Deputetja Elmazi sheh nga afër gjendjen dhe dëgjon akesat e pacientëve

Deputetja Liliana Elmazi ishte në spitalet e Sarandës dhe të Delvinës ku pa nga afër gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor, dhe dëgjoi ankesat e kërkesat e qytetarëve.

Pacientët, të afërmit e tyre, dhe mjekët i shprehën zonjës Elmazi, shqetësimin e mungesës së ilaceve, paisjeve  të amortizuara dhe kushteve skandaloze të spitaleve.

“Ne më shumë marrim sëmundje sesa arrijmë të kurohemi”, u shpreh një pensioniste e cila i bëri të ditur deputetes se ushqimet, ilaçet dhe carcafët i blejnë me paratë e tyre.

Deputetja Elmazi tha se është absurde dhe antihumane që ministri i shëndetësisë Beqaj fut në xhepat e tij, kryeministrit dhe klientelës së qeverisë, 330 milion euro nga koncesionet dhe nuk investon as edhe një lek në spitale.

“Ju e shihni vetë që në Maternitet atje ku lind jeta çdo gjë është në degradim. Në spitale lagështira është mbytëse, nuk ka dyer e dritare dhe kushtet janë skandaloze. Pra sistemi nga Tropoja në Sarandë ka degraduar nga rilindasit Rama –Beqaj”, tha deputetja  Elmazi  e cila i bëri thirrje kryeministrit që si deputet i Vlorës të inspektojë nga pranë spitalet e Jugut.

Ndërkohë që nga koncesionet në shëndetësi fitimet e pushtetarëve janë marramendëse, shumica e banorëve të Jugut kryejnë trajtimet dhe lindjet në spitalin e Janinës duke u thelluar edhe më shumë në borxhe e halle, për të përballuar sëmundjet dhe problemet shëndetësore.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Shkurt 2016