Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se qeveria e Edi Ramës është pengesa kryesore për zhvillimin e vendit dhe forcimin e drejtësisë.

Sipas Bashës, kryeministri Rama është në konflikt interesi me SPAK-un, duke u përpjekur ta trysnojë dhe pengojë përmes mekanizmave institucionalë. Ai theksoi se amendamentet për mbështetjen e SPAK-ut, të propozuara prej tij në Kuvend, mbahen të bllokuara nga qeveria për shkak të frikës nga një drejtësi e pavarur.

Basha thotë se fundi i pandëshkueshmërisë kërkon një qeveri anti-korrupsion që mbështet institucionet e drejtësisë dhe ndëshkon abuzuesit e pasurisë publike.

Postimi i plotë i Bashës:

Shqipëria është vend i varfër, sepse ka qeverinë më të korruptuar në Europë.
Lista e gjatë e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës në dyert e drejtësisë, e ka vendosur atë në konflikt interesi me SPAK-un, prandaj përpiqet ta anatemojë, trysnojë dhe rrethojë institucionlisht, përmes komisionit të posaçëm.

Prej prillit kam depozituar në Kuvend amendamente që sigurojnë mbështetjen e nevojshme për SPAK-un, por ato mbahen të kyçura në sirtaret e Kuvendit nga Edi Rama, sepse ai ka frikë nga një drejtësi e fortë dhe e pavarur. Për këtë arsye, ai është një kërcënim për investimin më të madh të shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në rrugën e vendit tonë drejt BE-së.

Fundi i pandëshkueshmërisë kërkon një qeveri anti-korrupsion, që respekton punën e SPAK-ut dhe të GJKKO-së dhe krijon kushtet e domosdoshme për fuqizimin e tyre, në mënyrë që të gjithë ata që kanë abuzuar me djersën e shqiptarëve të mbahen përgjegjës para ligjit.

Shqipëria meriton më shumë!