Në një intervistë për emisionin “2984” në Vizion Plus, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka kritikuar ashpër ish-kryeministrin Sali Berisha. I pyetur nga Albano Bogdo për deklaratat e Berishës se ai është “zhgënjimi më i madh”, Basha tha se “zhgënjimi më i madh i demokratëve është ai vetë. Sot Shqipëria dhe Partia Demokratike do të ishin ndryshe nëse Berisha nuk do të kishte treguar një egoizëm të tillë. Pa këtë egoizëm, qeveria aktuale nuk do të ishte në pushtet.”

Basha shtoi se Berisha ka vënë interesin e tij mbi interesat e demokratëve dhe shqiptarëve, duke u kthyer në një bllokues të rotacionit politik dhe një kapital të Edi Ramës.

Pjesë nga intervista:

Albano Bogdo: Në një intervistë disa kohë më parë Berisha deklaroi se ti je njeriu që e kë zhgënjyer më shumë, ke ndonjë koment?

Lulzim Basha: Zhgënjimi më i madh i demokratëve është ai vet. Sot Shqipëria do ishte ndryshe, PD do ishte ndryshe, Shqipëria do të ishte ndryshe, nëse nuk do të kishte treguar me cinizëm, me egoizëm egoizmin më të madh që ka treguar ndonjë politikan në këto 34 vite. Pa egozimin etij kjo qeveri nuk do të ishte në pushtet dhe shqiptarët jo thkesht për një jetë më të mirë, por edhe për një kulturë të re politike pas 34 vitesh me Partinë Demokratike. Ka që në 1968 në politikë. 56 vite në politikë.

Albano Bogdo: Tani e mendove këtë gjë ti?

Lulzim Basha: Jo se kisha menduar. Por ky egoizëm nisi në 2021. Unë edhe zotin Berisha e kam trajtuar me respekt. Është traditë e familjeve shqiptare që të moshuarit i trajtojmë me respekt. Por vjen një moment kur interesi i shqiptarëve duhet të mbizotërojë, interesi publik, interesi politik nëse doni, i demokratëve, i opozitës, duhet të mbizotërojnë mbi interesat personale. Dhe këtu për fat të keq, Berisha jo vetëm ka vënë interesin e tij mbi interesin e demokratëve dhe mbi interesat shqiptarëve, por është kthyer në bllokuesin kryesor të rotacionit politikë, në kapitalin kryesor të Edi Ramës.