Departamenti amerikan i shtetit e cilësoi të papranueshme që Arben Ndoka, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, të ishte pjesë e parlamentit.
Sekretari Kerry, pasi e vlerësoi dje në Tiranë procesin e dekriminalizimit, e veçoi atë si sukses dhe model që duhet ndjekur.
E megjithatë, ja ku është i zgjedhuri i Edi Ramës, i besuari i tij në Lezhë, duke prezantuar Prefektin e Qarkut.
Ja ku është i dënuari që, pas denoncimeve të opozitës, pas qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë, dhe pasi ligji i dekriminalizimit e nxorri jashtë parlamentit, sot, me bekimin e Edi Ramës, qeveris Lezhën, bën emërime, shkarkime, tenderime. Vendos për çdo gjë.
Edi Rama sfidon hapur dekriminalizimin, sfidon hapur mesazhin e z.John Kerry.
Ai vazhdon t’u japë pushtet personave të inkriminuar, vazhdon ti mbajë ata afër, dhe po i përgadit ata për zgjedhjet që po vijnë për të deformuar votën e lirë.
Si ta kuptojmë qytetarët këtë shpërfillje të Edi Ramës ndaj mesazhit të Kerrit?
Si duhet ta shohë publiku inkriminimin deri në palcë që Edi Rama tashmë po i bën edhe Partisë Socialiste.
Ende pa u mbushur 24 orë nga mesazhi i sekretarit Kerry për dekriminalizimin, Edi Rama po konfirmohet si promotor dhe protektor i krimit në politikë.
Deklarata për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 15 Shkurt 2016