Protestuesit: Veliaj rrethon parkun, ne rrethojmë Veliajn. Veliaj beton në park, ne mbjellim pemë

Partia Demokratike dhe qytetarët e Tiranës kanë protestuar sot kundër betonizimit të Parkut të Liqenit, dhjetfishimit të taksave, të faturave të ujit dhe rritjes së çmimit të biletës së autobuzëve.

Deputetët e Partisë Demokratike dhe qytetarët kanë sjellë fakte konkrete të abuzimit, mashtrimit dhe korrupsionit të kryebashkiakut Veliaj duke sjellë në këtë mënyrë shkatërrim të jetës së qytetarëve dhe falimentim të bizneseve.

“Erdhi duke thënë se do ul taksat por sot po i  rëndon biznesin e ndershëm duke 10 fishuar taksën e hapësirës publike, nga 1500 lekë të vjetra në 15 mijë lekë të vjetra. Nga 30 mijë lekë që paguante një biznes i ndershëm për 4 tavolina kafe, sot duhet të paguajë 300 mijë lekë dhe kjo pa lajmërim dhe papalajmërim. Sot duhet të paguajnë edhe Janarin edhe Shkurtin sepse kështu i teket kryetarit të Bashkisë. Kjo është një padrejtësi që i bëhet çdo qytetari të Tiranës, çdo njeriu të ndershëm që kërkon të mbajë familjen e vetë. Kjo është një padrejtësi që u bëhet të gjithë bizneseve. E njëjta gjë ndodhi me biletën e autobuzit. E mbajnë mend të gjithë kur doli e tha se sa të jem unë kryetar bashkie nuk do të guxojë njeri të rrisë çmimin e biletës së autobuzit. Nuk kaloi një javë dhe çmimi i biletës u rrit. Pse?! Sepse do pasurohen disa biznesmenë që e kanë mbështetur e financuar në fushatë dhe kjo në kurriz të çdo qytetari të ndershëm që sot përdor autobuzin në qytetin e Tiranës. Erdhi duke thënë që do shtojmë hapësirat e gjelbërta dhe Tirana do të ketë një qytet pa beton dhe ja ku po e betonizon galerinë e Arteve Parkun Rinia dhe parkun e liqenit. Nuk e ka bërë askush më parë dhe nuk ka denjuar ta bëjë as Edi Rama. Guxon dhe thotë se do jetë një park lodrash për fëmijët. Por nuk ka se si të jetë një park i tillë. Ajo është vetëm një shteg i hapur për betonin e mëtejshëm, një vije demarkacioni se deri ku do të shkojnë pallatet dhe ndërtimet. Nëse do të bëjë park lodrash për fëmijët, Tirana ka vende plot dhe nuk ka pse të presë pemë. Mund ta bëjë te Garda në krah nëse aty nuk do bëhet pallat, mund ta bëjë tek universiteti në krah nëse aty nuk do bëhet pallat. Por jo miq, ky do ta bëjë atje sepse në krah të universitetit ka plan të bëjë pallat. Padiskutim që protesta do të vazhdojë çdo ditë derisa Veliaj të tërhiqet nga ai projekt që i merr frymën cdo qytetari të Tiranës”, tha Gerti Bogdani.

“Jemi sot këtu dhe unë jo thjesht si opozitar, por si qytetar i Tiranës për ti thënë: Ndal këtij manekini të Edi Ramës! Këtij kryetari bashkie ndër më të korruptuarit që ka njohur Ballkani dhe Europa mbarë.

Ka vetëm gjashtë muaj  kryetar bashkie, vetëm gjashtë muaj. Vetëm afera në CV-në e tij në këto gjashtë muaj. E filloi me historinë e parkimeve nëntokësore. E filloi dhe po e bitis me lejet e ndërtimit që po jep në kufijtë e Parkut të Liqenit Artificial. Ky kryetar bashkie që guxon sot të “kafshojë” dhe betonizojë mushkëritë e vetme që ka qyteti i Tiranës.

Ky kryetar bashkie që guxon të 10-fishojë taksat e biznesit të vogël. Ky kryetar bashkie që guxon të fusë duart në xhepat e qytetarëve të Tiranës si hajdut në datë 31 dhjetor në darkë me paketën fiskale që   rëndon xhepat e çdo qytetari anembanë qytetit dhe anembanë ish-komunave të qytetit të Tiranës.

Jemi sot këtu të gjithë bashkë si qytetarë të lirë për ti thënë : Ndal, çdo projekti korruptiv dhe abuziv të kryetarit të Bashkisë apo edhe Kryeministrit.  Ata ndërtojnë pa leje ndërkohë që çdo qytetar i Tiranës për një tullë, për një dritare, për një përfundim muri në shtëpitë e tyre përfundojnë çdo ditë në dyert e komisariateve dhe në dyert e prokurorisë.

