Tregtarët e vegjël ankohen për taksat e rritura dhe tarifat e larta. Në prag të falimentimit

 

Përfaqësues të Partisë Demokratike, deputetë, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pjestarë të departamenteve, kanë pasur takime në terren me biznesin e vogël, në lidhje me 10 fishimin e taksave që ka bërë Veliaj, shtimin e taksave dhe tarifave të reja, çka ka sjellë një atmosferë krize dhë rrënimi.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ariana Çela në komunikimin me bizneset e vogla të njësisë 4 në Tiranë, u shpjegoi atyre çfare ka ndodhur konkretisht.

“Ne kemi bërë përpjekje shumë të madhe për të mos miratuar paketën që solli Veliaj për të rrritur taksat e biznesit të vogël se kemi qenë të bindur që taksat kanë qenë të papërballueshme për tu paguar nga ju. Për fat të keq bëhet fjalë për një paketë fiskale që ka mundësuar rritjen e taksës së ndërtesës dhe këtu në këtë dokument keni të shpjeguar si kanë qenë dhe sa janë bërë.

-Sipërfaqja e dyqanit për metër katror nga 280 lekë që ka qenë për metër katror është bërë 440 lekë për metër katror.

-Tarifa e pastrimit nga 100 mijë lekë të vjetra është bërë 200 mijë lek të vjetra.

-Eshtë shtuar dhe një tarifë e re për infrastrukturën arsimore 18 mijë lekë si familjarë, sikurse 40 mijë lekë të reja për biznesin e vogël. Nuk e di a jeni në dijeni të këtyre tarifave, e rritjes së taksave. Ne jemi shprehur kundër dhe në datën 30 Dhjetor kur kaloi dhe tani kemi kërkuar rishqyrtim të tyre”, u shpreh zonja Çela.

Tregtarët e vegjël thanë se janë kundër këtyre masave dhe taksave dhe u shprehën se pavarësisht, askush nuk e bën pastrimin në zonën e tyre.

“Për taksën e arsimit, po ne që s’kemi shkollë këtu pse do paguajmë, me çfarë të paguajmë? Çfarë të them? Bravo u qoftë atyre dhe mua që luftova për ata. Në rregull. Se unë jam e majtë dhe votova për ta”, u shpreh një tregtare.

“Ngarkesa është shumë e madhe. Unë  të garantoj që rezistenca jonë nuk do kursehet. Në mënyrë absolute ne kemi kërkuar e do të vazhdojmë të kërkojmë që ai të risjellë taksat në këshill për ti ulur taksat aty ku ishin. Por nuk mjafton vetëm angazhimi ynë, duhet dhe angazhimi i gjithësecilit, i çdo biznesi”, tha Çela.

“E dini ju qe perveç rritjes së taksave është shtuar taksa e arsimit 4800 lekë për biznesin e cila është në kundërshtim me Kushtetutën që parashikon arsimin falas për ciklin e ulët dhe të mesëm? Erion Veliaj ka shkelur Kushtetutën. Neni 57 i Kushtetutës, pika 5 parashikon: Arsimi i detyrueshem si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkolla, është falas”, tha Albana Miftari, anëtare e departamentit të ekonomisë në PD.

“Juve ju falëminderit për përpjekjet, por e keqja jonë është që nuk dal unë se po i bën ai që kam votuar për të. Qe faji im, katastrofë. Janë dy muaj që kam marrë para nga shtëpia për të mbuluar shpenzimet, pra kam dalë me minus, se unë dua të jem në rregull me shtetin se ai të vjen e të bën gjëmën”, u shpreh një tregtar.

“Ngadalë e ngadalë ne do e mbyllim sepse kjo situatë po bëhet e papërballueshme”, tha një tjetër.

“Sigurisht që ne jemi dakort të paguajmë taksa por aq sa mundemi, jo dhjetë apo njëzetfishuar sa e kanë bërë këta. Ne jemi për aq sa na takon, 10 mijë lek xhiro bëjmë në ditë”, tha një pronar i një biznesi të vogël.

Deputeti i PD, Myqerem Tafaj theksoi se: “Edhe ne si opozitë jemi absolutisht për pagesën e taksave, por jo në këtë nivel. Sepse këtu po e shohim që xhiro ditore është tepër e ulët, pra që nuk justifikon të tilla taksa”.

“Unë dua të flas për pagesën e kontributeve, është një shkelje e barazisë ndërmjet shtetasve sepse profesioneve të lira të cilave u është ngritur kontributi, dhe janë gjithsej 21. Profesione të lira janë dhe një këngëtar,  balerin është dhe një këpucar, orëndreqës. Pra si ka mundësi të shtohen kontributet për ta”, u ankua një qytetar.

“Profesionistë të lirë me llogaritjet që kemi bërë janë 11 mijë dhe kjo është shtresa e mesme e shoqërisë e cila nuk duhet rënduar. Ne jemi të interesuar që shtresa e mesme të forcohet sepse është baza e demokracisë”, tha Tafaj.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 Shkurt 2016