Partia Demokratike kallëzoi sot penalisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e paligjshëm brenda Parkut të Liqenit të Tiranës.

Me objekt; shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm, sot Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Salianji, depozit​oi në prokurori kallëzimin penal ndaj Veliajt.

“Sapo dorëzuam në Prokurori një kallëzim penal për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për shpërdorim detyre, për ndërtim të paligjshëm dhe për shkatërrim të pronës publike. Siç jeni në dijeni, dje qytetarët e Tiranës në dy aksione të ndryshme e kanë shkatërruar dhe e kanë hedhur poshtë ndërtimin e paligjshëm që kërkon të bëjë kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj në një zonë të mbrojtur, në një zonë e cila është kategorikisht e mbrojtur me ligj nga ndërhyrjet, siç është Parku i liqenit të Tiranës. Siç e dini, ndërhyrja aty bëhet për interesa të pastra korruptive dhe klienteliste të kryebashkiakut të Tiranës i cili me pretekstin që kërkon të ndërtojë park lojërash për fëmijët do bëjë edhe një lokal për klientët e vet e më pas do ti ndryshojë destinacionin parkut të Tiranës që të ketë mundësi të ndërtojë ashtu siç ka miratuar edhe planin për hyrjen e parkut që të ndërtojë në të pallate shumëkatëshe. Partia Demokratike dhe qytetarët e Tiranës, ashtu siç nuk e lejuan dje ndërtimin e paligjshëm të kryetarit të bashkisë Veliaj”.

Salianji paralajmëroi aksion t​ë fuqishëm qytetar, nëse Veliaj nuk heq dorë nga ky ndërtim i paligjshëm.

“Do ta ndalojnë përsëri sa herë të ketë shkelje ligji dhe në rast se insiston për ta prishur të vetmin park që i ka mbetur qytetit të Tiranës atëhere qytetarët do ta nxjerrin nga zyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës”, tha Salianji.


Prononcim për mediat i Sekretarit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, 17 Shkurt 2016