, por qartësisht për interesat e tyre bashkëpunojnë kundër interesave të shqiptarëve” – u shpreh Basha:

Basha më tej theksoi se Shqipëria duhet të shkojë përpara dhe të lërë pas dyshen që nuk kanë më asgjë për të dhënë. Sipas tij, është koha për të refuzuar këta njerëz me votë ndërsa tha se Demokratët Euroatlantikë ofrojnë një alternativë të fortë me 140 kandidatë të rinj, të cilët kanë qëndruar besnikë interesave të qytetarëve dhe jo atyre personale.

“Këta njerëz duhe refuzuar dhe koha për t’i refuzuar me votë po afron. Alternativa po kështu do të jemi ne me 140 kandidatë, njerëz të sprovuar, që i kanë qëndruar interesit të qytetarëve dhe jo intereseresave të tyre personale. Dhe sa i takon kandidatëve për deputetë ju them që është një ndërthurje individësh të cilët në këto 3 vite kanë mbajtur një peshë të jashtëzakonshme. Peshë që u takonte këtyre që kanë pasur spaletet më të rënda të bronxit mbi supe dhe që shkuan dhe u zvogëluan në sytë e demokratëve për interesat e tyre personale, për karrigen e tyre personale. Por nga ana tjetër ka pasur kolosë, janë videntuar një korpus kolosësh politikë të cilët kanë ditur të qëndrojnë me sakrifica për diçka shumë më të madhe se vetja e tyre. Pa i diferencuar, sipas një procesi transparent dhe disa prej tyre janë në parlament” – tha Basha.