Zonja deputete!
Zotërinj deputetë!

Zoti Kryetar!

Të nderuar qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë seancë!

Parlamenti i vendit, njohu javën që kaloi tronditjen e tij më të madhe në historinë e ekzistencës së tij si parlament pluralist. Parlamenti ka njohur dhe gjak në këto pllaka, ka njohur situata shumë të rënda por ju garantoj se ajo e javës së kaluar, ishte një situatë e cila mund të çonte vendin drejt një konflikti të hapur, të gjerë, dhe vështirësisht të mbyllshme. Provokimi më i ulët që ju i bëtë opozitës, duke sjellë vrasëit në parlament për të votuar për ministrat tuaj, është një akt i cili detyron çdo deputet të opozitës të mendojë për një zgjidhje finale dhe përfundimtare. Cila ëhtë ajo, është tjetër punë. Por akte të tilla, pas dy viteh debat kryesor krimin dhe dekriminalizimin, janë aktet më të shumtuara, në të cilën një mbështetës kryesor krimi që është Edi Rama me dy tre gjykatës, marrin përipër të zhysin vendin, qoftë dhe në konflikt të hapur civil, me mungesën totale të përgjegjësisë.

Ju po adaptoni doktrinën e krimit të dobishëm, kurse ne krimin e konsiderojmë të shëmtuar. Bazuar në doktrinën e krimit të dobishëm ju lejoni këtu vrasës dhe mbani në burg viktima, ju sillni vrasës në parlament për ti thënë opozitës se ne këtu i kemi. Dhe ju mendoni se në këtë mënyrë do fitoni betejën. Jo gabim shumë. Po ju them që ju në këtë mënyrë shkatërroni parlamentin, por betejë nuk fitoni. Betejat s’fitohen kurrë në këtë mënyrë! Ajo që fitohet është shkatërrimi parlamentit. Të njëjtin qëndrim ju mbani ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë ju them ju zoti kryetar, se ai qëndrim është puç i shtetit brenda shtetit, në politologji ajo quhet “grusht shteti brenda shtetit”. Kur një institucion i merr pushtetin një institucioni tjetër, ky është grusht shteti brenda shtetit. Eshtë e tmerrshme kur parlamenti i merr pushtetin një institucioni, që është presupozuar të jetë themelor për një shtet ligjor, që është Gjykata Kushtetuese. Dhe ju duke marrë pushtetin për hir të Koços, të Valit, apo tjetrit, ju asgjesoni faktikisht Republikën, e cila është ndërtuar mbi një bazë ndarjesh pushtetesh. Ndërsa ju merrni gjithshka për hir të Koços, për hir të Valit, për hir të Rakipit, për hir të Sadriut, etj me radhë.

U ndala këtu se, ju në këtë mënyrë dëshmoni se këtu parlamenti nuk mund të ekzistojë pa de-kusarizimin e tij, ju dëshmoni se de-kusarizimi i parlamentit është po kaq jetik dhe më thellë jetik se sa dekriminalizimi. Ju dëshmoni se ju keni një vullnet të sëmurë për ta përdorur atë mandat për të vjedhur, rrjepur pasuritë e shqiptarëve. Po atëherë çfarë kemi ne ketu, çfarë na lidh ne me këtë parlament? Se ne opozitë jemi, këtë detyrë kemi ne, se ne vetëm pushtet moral kemi. Ju edhe një të drejtë kushtetuese që ka opozita në këtë vend ja merrni, nenin 77 të Kushtetutës ju e bëni abolicion, e hiqni, s’ekziston. Ju faktikisht në këtë mënyrë asgjesoni Kushtetutën, edhe me veprime, edhe në gërmë. Asgjesoni opozitën, e cila të gjithë fuqinë reale në këtë parlament e ka në atë nen.

Pra, unë gjykoj se parlamenti është, dhe ja u them me keqardhjen më të madhe këtë sepse unë jam njëri që e dua parlamentin, por ai është absolutisht buzë katastrofës dhe dezintegrimit. Dhe ka mënyra shumë të thjeshta për ta dezintegruar parlamentin.

Unë ju them se është ditë e zezë për Shqipërinë nëse dezintegrohet parlamenti. Por parlamenti nuk mund të ekzistojë kur ju sillni njerëz që sapo kanë vrarë, sapo  plagosur, dhe i ulni këtu karshi nesh. Parlamenti nuk mund të ekzistojë kur kusarët e shtetit rrëzojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk pyesin për asnjë nen. Por ju duhet të dini një fgjë, se në vendet demokratike, kudo ekziston një ligj i konfliktit të interesit, që nuk lejon mandatmbajtësit, pushtetmbajtësit, familjarët e tyre, njerëzit e tyre të plaçkisin pronën publike. Kurse këtu kjo është bërë ligj.

Atëherë, ose ju do pranoni procesin e de-kusarizimit, ose ne, në mënyrë absolute, nuk e gjejmë më veten në këtë parlament, sepse kështu ne nuk mund të rrimë. E kam thënë dje në mbledhje të grupit parlamentar. Ju mund t’ju duket çudi por e thashë se, më duket vetja si në ‘91, kur kaloja tek rruga e Kavajës kur shkoja tek selia PD, dhe shihja shtatoren e diktatorit dhe i thoja bashkpunëtorëve të mi që ne vetëm opozitë nuk jemi, çfarë opozite jemi ne këtu që ne kalojmë përbri tij. Çfarë opozite jemi ne kur ulemi këtu me njerëz që i kanë duart me gjak, të freskët. Çfarë opozite jemi ne këtu kur ulemi këtu me pushtetarë, të cilët përdorin mandatin, votën për të vjedhur dhe për t’u pasuruar? farë opozite jemi ne këtu kur Koço bllokon nëpërmjet sivllaut të tij botimin e gazetës zyrtare, çfarë opozite jemi ne?

Se ne duhet t’ja u shtrojmë këto pyetje vetes, ne kaq kemi pushtet, vendimet i merrni ju. Pushteti ynë është vetëm ky, pushtet moral, merr vendime mbi bazën e ligjeve dhe sigurisht, kur ato janë të bazuara në ligje, dëgjohen. Unë ju them edhe një herë, është koha e fundit të reflektoni, para se parlamenti të shkojë drejt dezintegrimit të plotë!


Fjalimi në Kuvend i ish kryeministrit Sali Berisha, 3 Mars 2016