Partia Demokratike, do të kallëzojë penalisht Policinë e Shtetit, INUK, INUV, Inspektoriatin e Mjedisit dhe firmën Grand, të cilët, në shkelje të hapur të ligjit, kanë shperdoruar detyrën dhe kanë mundësuar veprën penale të ndërtimit pa leje e kryer në bashkpunim,  parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Qindra qytetarë shqiptarë që janë arrestuar e burgosur, vetëm se pse lyenin shtëpitë e tyre “pa leje”, ndërronin një tjegull në çatinë e tyre “pa leje”, dergjen burgjeve ose dyerve të gjykatave si të ishin kriminelë.

Nga ana tjetër Policina e Shtetit, INUK, INUV dhe Inspektoriati i Mjedisit, nuk bënë asnjë veprim për të marrë në mbrojtje një pasuri publike siç është Parku i Liqenit dhe për të parandaluar, apo për ti vënë para ligjit, shkelësit, dhunuesit dhe autorët e ketij ndërtimi në kundërshtim me ligjin, që janë Bashkia Tiranë dhe firma Grand.

Protesta e organizuar nga Partia Demokratike ishte një protestë në mbrojtje të ligjit dhe ligjshmërisë së shkelur nga pushteti!

Ishte një protestë kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit flagrant të Edi Ramës dhe lakeut të tij në Bashki.

Policia, INUK dhe INUV, autorë të qindra procedimeve penale “për ndërtim të paligjshëm”, nuk mund të arrestojnë dhe procedojnë qytetarët e Tiranës, për fajin e vetëm, pse mbrojtën ligjet dhe ligjshmërinë e shkelur me të dyja këmbët nga dhunuesit e ligjit.

Deputetët e Partisë Demokratike, gjatë gjithë ditës së sotme kanë qënë të angazhuar në lirimin e qytetarëve që dje ishin në mbrojtje te ligjit.

Ne kërkojmë me forcë ndërprerjen e represionit policor ndaj qytetarëve dhe ndëshkimin sipas ligjit të shkelësve të vërtetë të ligjit që ndodhen në Polici, Inuk, Inuv, dhe Inspektoriatin Mjedisor, të cilët, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, garantuan shklejen dhe moszbatimin e ligjit dhe shkatërrimin e pasurisë publike, sipërfaqes së gjelbër në Parkun e Liqenit.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë, të veprojë me urgjencë dhe energjikisht për të liruar nga arrestimi i paligjshëm qytetarët, që po mbronin ligjin e shkelur, dhe të vërë para përgjegjësisë penale, ligj-shkelësit e vërtetë.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 23 Shkurt 2016