Jemi sot këtu dhe do të jemi çdo ditë bashkë, unë, çdo koleg i imi, çdo qytetar i lirë i Tiranës për t’i thënë këtij zotërisë që as ti, që as babai yt politik, as mamaja jote që të paguan dasma dhe fushata nuk  jeni padronët e Tiranës. Padronë të Tiranës jeni ju, janë qytetarët e Tiranës që do të vijnë këtu çdo ditë për t’ju ndaluar me çdo kusht”, tha Keltis Kruja.

“Të dashur qytetarë të Tiranës, të nderuar qytetarë të Tiranës që kini vendosu rtë jetonin  këtë qytet. Mund të mos jemi ne që jemi mbledhur të gjithë këtu me shkollë sa ka ky dhe shefi i tij atje te kryeministria por një gjë e kuptojmë mirë se Park quhet atje ku ka bar dhe pemë dhe jo atje ku ka beton

Mund të mos jemi me shkollë sac janë këta por e kuptojmë shumë mirë që fëmijët tanë janë njëqind herë më të shëndetshëm , luajnë një qind mijë  herë më mirë atje ku ka bar dhe pemë dhe jo atje ku i shtrojnë me beton. Kryetari aktual i bashkisë dhe kjo qeveri mund të jenë ndoshta dhe më të mirët në këtë shekull, por na kushtojnë shtrenjtë. Nuk mund ta paguajmë nje kryebashkiak sado i mire te jete  me 50  fishim të taksave tona. Është i shtrenjtë largohu, nuk je për ne.

Qeveria e cila heq bukën nga goja atyre që nuk e kanë për tja u dhënë oligarkëve gjoja për të na shërbyer ne, është e shtrenjtë. Nuk e mbajmë dot të shporret.

Në vitin 1944 kur erdhën sapo konsoliduan pushtetin, gjëja e parë që bënë mblodhën tatimin e jashtëzakonshëm të luftës jo vetëm në Tiranë, në Shkodër në Vlorë në Fier në Korcë e kudo. Ky është tatimi i jashtëzakonshëm i Erion Velisë i Edi ramës dhe nuk duhet ta paguajmë si në 44.

Të nderuar vëllezër dhe motra, kjo është cështje vullneti, nëse lëshojmë terren ndaj këtyre sic lëshuam në 44 sigurisht që ju zgjat 46 vjet dhe 460 vjet sundimi. Sot jemi këtu për tju thënë JO nuk paguajmë , nëse sot tërhiqemi, ai Park atje shum shpejt do të bëhet si Komuna e Parisit që dikur ishte e gjitha bar dhe tullën e parë e vendosi Edi Rama . të mos bëjnë një Komunë të re Parisi tek Parku i liqenit. Të gjithë bashkë të shkojmë tani të tregojmë dashuri për qytetin tonë të tregojmë refuzimin për këtë bandë fallsifikatorësh”, tha Gent Strazimiri.

Protestuesit janë drejtuar drejt parkut të liqenit ku kanë hequr gardhin rrethues dhe në vend të betonit kanë mbjellë pemë të reja. Gardhi rrethues është zhvendosur para bashkisë. Të rinjt, qytetetarët e Tiranës kanë shprehur vendosmërinë e tyre se çdo ditë do të jenë në protestë kundër betonizimit të parkut.

“Siç e patë, qytetarët e Tiranës sot ndaluan shkatërrimin e Parkut Artificial të Liqenit që po i bën kryebashkiaku erion veliaj dhe kryeministri Edi Rama, duke pastruar të gjitha mbetjet dhe pjesët e ndërtimit të cilat do të mundësonin ndërtimin e paligjshëm, korruptiv dhe klientelist. Qytetarët e Tiranës jo vetëm i hoqën dhe i çmonuan çdo pjesë të cilat dëmtonin Parkun e Tiranës por do të bëjnë të mundur të mos preket dhe të mos kthehet siç është kthyer Tirana në kohën e qeverisjes së Ramës, një vend plot me beton. Tentativa të pafundme pati nga provokatorë të paguar apo të Policisë së Shtetit për të tentuar të krijojë konflikt, mes protetsuesve dhe Policisë së Shtetit. Një tentavivë e dështuar ashtu si edhe nisma e Erion Veliajt që nga Londra thotë se do ta shkatërrojë parkun, të vetmin park kombëtar të Tiranës. Partia Demokratike dhe qytetarët do të jenë çdo ditë si sot për të mbjellë pemë, për të ndërtuar dhe jo për të shkatëruar siç po bën Edi Rama dhe Erion Veliaj me parkun e Tiranës”, tha Ervin Salianji.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Shkurt 2016