Qindra banorë kërkojnë të drejtën e tyre. Përfaqësuesit e PD përkrahin qytetarët
Kopliku ishte në këmbë sot, në protestë kundër varfërisë, papunësisë dhe padrejtësive të shkaktuara nga qeveria.
Sekretari për aksionin qytetar Ervin Salianji i shoqëruar nga deputeti Gjovalin Bzheta dhe kryetari i Partisë Demokratike në Malësinë e Madhe, Pjerin Spathari, ishin në përkrahje të banorëve të cilët protestuan për kushtet e rënda ekonomike, braktisjen e shtetit, mungesën e dritave, largimet nga puna, mungesën e ndihmës në bujqësi dhe stokun e produkteve të tyre.
Dhjetra banorë të dalë në protestë përpara Bashkisë thanë se ata dhe familjarët e tyre i kanë hequr nga puna pasi nuk kanë votuar të majtën.
Njëri prej tyre baba i 5 fëmijëve proteston pasi u largua nga puna padrejtësisht, pas 11 vjetësh si elektricist. “Më kanë hequr pa asnjë motiv”, tha ai.
Banor: “Jam vetë i katërti në shtëpi. Gruaja mësuese prej 20 vitesh. Përse s’kam votuar për ta e kanë hequr nga puna gruan. Kam pasur një ndihmë ekonomike. Sot detyrohem të nis fëijët jashtë sepse nuk kanë çfarë të bëjnë këtu. Mbështetje nuk kemi”.
Banor: Ky popull ka duruar shumë për këtë shtet që është.
Banor: Ekonomia sa vjen e bie më shumë. Arsyet janë të thjeshta. Çmimi i dritave në kulm, subvencione aspak, papunësia ka arrit kulmin, çmimet po rriten përditë dhe dua të garantoj diçka, nëse do të hapen kufijtë shqiptarë do mbeten vetëm ata që nuk lëvizin dot nga shëndeti.
Banor: Kam votuar me më sjellë ujë, e jo me ma heq ujin, kam votuar për drita. Drita s’ka.
Ndërsa Sekretari për aksionin qytetar Ervin Salianji tha se protestat do të përshkallëzohen në të gjithë territorin e Shqipërisë.
“Bashkë me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të zonës së Malësisë së Madhe jemi sot në koplik për ti dhënë zë, për të qenë në mbështetje të banorëve dhe është fillimi i një rruge të gjatë, të përballjes, të protestës, së rezistencës, për largimin një orë e më parë të kësaj qeverie e cila e ka kthyer në simbol jo vetëm në qendër, jo vetëm në Kryeministri, por siç e shikoni edhe këtu përpara bashkisë në simbol të dyerve të mbyllura dhe të arrogancës. Pavarësisht se ne sot kemi lajmëroj një protestë për të reaguar bashkia dhe qeveria e këtij vendi për papunësinë, për braktisjen totale që i ka bërë shteti kësaj zone. Për inkriminimin dhe mbushjen e institucioneve me njerëz të paaftë vetëm sepse janë të lidhur me PS apo LSI dhe largimin jo vetëm të njerëzve të cilët kanë investuar në shkollim në këtë zonë dhe kanë investuar për t’u promovuar por kanë vrarë dhe kanë larguar shpresën duke bërë që disa fshatra apo qindra dhe mijëra banorë të kësaj zone të largohen dhe të shohin azilin si të vetmen shpresë për të jetuar. Sot edhe një herë tjetër i bëjmë thirrje qeverisë që të kthejë sytë nga qytetarët ose përballja që ka nisur në çdo qytet të Shqipërisë, nga Malësia e Madhe në Sarandë, nga Korça në Dibër dhe në çdo qytet tjetër, do të mblidhet në Tiranë për të larguar përfundimisht dyshen Rama-Meta si të keqen më të madhe të këtij vendi”, tha Salianji.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 2 Mars 2016