Të nderuar miq,

Të nderuar panelistë,

Së pari, dua të përshëndes Fondacionin për Liri dhe Demokraci, Bordin e Fondacionit, Presidentin e Fondacionit z.Imami, të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë koncept, që i paraprin 25-vjetorit të rrëzimit të simbolit të diktaturës, shtatores së diktatorit Enver Hoxha pak metra më tej në mes të sheshit “Skënderbej”.

Dua të falënderoj Fondacionin “Hanns Seidel” dhe përfaqësuesit e këtij fondacioni në Shqipëri të cilët vazhdojnë të japin një mbështetje të fuqishme Partisë Demokratike dhe Fondacionit për Liri dhe Demokraci në misionin tonë opozitar por edhe në misionin tonë të ringritjes së vlerave, standardeve dhe normave perëndimore, europiane si në programin tonë opozitar ashtu edhe në alternativën tonë të nesërme për qeverisje.

Së treti, dua të them që për mua ky eveniment dhe mënyra e organizimit përbëjnë një risi e cila ka për qëllim të eksplorojë në një dialog me pjesëmarrësit këtu në sallë por edhe me publikun që na ndjek përmes medias, domethënien e atij akti 25 vite më parë dhe të eksplorojë përtej domethënies edhe investimin që ai akt, shembja e simbolit të diktaturës duhet të përbëjë për brezat dhe për sfidat me të cilat Shqipëria po ndeshet sot e do të vazhdojë të ndeshet derisa të kultivojë kultin e individit.

Shqipëria nuk ka nevojë për kultin e individit diktatorial, për kultin e individit që shembëm 20 vite më parë, për simbolin e “njeriut diell” nga e cila varet ekzistenca e çdo robi e çdo skllavi e çdo proletari e çdo demokrati apo çdo socialisti. Nuk ka nevoje për kultin e individit për të cilin duhet të thërrasim “Rroftë udhëheqësi i partisë!”, sa herë marrim në dorë tapitë e legalizimit  apo na kthehen si shërbime taksat që na merren nga xhepat tanë. Shqipëria ka nevojë  për kultin e individit të lirë, pa të cilin demokracia mbetet një formalitet. Individ të lirë, këtij tipari, këtij identikiti të demokracisë perëndimore cili është aksioneri i vërtetë i shtetit, si kontratë, i demokracisë, i individit që e kupton se shteti nuk disponon asnjë mjet sepse të gjitha mjetet burojnë nga individi.

Paratë që shteti destinon janë paratë e taksave që paguan individi. Të drejtat që shteti mbron janë të drejtat natyrale dhe hyjnore të individit. Liritë që shteti duhet të garantojë janë liritë natyrale të individit dhe aspiratat që shteti duhet të investojë janë aspiratat legjitime të individit.

Shqipëria ka nevojë për kultin e qytetarit të lirë i cili në demokraci nuk është thjeshtë vlerësuesi me votë një herë në katër vite i qeverisjes por është dhe do të jetë dhe gardiani i qeverisjes, i cili nuk ka nevojë as të thërritet as të stimulohet për protestë por i prin protestës sa herë që keqqeverisja e lë në baltë, e kërcënon apo ç ‘është me e keqja e rikthen në kohët e errëta kur e trajton ri rob, si skllav, si qenie që duhet të jetë i lumtur që i shtrëngon dorën udhëheqësit, për të marrë tapinë e legalizimit që i takon. Për të marrë shërbime për të cilat ka paguar me kokën poshtë dhe pa kërkuar llogari edhe kur gjysma e parave vidhen rrugës. Ky pra, pa dorashka është edhe interesi im kryesor, interesi ynë kryesor si forcë politike.

Në këtë diskutim të sotëm dhe në këtë përvjetor të 25-të, ne duam që të sjellim  përtej nderimit për protagonistët që e nisëm pardje në Qytetin Studenti me protagonistët e grevës së urisë, e përtej kujtimit nesër në një ekspozitë me një instalacion artistik në Muzeun Kombëtar i cili do të qëndrojë i hapur për 48 orë, edhe rëndësinë e  atij akti që nuk ishte thjesht dhe vetëm rrëzimi i një simboli. Këto aktivitete normalisht duhet t’i takonin qeverisjes që paguhet nga taksat e shqiptarëve edhe për të përkujtuar këto momente të rëndësishme të shqiptarëve por që i ka lënë edhe këtë 25-vjetor sikundër edhe në 25-vjetorin e ngritjes për demokraci të 8 dhjetorit të vitit të kaluar në një harresë frojdiane, në kuptimin e plotë të fjalës, pra në një harresë kriminale.

Kështu që pa marrë shumë kohë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin e madh për të gjithë panelistët e nderuar që do të flasin sot, profesor Peqinin, profesorësh Nikën, profesor Gjekmarkaj, për z.Kulluri, për z.Fuga që ndodhet në panelin pasardhës. Profesor Tupen, për të tjerë që i kërkuam të vinin por fatkeqësisht nuk ndodhen sot në Shqipëri e do t’i jepnin edhe më shumë kolorit këtij diskutimi që nuk është një diskutim partiak, nuk do të jetë një diskutim partiak por synon dhe shpresojë që do t’ia arrijë që të afrohet sa më shumë me thelbin e vërtetë me 20 shkurtit 1991 që nuk ishte një përplasje, urrejtje e verbër ndaj disa dhjetëra apo qindra kile bronz, ishte shumë më shumë se kaq, është dhe duhet të jetë shumë më shumë se kaq.

Ju faleminderit!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha në aktivitetin e FLD të titulluar “Politika simbolike, një dialog për qytetarin dhe demokracinë”, 19 Shkurt 2016