Lulzim Basha foli me të rinjtë e njësisë 5 në Tiranë mbi programin ekonomik për të rritur punësimin e tyre. Basha tha se ka një plan ekonomik të kombinuar që jep rezultat, duke nisur me 10 mijë stazhe për të sapodiplomuarit, një urë e sigurtë drejt një vendi pune.
“Stazhet do të bëjnë lidhjet midis të sapodiplomuarve apo atyre që janë në përfundim të universitetit dhe tregut të punës. Secili prej jush do të ketë mundësinë të integrohet në tregun e punës. 10 mijë më të mirët që përfaqësojnë 50% të atyre që diplomohen, do të kenë mundësi për një stazh pune me pagesë, 200 mijë lekë në muaj për 1 vit. Kjo do u japë mundësi që të njihni tregun. 75 deri në 90% e atyre që bëjnë një stazh pune, e gjejnë një vend pune. Të 1360 shkollat do të jenë shtëpia e dytë e fëmijëve dhe të rinjve që studiojnë aty. Do të kenë të gjitha kushtet laboratorike për të kryer praktikat, do të kenë drekën e paguar nga buxheti i shtetit dhe mundësinë për të vazhduar deri në orën 16.00 me aktivitet passhkollore”, tha Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh se ligji për arsimin e lartë do të anulohet.
“Ndryshimi i parë do të jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë. Ky është një ligj jo thjeshtë klientelist dhe korruptiv por edhe ligj amullie që jo vetëm nuk zgjidh asgjë por përkeqëson shumë gjëra”, tha Basha.
Degët që kanë lidhje me tregun do kenë financim më të lartë si teknologjia e informacionit.
“Kjo sepse ne presim investime serioze në fushën e teknologjisë së informacionit”, u shpreh Basha për të rinjtë.
Rritja e punësimit të të rinjve do të vijë nga programi ekonomik i Lulzim Bashës që sot e aplikon Gjermania dhe SHBA-ja.
“Zgjidhjet janë këto. Fillojmë me uljen e TVSh-së nga 20 në 15% që do të sjellin 400 milion euro që sot përfundojnë në xhepat e taksidarëve dhe në xhepat e Edi Ramës dhe më pas i bën lali Eri fishekzjarre dhe palma. Nuk do të jetë më kështu, paratë do të përfundojnë në xhepat e konsumatorëve shqiptarëve. 400 milionë euro për konsumin dhe rritja e konsumit do të çojë në rritje të prodhimit, rritja e prodhimit gjeneron kërkesën për vende pune, për kreditim, ngjall tregjet kapitale, çliron energji pozitive. Ky është plani ekonomik me vulën e Gjermanisë dhe Amerikës. Do ta vëmë në zbatim. Ky nuk është premtim. Ky është plan që do të funksionojë prej ditës së parë dhe shqiptarët do ia shohin hajrin në shtëpitë e tyre, në xhepat e tyre, në konsumin e tyre”, tha Basha.