Të nderuar kryetare, kryetarë të zgjedhur!

Në këtë sallë bëhen shumë mbledhje, bëhen shumë takime dhe është mbushur shpeshherë me energji rinore dhe sa herë është mbushur me energji rinore ka shkëlqyer.

Sot kjo sallë shkëlqen dy herë dhe është dy herë më e bukur se çdo herë tjetër. E para sepse është rinia. E dyta sepse ju vini këtu si mbartës të vlerave më të kulluara europiane, vlerave të rinisë, vlerave të demokracisë që përfaqëson Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kjo është shtëpia e lirisë ku jeni sot të gjithë ju këtu.

Ndaj unë sot jam shumë i entuziazmuar dhe i emocionuar tek ju shoh të gjithëve bashkë këtu në përfundim të një procesi magjik, siç është magjike liria. Të një procesi dinjitoz dhe madhështor, siç është dinjitoze dhe madhështore demokracia.

Një procesi historik që i thotë sot demokratëve dhe nesër shqiptarëve: ka shpresë, ka besim për Shqipërinë europiane!

Dhe kjo vjen jo vetëm duke folur, jo vetëm duke besuar, por duke luftuar për Shqipërinë europiane! Dhe të votohesh dhe të votosh me parimin “një anëtar-një votë”; të konkurosh e të konkurohesh, të fitosh e të ndahesh qoftë edhe me një votë, kjo është të luftosh për Shqipërinë europiane. Është të mos kesh frikë por të përqafosh vlerat që sjell konkurrenca. Është të kesh vizion se vetëm konkurrenca nxjerr më të mirat vlera në pah, që nuk ndan por bashkon ata që besojnë në këto vlera dhe që sot janë të rinjtë e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Jam shumë krenar me ju të dashur të reja dhe të rinj. Ma keni mbushur zemrën sot mua e çdo demokrati me besim të patundur! Edhe pse u rindeshëm në këto dy vite e gjysëm opozitë me këtë qeveri represive, oligarkike, mafioze dhe tërësisht antieuropiane lufta për votën e lirë,lufta dhe përpjekja për zgjedhjet e lira ju nderon po kaq shumë sa përplasja, fitorja dhe përballja me kundërshtarin politik.

Kjo është rruga jonë! Le ta marrin vesh i madh dhe i vogël, le ta marrin vesh miqtë dhe kundërshtarët tanë: Vota, vota dhe vetëm vota, kjo është rruga e demokratëve. Për këtë u ngritën dhe luftuan syudentet nën lidershipin e tribunit të demokracisë Azem Hajdarin. Për këtë luftojnë sot demokratë e demokrate anembanë Shqipërisë. Ne rrezatojmë vlerën europiane të lirisë. Ne rrezatojmë, ju rrezatoni vlerën europiane të demokracisë. Dhe në fakt e për fat të keq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për fat shumë të keq të demokratëve e socialistëve, të kundërshtarëve tanë, ne jemi e vetmja forcë politike që rrezaton Europë, rrezaton Amerikë, rrezaton demokraci.

Dhe pse ? Sepse kundërshtari ynë politik i është futur një rruge pa krye. Një rruge që e dimë shumë mirë se ku e çoi Shqipërinë për 50 vite me radhë. Frika, frika nga ballafaqimi me gjykimin e lirë të popullit e çoi tek prishja e zgjedhjeve. Frika nga ballafaqimi me opinionin e lirë publik e çoi tek inkriminimi i partisë. Frika, mosbesimi tek vota e lirë, përpjekja për ta blerë e shantazhuar atë e ka çuar në skemën më të madhe korruptive që Shqipëria ka njohur në këto 25 vite ku vetëm në një vit i vodhën shqiptarëve 1/3 e buxhetit të shtetit. Para që i marrin me lopatë dhe pastaj mendojnë se me lugë kafeje mund ti përdorin për të blerë atë që nuk e meritojnë e nuk do ta marrin: votën e lirë të shqiptarëve.

Mashtrim, propagandë, gënjeshtra që tani duket se ia kanë shpërlarë edhe vetë trurin e tij. A e patë sot të deklaronte pa pikë turpi para shqiptarëve dhe para socialistëve që e tregojnë si fajtorin nr 1, si kryefajtorin për sjelljen e kriminelëve në gjirin e partisë së tij tek deklaronte: “ku ka kriminelë, nuk ka inkriminim, ku janë 19 kriminelët?”. Po vallë ata që i ka prapa hekurave sot a nuk ishin deputetët që ky i solli në parlamentin shqiptar për të gjakosur, dhunuar, kërcënuar fjalën e lirë dhe opozitën?! Po Koçon me shokë që merr miliona euro të taksapaguesve shqiptarëe pasurohet ndërkohë që populli varfërohet?! Çfarë e quan?! Profesor?! Specialist?! A nuk është krim të vjedhësh e të abuzosh me pasuritë e një populli që po merr arratinë nga sytë këmbët për shkak të mjerimit të ulur këmbëkryq?! 19, 25, 15? Po 5 i kanë dalë. Me 5 quhet apo jo?! Por të tjerë do ti dalin e i kanë dalë.

Problem të madh e ka këtë listën e Lezhës. Spse kështu mendoi ti poshtëronte malsorët, mërditorët dhe lezhjanët. Duke renditur kriminel pas krimineli. E dini pse nuk e heq dot Prengën apo jo?! Se tjetri që vjen pas Prengës është në burg. Dhe ka guximin të mashtrojë dhe të tallet me arritjen më të madhe për shqiptarët sot që e përshëndeti i madh e i vogël, e përshëndeti Europa dhe e përshëndeti këtu në mes të Tiranës Xhon Kerri në emër të SHBA-ve që është vepër e kulluar e demokratëve: dekriminalizimin e politikës shqiptare. Betejë e fituar nga demokratët e në veçanti nga rinia.

