Vajzat dhe nënat e Tropojës kërkojnë mbështetje. Deputetet Hajdarmata dhe Kopliku shprehen për stimulimin e grave të kësaj zone që kanë shumë talente dhe energji

Deputetet e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj dhe Irma Kopliku zhvilluan një takim me nënat dhe vajzat e Tropojës në atmosferën e ditëve të 7-8 Marsit, ku u ngrit shqetësimi i varfërisë, papunësisë, si penalizim i vazhdueshëm për gratë në këtë zonë.

Deputetja Hajdarmataj tha se sot nënat dhe vajzat ndiejnë pasojat më të rënda të krizës ekonomike, papunësisë dhe mungesës së mundësive për një jetë normale.

“Ne jemi një zonë me resurse të mëdha natyrore,  me gra dhe vajza të afta , por që nuk marrin asnjë mbështetje për të shfaqur vlerat e tyre. Sot biznesi është në krizë të madhe dhe nuk gjeneron vende pune , ndërsa vetë shteti nuk jep asnjë mbështetje për gratë në nevojë. Këtu në Tropojë dhe në të gjithë veriun nuk hapet një punishte fason apo agrobiznesi që të punësojë gra e vajza, por gjithçka mbetet manipulim qeveritar”, tha zonja Hajdarmataj.

Gratë  e opozitës në Parlament, tha deputetja e Tropojës,  janë dhe do të mbeten zëri i çdo gruaje dhe nënë shqiptare në vështirësi  dhe në nevojë. Beteja jonë tha ajo do të vazhdojë deri në ndryshimin e madh për të sjellë shpresën dhe buzëqeshjen e mohuar të nënave që përpiqen me vetëmohim për familjet e tyre.

Nëna e shtatë fëmijëve, Mire Hasandocaj tha se në këto kohë të vështira, nënat dhe gratë po mbijetojnë me përpjekje të mëdha. Ajo tha se të rejat nuk kanë shpresë dhe punë edhe pse kanë rezultate të larta në shkollë.

Deputetja e Shkodrës Irma Kopliku u shpreh se momenti më i vështirë i kësaj krize që po jetojnë më së shumti gratë dhe nënat, është emigrimi i fëmijëve dhe i të rinjve. Prandaj ne grate, tha ajo, duhet të mbështesim njëra tjetrën për  të përcjellë  shpresën tek familjet tona, se gjendja do të ndryshojë dhe se programi i PD do të sjellë ringritjen e vendit.

Gjatë takimit shumë  vajza dhe gra ngritën problemin e papunësisë dhe të mungesës së mbështetjes sociale për gratë në nevojë.

Më tej takimi vijoi me ekspozimin e produkteve artizanale të traditës në qëndisje, kulinari dhe veshje popullore, si dëshmi e aftësive dhe talentit të grave në zonat e Bajram Currit dhe Veriut në tërësi.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 8 Mars 2016

 

 

 ​