Banorët e Thanës në Lushnje kanë protestuar dhe kanë kundërshtuar propagandën që bëri dy ditë më parë në fshatin e tyre kryeministri Rama. Ata thonë se investimi 2 milionë eurosh në një rezervuar aty është shpenzim i madh dhe i padobishëm. Sipas tyre nëse këto para do të ishin investuar realisht sipas nevojave që ato kanë, jeta e tyre do të ishte përmirësuar.

“Erdhi kryeministri këtu por sna la njeri të flisnim. Kjo nuk është një vepër që na përshtatet ne. Eshtë vjedhur para pa masë me këtë. Ajo tabela për punimet gënjen. Janë hedhur më pak para. Ne po vuajmë dhe kërkojmë mbështetjen e Partisë Demokratike dhe z.Basha. Investimet të ishin bërë në kanalizime, në ujësjellësa. Pastaj ky ujë është i kripur dhe smund të përdoret për vaditje”, thotë një fermer.

“Ky investim nuk ka shtuar kapacitetin ujëmbledhës të rezervuarit dhe kanë bërë thjesht një makiazh. Fermerët në këtë zonë kanë 30 mijë hektarë tokë dhe si problem kryesor kanë mirmbajtjen e kanaleve. Edhe po të ketë ujë këtu, fermerët në fshatrat poshtë nuk do vadisin dot. Ndaj them që ky investim nuk duhej bërë këtu. Investim pa vlerë që nuk i shërben fermerit”, thotë një banor i zonës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjes, Myslym Murrizi, ishte pranë banorëve.

“Jemi sot këtu si Parti Demokratike në mbështetje të një shqetësimi të drejtë të banorëve të zonës, jo vetëm të fshatit Thanë. Kryeministri i vendit u tall para dy ditësh pasi erdhi dhe iku si një hajdut. Nuk i kontaktoi qytetarët dhe nuk i pyeti për këtë investim prej 2 milionë eurosh, nëse u hynte në punë fermerëve dhe 30 mijë hektarëve tokë apo jo. Ky investim është një buzëkuq me tenderat e kësaj qeverie. Ky investim prej 2 milionë eurosh nuk e ka rritur asnjë centimetër performacën e këtij liqeni. Eshtë projektuar për të mbajtur 65 milionë metra kub ujë dhe diga nuk është ngritur asnjë centimeter”, tha Murrizi.

Ai shtoi se me më pak para, do të ishte bërë punë më e mirë.

“Me gjysmat e këtyre parave pastroheshin 2 mijë kilometra kanal që ka gjithë rrethi i Lushnjës. Me shumën e këtij investimi pastroheshin të gjitha kanalet e qarkut të Fierit. Nuk shohim që ky investim prej 2 milionë eurosh ti hyjë në punë fermerit myzeqar. Së pari, nuk është mirëmbajtur nga brenda dhe vijon të jetë i kripur. Nuk është rritur prurja e ujit. Edhe sikur të ketë ujë të përshtatshëm, pa kanale ku do të shkojë uji?! Kanalet kanë vite pa u pastruar. Në nuk jemi kundra investimeve por kur ne myzeqarët themi që kur fëmijët i ke zbardhur nuk mund tu bledh lodra për Vitin e Ri. Prioriteti i investimit duhet të shkojë atje ku i dhemb fermerit muzeqar. Para 3 ditësh erdhi kryeministri dhe më pas iku prap duke bërë një shou. Llamaritat e zbukurimit të inagurimit i mori uji. Eshtë investime abuziv”, tha Murrizi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 3 Mars 2016