Gra, nëna, vajza nga i gjithë vendi kanë protestuar sot para kryeministrisë kundër dhunës ndaj grave dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre. E organizuar nga Lidhja Demokrate e Gruas, protesta dënoi ashpër dhunën e rëndë verbale që kryeministri dhe anëtarë të mazhorancës ushtruan gjatë seancës parlamentare, ndaj deputeteve Albina Deda dhe Arbjola Halimi, të cilat u dënuan nga mazhoranca me përjashtim disaditor nga jeta parlamentare.
Gjatë fjalës së tyre deputetet Albina Deda dhe Arbjola Halimi theksuan se demokracia dhe parlamenti janë të kapur edhe kur kryeministri cënon rëndë gratë deputete të opozitës.
Sot gratë janë në mjerim, të kërcënuara në të gjitha të drejtat e tyre. Me dhjetëra nëna janë burgosur dhe për shkak të faturave që nuk përballojnë dot. Ato jetojnë lënduara dhe sot si kurrë më parë atyre u është vrarë shpresa, u shprehën ndër të tjera deputetet demokrate.
Kryetarja e LDGSH Albana Vokshi tha se bota e grave nuk mund të jetë kurrë bota e Ramës, arrogante me komplekset, inatin, zemërimin, urrejtjen ndaj çdokujt.
“Sjellja dhe fjalët e kryeministrit janë të pafalshme, të patolerueshme e të papranueshme. Shpërfillja, tallja dhe dhuna verbale që ai ushtron në mënyrë sistematike ndaj grave përcjell dhe prodhon dhunë tek të tjerët. Sa më tepër Edi Rama fshihet pas fjalëve e veprimeve, aq më shumë vërteton të kundërtën e asaj që pretendon sepse ai s’mund te jetë feminist, aq më pak socialist”, u shpreh zonja Vokshi.
Ndërsa Sekretarja për Marrëdhënien me Publikun Grida Duma tha se Edi Rama fyen gratë se ai nuk i kupton dhe nuk i ndjen ato. “Por pas asaj dhune që jepet si spektakel në sytë e gjithë shqiptarëve, ofendime nga kreu i shtetit gjenden familje, femijë, vëllezer, motra të cilët pasi i është fyer nena dhe babai zgjohen vetëm me dëshirë hakmarrje dhe agresiviteti. Politika është akt përgjegjësie, të cilit nuk mund ti shpëtosh sidomos duke qënë kryeministër dhe përdredh fjalën duke thënë se është ngatërruar motra me mostrën. Jo nuk janë ngatërruar as bashkuar asnjëherë mostra me motrën”, tha Duma.
Kryeministri fyeu rëndë zonjat deputete. Të gjitha këto janë forma të dhunës që kanë për qëllim nënshtrimin, që dekurajojnë gratë, të cilat janë motori i familjes, i ekonomisë dhe i shoqërisë, tha këshilltarja demokrate në Bashkinë e Tiranës, Reila Bozdo.
Në protestë morën fjalën mjeke, dentiste, pensioniste, përfaqësuese të komunitetit rom, të shoqërisë civile, studente , biznesmene, pedagoge, dhe nëna të reja të cilat i apeluan Edi Ramës të mos diskrimojë dhe të mos fyejë misionin e shenjtë të mëmësisë, sakrificat fisnike dhe dinjitetin e grave shqiptare . Ato theksuan se Edi Rama, Parlamenti i inkriminuar dhe qeveria e tij e koncesioneve nuk përfaqësojnë asnjë interes të grave dhe vajzave, të cilat ndiejnë pasojat më të rënda të kësaj krize të gjithanshme, që gjeneron qeveria dhe mazhoranca e Rilindjes.
Edi Rama ka shkelur rëndë të drejtat e grave, jo vetëm verbalisht por mbi të gjitha ka cënuar rëndë statusin e tyre në shoqëri duke e çuar papunësinë e grave dhe vajzave afro 40%, duke i detyruar nënat kryefamiljare drejt vetëvrasjes për shkak të pamundësisë, dëshpërimit të krizës ekonomike, faturave dhe çmimeve të papërballueshme duke i nxjerrë ato në rrugë dhe pastrehë si në rastin e mbi 70 familjeve rome në Selitë, duke mbyllur me mijëra vende pune në biznes të nënave dhe vajzave për shkak të dhjetëfishimit të taksave.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 1 Mars 2016