Olli dhe Peliku dorëzojnë kallëzimin në Prokurori. Veliaj ka kryer: “Shpërdorim detyre”, “Mosmarrje e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”,“Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”

Partia Demokratike dorëzoi sot në Prokurori një kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj, “Shpërdorim detyre” “Mosmarrje e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”,“Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, të gjitha këto në lidhje me dhënien me koncesion të parkingut tek parku Rinia, mikut dhe klientit Besnik Sula.

Kryetarja e Departamentit Anti-korrupsion në PD, Lealba Pelinku dhe kreu i listës së këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, evidentuan për mediat shkeljet me këtë praktikë dhe kërkuan që prokuroria të hetojë me shpejtësi.

“Sapo depozituam kallëzimin penal ndaj kryetarit të bashkisë Tiranë, z. Veliaj. Z. Velaj në serinë rekord të shkeljes së ligjit në pak muaj të ushtrimit të funksionit ka bërë të njëjtën gjë edhe për procedurën për dhënien me koncesion të parkimit nëntokësor tek parku “Rinia”. Kjo proçedurë e filluar në vitin 2008 nga eprori i tij me qëllime të pastra klienteliste dhe korruptive, vazhdoi pas 7 vjetësh dhe u përmbyll brenda disa ditëve në shkelje të plotë të ligjit nga z. Veliaj. Ai zbatoi ligjin  e gabuar në mënyrë që të shmangte ato hallka proceduriuale të detyrueshme siç ishte negociimi me operatorin e renditur i pari, “Shoqëria Tajva SH.P.K”, shmangu dhënien e miratimit me shkrim, të detyrueshëm, nga ana e njësisë së trajtimit të koncesioneve “Atrako” dhe hallvën e pjekur ia dërgoi Këshillit Bashkiak për të marrë vendim në lidhje me miratimin e kushteve të kontratës koncensionare. Në të njëjtën ditë që z.Veliaj i kërkon kinse miratimin për të vijuar apo jo procedurën e para shtatë viteve me shoqërinë “Tajvan SH.P.K”, në të njëjtën ditë i paraqet Këshillit Bashkiak për miratim kushtet kontraktore të kontratës koncensionare. Në maratonën e vendimeve të paligjshme të 30 dhjetorit Këshilli Bashkiak i vuri kapakun paligjshmërisë së kësaj procedure”, tha Pelinku.

Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashki, Leonard Olli, tha se Veliaj e ka kthyer paligjshmërinë në mormë.

“Ka mungesë totale të transparencës dhe informacionit të të vepruarit në një bunkerizim të plotë të Bashkisë së Tiranës. Sikundër jeni edhe ju në dijeni pavarësisht kërkesave të vijueshme me shkrim z.Velaj në mënyrë permanente refuzon të përgjigjet dhe të përmbushë një detyrim minimal ligjor sikundër është ai për pushtetin vendor, për të njoftuar këshilltarët në çdo kohë për gjithçka. Më lejoni t’u kujtoj që në datën 20 tetor në emër të këshilltarëve i kemi kërkuar z.Veliaj transparencë dhe informacion mbi të famshmin Master – Plan, paligjshmëria e të cilit po shfaqet sot tek ndërtimi i paligjshëm tek Liqeni Artificial. Për më tepër, i trembur nga bëmat e tij dhe në pamundësi për t’u ballafaquar me publikun e me shqiptarët, ata që e kanë votuar, dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak, prej më shumë se 2 muajsh shmang mbledhjen e KB, kur ju e dini shumë që është detyrim ligjor që të paktën Këshilli Bashkiak thirret një herë në muaj. Nuk po informohet opinioni publik si një e detyrim kushtetues që institucionet publike kanë. Tashmë z.Velaj për fat të keq është i kapur nga aferat korruptive sikundër është afera më e madhe e ndërhyrjes në paligjshmëri të plotë tek Liqeni Artificial, tek dhënia me koncesion e Parkingut. Në mungesë të plotë të informimit dhe dokumentacionit zyrtar, çka do të përbëjë edhe një tjetër padi penale për z.Veliaj për shpërdorim detyre, sepse jemi në kushtet e shpërdorimit të detyrës, ne jemi përpjekur që të sigurojmë informacionin e nevojshëm për të patur një kallëzim penal konform parametrave që kërkon ligji.  Paligjshmëria dhe antikushtetueshmëria janë thjesht dhe vetëm forma e preferuar e punës së z.Veliaj”, tha Olli.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 7 mars 2016