Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë me kongresmenin Darrell Issa në Capitol Hill, ku diskutuan për situatën në Shqipëri dhe rajon. Basha falënderoi SHBA për mbështetjen e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar ndikimin e politikës në krim.
Ai theksoi nevojën për ndihmën e SHBA për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Gjithashtu, diskutuan për situatën në Kosovë, duke kërkuar një angazhim më të madh të SHBA për zgjidhjen e dialogut me Serbinë dhe për sfidat e Ballkanit.
Basha më tej foli për situatën në Ukrainë dhe miratimin e një rezolute që kërkon që Rusia të paguajë për dëmet e shkaktuara.
Postimi i plotë i Bashës:
Bisedën e nisur në Forumin e IDU me kongresmenin Darrell Issa, kandidatin kryesor për Kryetar të ardhshëm të Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA, e vazhduam në detaje në zyrën e tij në Capitol Hill. Ai u interesua në detaje për situatën në Shqipëri, por edhe në rajon.
Si anëtar i Komitetit të Drejtësisë dhe Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Kongres, e falenderova për ndihmën e madhe që SHBA po i japin SPAK për të luftuar krimin e organizuar, lidhjet e politikës me krimin dhe korrupsionin. Shqipëria është një rast i paprecedent, ku krimi vendos kandidatë dhe i siguron pushtetin kryeministrit. Po ashtu, partia e Edi Ramës dhe grupimi i Sali Berishës bashkuan votat për të liruar zyrtarët e korruptuar dhe për të bërë presion ndaj drejtësisë.
Ka një përpjekje të përbashkët të klasës së vjetër politike për ta mbajtur Shqipërinë peng të interesave të tyre.
Theksova rëndësinë që SHBA kanë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, si dhe faktin se për ne është jetike ndihma për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Diskutuam për situatën në rajon dhe veçanërisht në Kosovë. I kërkova një angazhim më të madh të SHBA në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja sa më parë e këtij procesi, me njohjen në qendër, është interes madhor jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin. Përballë shumë sfidave me të cilat përballet bota sot, është jetike që të mos lihet pas Ballkani, pasi vazhdimisht Rusia synon ta përdorë si vatër për të minuar stabilitetin e Europës dhe për të nxitur konflikt me NATO-n.
Folem edhe për situatën në Ukrainë. Mirënjohës për vlerësimin ndaj rezolutës së iniciuar nga unë dhe mbështetur unanimisht në Këshillin e Europës, që kërkon që Rusia të paguajë për dëmet e shkaktuara në Ukrainë.