Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi sot një takim me strukturat drejtuese të këtij grupimi politik, ku u diskutua strategjia për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij, Basha shprehu bindjen se strukturat drejtuese të Demokratëve Euroatlantikë do të mbështesin një ekip vlerash në mbarë vendin, duke e parë politikën si një shërbim ndaj qytetarëve dhe jo si një mjet vetëshërbimi për kastën e vjetër të tranzicionit.

Lideri i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen pa kushte për drejtësinë dhe kandidimin me lista të hapura, duke theksuar se kjo është një garanci për një Shqipëri që meriton më shumë.

Postimi i plotë i Bashës:

“Shqipëria meriton më shumë. Me këtë bindje, do të shkojmë në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo derë, për të shpalosur programin tonë për zgjedhjet e 11 majit. Strukturat drejtuese të Demokratëve Euroatlantikë do të mbështesin një ekip vlerash në mbarë vendin, që e sheh politikën si shërbim ndaj qytetarëve, dëgjon shqetësimet e tyre dhe ofron vizionin për t’i kapërcyer ato.

Jo si vetëshërbim për kastën e vjetëruar të tranzicionit, që ka varfëruar vendin dhe ka larguar rininë. Plani ynë konkret për Shqipërinë, mbështetja pa kushte ndaj drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, demokratizimi dhe hapja e sistemit politik përmes listave të hapura, si dhe mbrojtja dhe promovimi i orientimit euro-atlantik të vendit, janë kontrata jonë me qytetarët shqiptarë që kërkojnë ndryshim, jo riciklim. Shqipëria meriton më shumë!”