Deputetja Qirici sheh nga afër kushtet mizerabël dhe takon pacientet që duhet të blejnë gjithçka vetë
Deputetët demokratë vijojnë denoncimet nga terreni të rrënimit të spitaleve dhe sistemit shëndetësor në të gjithë vendin. Deputetja e Korcës Eleni Qirici ishte në maternitetin e Progradecit bashkë me anëtarë të Këshillit bashkiak dhe përfaqësuese të Lidhjes së Gruas. Zonja Qirici u takua me nëna të reja, të afërm të tyre të cilët theksuan se kushtet janë skandaloze dhe se çdo pajisje dhe ilaç e blejnë në faramacitë e qytetit.
“Unë jam një grua nga Rrajca. Edhe pse kam kartën e sigurimit shëndetësor, unë duhet të bëj pagesë për shërbimet këtu, pasi nuk më njihet”, tha një zonjë nga Librazhdi.
Deputetja Eleni Qirici tha se kushtet janë përtej skandalozes. Këtu gjendja është e papërballueshme, nuk ka ku të shkojë më keq se kaq. Stafi është i përkushtuar por ata nuk mund të bëjnë asgjë përballë vështirësive dhe mungesave të shumta. Materniteti është institucioni ku lind jeta dhe nuk mund të funksionojë me sallën e lindjes pa kushte dhe me çdo pajisje e mjedis jashtë funksionimit.
Deputetja Qirici ngriti dhe shqetësimin e mungesës së sanitareve dhe personelit në staf, nga shkurtimet e padrejta.
Ndërkohë dhe në këtë maternitet është ulur ndjeshëm numri i lindjeve, pasi nënat e reja të Pogradecit shkojnë në spitalin e Ohrit. Teksa ministri i shëndetësisë bashkë me Ramën kryen 28 koncesione në 22 muaj me fitime marramendëse, në spitale dhe maternitetet e vendit nuk investohet asnjë fond duke e çuar sistemin në degradim të plotë.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 21 Shkurt 2016