Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka theksuar vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund betejës për dekriminalizimin e Parlamentit.
“Qëndrimi i Grupit Parlamentar është i qartë dhe i prerë : plotësimi i zgjidhjes që ne kemi ofruar, i dhënies fund të këtij provokimi te tmerrshëm ndaj shqiptarëve. Pra, largimit me ligj të deputetëve që plagosin dhe vrasin shqiptarë nga seancat e parlamentit deri në marrjen e vendimit të prerë. Është një kusht që nuk ka shqiptar demokrat apo socialist të mos e kuptojë dhe të mos ta pranojë për të shmangur bllokimin e Parlamentit.
I vetmi që nuk e pranon këtë zgjidhje është ai që solli Armando Prengën, ai që solli Arben Ndokën. Gojëfëlliquri i cili shikon veten e tij jo si kryetar të socialistëve por si kryetar të banditëve dhe ka të drejtë ta shikojë veten të tillë sepse është më i izoluar se kurrë. Partia Demokratike i ka të qarta qëndrimet e saj. Ne i kemi dhënë rrugëdaljen, zgjidhjen. Kështu që presim që Edi Rama të reflektojë. Në të kundërt vendimet që kemi marrë do t’i çojmë deri në fund.
Pyetje: Është e vërtetë që deputetët nuk do të jenë në komisionet parlamentare, z.Basha?
Basha: Vendimi i kësaj jave mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë përmirësim të situatës. Përkundrazi është tashmë e njohur botërisht që ky recidivist në dhunimin verbal dhe jo vetëm të grave, dje ka bërë të njëjtën gjë. Ishte ky akt që provokoi goditjen e tij me vezë që fatkeqësisht nuk e zunë në pjesën e zbuluar të kokës sepse sipas vendimit të gjykatës kjo nuk përbën vepër penale. Uroj të mos ketë guximin të provokoje përsëri grupin parlamentar ne sallë.
Partia Demokratike, theksoi zoti Basha ka depozituar në Byronë Parlamentare kërkesën për përjashtimin e deputetit Edi Rama nga seancat parlamentare për 10 ditë për fyerje vulgare ndaj deputetes Albina Deda. Përdorimi i gjuhës rrugacerore në Kuvendin e Shqipërisë është një akt i përsëritur dhe botërisht i njohur nga Edi Rama.
Njoftim për shtyp i Partise Demokratike, 26 Shkurt 2016