Lulzim Basha foli para qytetarëve të Vlorës për planin e tij ekonomik që do nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe do hapë vendet e punës. Basha the se plani i tij është i njëjti me planin që zbatohet në Gjermani dhe në SHBA, që ndez motorrët e ekonomisë. Basha u shpreh se ai nuk do ketë prioritete të gabuara, por vetëm interesat e njerëzve.
“Vendet e punës do të hapen, studentët do ti garantojmë universitetin me tarifa të përballueshme dhe stazhe pune, pensionet do të rriten sepse ne kemi një plan dhe jo premtime.
Një plan ekonomik të hartuar nga eskpertët më të mirë shqiptarë, me ndihmën më të mirë europiane dhe ju e patë se këtu ishte Falenski, këshilltari i grupit parlamentar të CDU, të Angela Merkel. Një plan ekonomik të ngjashëm me ato që kanë nxjerrë vende nga krizat. Një plan ekonomik të ngjashëm që po aplikon sot Presidenti Trump në SHBA, me ulje taksash, me ndihmë për sipërmarrjen për të krijuar vende pune, me ndihmën për investimin në infrastrukturë. Këto janë prioritetet. Palmat dhe lungomaret, janë turpi dhe treguesi kur mendon vetëm për veten tënde, tekat dhe xhepat e tu. 4 vite nuk e mbaroi dot. Për 2 vjet, mora përsipër dhe u dhashë shqiptarëve Rrugën e Kombit. Nuk ka pasur plan për ju, por vetëm për veten e tij dhë një grusht pushtetarësh, oligarkësh dhe kriminelësh”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se taksat do të ulen duke rritur paratë në xhepat e shqiptarëve. Do të ketë më shumë vende pune, pensione të larta, ndihmë ekonomike më të madhe, stazhe për të rinjtë, para në dorë për fermerët. Ai tha se investitorët amerikanë dhe europianë presin këtë plan të zbatohet në Shqipëri.
“Duhet një plan i zbatueshëm për Shqipërinë si ky që kam unë dhe ju lus ta merrni dhe ta shfletoni sepse në këtë plan janë zgjidhjet e vërteta që rrisin ekonominë sipas një modeli që ka funksionuar dhe funskionon në Amerikë, në Europë. Si ndodh kjo?! Me uljen e taksave, me bërjen konkuruese të ekonomisë, me çmimin e energjisë dhe naftës konkurues, me rritjen e konsumit. Por si do rritet konsumi kur paratë e pensionistëve i bën palma dhe ato më pas thahen?! Ky plan ekonomik bën rishpërndarjen e parave dhe i kthen paratë te njerëzit, konsumatorët, te pensionistët.
Ky është plani ekonomik me të cilin ne do e nxjerrim Shqipërinë nga kriza, me të cilin ne do të rrisim punësimin, do të sigurojmë që industritë e zhvilluara të investojmë në Shqipëri. Kam takuar disa investitorë të rëndësishëm në SHBA gjatë vizitës 2 ditore atje dhe të gjithë presin me padurim që a do jetë në gjendje Shqipëria të plotësojë këtë plan. Me uljen e taksave dhe TVSh-së, menjëherë nis injektimi i miliona eurove që sot zhduken në xhepat e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. Këto para do të jenë në xhepat tuaj. 400 milionë euro më shumë për të shpenzuar çdo vit vetëm me uljen e TVSh-së”, tha Basha.
Nga Vlora Basha tha se do të hiqet e taksat mbi shitblerjen e pronës e cila ka bllokuar tregun dhe do ketë vetëm një taksë simobolike. Po ashtu, TVSh-ja për paktetat turistike që sjellin turistë të huaj, do të hiqet.
“Nuk do ketë më taksë transferimi prone dhe shitblerja e pronës do ketë një tarifë fikse prej 300 mijë lekësh të vjetra dhe qëllimi do të jetë që të qarkullojë prona që njerëzit të shesin e të blejnë. Ne do të heqim TVSh-në për paketat që marrin turistë të huaj për të ardhur këtu”, tha Basha.
Basha u shpreh nga Vlora se do të anulohet edhe moratoriumi i gjuetisë i cili ka nxitur informalitetin dhe ka penalizuar turizmin. Do ndalojmë drogën, do luftojmë krimin, do lejojmë gjuetinë e ligjshme, tha Basha.