Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka kritikuar shumicën parlamentare për bllokimin e propozimit të tij për ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e Kosovës.

Në një video të postuar në facebook nga deklarata e djeshme, Basha shkruan se vizitat dhe deklaratat mediatike nuk mjaftojnë, ndërsa bëri thirrje për veprime konkrete për të mbështetur Kosovën.

“Siguria e Kosovës është pjesë e pandarë e sigurisë sonë kombëtare. Shqipëria ka detyrimin të ndihmojë Kosovën në këto momente të rrezikshme, kur rreziqet gjeostrategjike po përshkallëzohen nga Beogradi dhe Moska” – tha Basha.

Postimi i plotë i Bashës:

Vizita në Kosovë nga qeveria dhe shumica parlamentare është vetëm një fasadë kur në të njëjtën kohë ata bllokojnë propozimin tim për ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e Kosovës.

Siguria e Kosovës është pjesë e pandarë e sigurisë sonë kombëtare. Shqipëria ka jo vetëm mundësinë, por edhe detyrimin të ndihmojë Kosovën në këto momente të rrezikshme, kur Beogradi dhe Moska përshkallëzojnë rreziqet gjeostrategjike.

Fjalët e mëdha dhe shfaqjet mediatike nuk i shërbejnë Kosovës. Ajo që i duhet është mbështetja jonë me veprime konkrete – si propozimi për financimin e sigurisë së saj.

Le të tregojmë me vepra se siguria dhe e ardhmja e Kosovës janë prioriteti ynë kombëtar!