Po çfarë ti thuash këtij që edhe zgjedhjet në parti po i bën siç i bënte Enver Hoxha përpara. E dëgjuat çfarë tha sot?! Do bëjmë referendum për mua. Edhe atëhere kështu ishte. Kishte votime por me një kandidat. Referendumi ishte me 99.9 %.

Shikoni sa qesharak dhe i dëshpëruar është. Të dhënat e Bashkimit Europian thotë se 100 mijë shqiptarë janë larguar vitin e kaluar dhe kanë kërkuar azil në Gjermani dhe në vendet e tjera. Pjesa dërmuese prej të cilëve janë të rinj shqiptarë. Të dhënat e Departamentit të Shtetit thonë se 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për tu larguar, kanë hedhur një hap aktiv për tu larguar. Bashkë bëjbë 300 mijë, më shumë se 11 % , 12 % e popullsisë rezidente të Shqipërisë që kanë ikur apo kanë marrë hap aktiv për të ikur. Por ky thotë jo, nuk kanë ikur. Duan të vijnë në Partinë Socialiste…

70 % e shqiptarëve për fatin tonë të keq janë përgjigjur po, kur janë pyetur në sondazhe se po të kishin një mundësi a do të largoheshin nga Shqipëria. Por jo thotë ky, duan të vijnë në Partinë Socialiste…

Të qeshësh apo të qash me një kryeministër, me një palo kryeministër që flet me shqiptarët ashtu siç i mendon. I mendon si dele ndaj ka qef ti numërojë si dele që vijnë kokëulur në partinë e tij. Por kjo nuk është e vërteta. Ju e dini, unë e di, shqiptarët e dinë e po na e thonë ditë për ditë.

Dje isha në Berat. Para dy ditësh isha në Krujë dhe anembanë Shqipërisë ku kam shkuar dhe po shkoj shoh që jo vetëm nuk ka e nuk mund të ketë konformim e ulje koke si dele para Edi Ramës por ka revolte, ka zemëratë. Ka lëngatë, ka vuajtje, ka dhimbje por nuk ka kokulje. Ka dëshirë për ngritje për përballje, për rezistence, për protestë dhe përmbysje të këtij regjimi të korruptuar.

Ka një pyetje kudo që shkoj. Është një pyetje legjitime e shqiptarëve të lodhur e të stërlodhur nga politika e gënjeshtrës, e propogandës dy orë në ditë me regji qendrore të Edi Ramës. A mos do na zhgënjeni edhe ju?! A mund të kemi besim tek ju?! A mund të kemi shpresë tek ju?!

Dhe përgjigja nuk mund të vijë as në një orë dhe as në një ditë. Por ajo do të vijë ditë pas dite dhe një pjesë e rëndësishme e përgjigjes ndodhet këtu sonte në këtë sallë ku shqiptarët shohin shpresën për nesër, besimin për nesër, tek bijtë dhe bijat më të mirë. Demokrate dhe demokratë të cilët i kanë thënë dhe i thonë jo dogmave, jo trushpërlarjes, jo propagandës! Të cilët kanë vendosur e kanë marrë një vendim të madh: të ecim si europianë të vërtetë me besim të madh tek liria, me besim të madh tek demokracia, me besim të madh tek vota në shtëpinë tonë sot dhe vota e shenjtë e çdo shqiptari nesër për të marrë të gjitha vendimet e duhura.

Edhe unë kam marrë një vendim dhe e ruajta për tua komunikuar ju e përmes ju të gjithë të rinjve demokratë anembanë Shqipërisë. Atyre që u dhanë bukuri kësja gare të mrekullueshme me votën e tyre, atyre që me të drejtë kërkojnë përfaqësim më të madh në vendimarrjen e kësaj partie, e kësaj shtëpie të lirisë dhe çdo të riu e çdo të reje shqiptare por edhe prindërve të tyre u them sot se unë kam vendosur ti propozoj Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike adoptimin e kuotës së përfaqësimit të të rinjve prej 35 % në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Tani e thashë pak si gjë të madhe por nuk u kam dhënë më shumë seç u takon. Po tu kisha dhënë 50 % edhe mund ta meritoja kete duartrokitje.

Kam vetëm një kusht dhe besoj se është kushti i gjithsecilit prej jush këtu. Nuk do ti caktojmë. Do ti zgjedhim me debat dhe primare si republikanët e demokratët në Amerikë e do ti japim Shqipërisë një tjetër leksion demokracie.

Karvani i mjerë i Edi Ramës është nisur për në stepat e Orientit. E pret Orienti, jo ai Orienyi romantik dhe i magjishem per te cilin flet letrrsia, por ai politik i dallkaukëve, i allishverisheve, i palaçove, i abuzimeve, i gangsterëve.

Uroj dhe shpresoj, jo vetëm për të mirën e socialistëve shqiptarë por për të mirën e këtij vendi që këtë karvan të kenë forcë ta kthejnë nga perëndimi e jo nga linja për nga është nisur. Por nëj gjë të jetë e sigurtë. Pavarësisht se ku shkon karvani i tij me qentë që i lehin, me macet që i mjaullinë apo që i kuisin, ne jemi të vendosur ta çojmë anijen e Shqipërisë në drejtim të perëndimit dhe vlerave perëndimore. Dhe do ta bëjmë.

Duke i dhënë Shqipërisë përmes rinisë demokrate garën më të pastër dhe të parën garë primare në Shqipëri, në Ballkan dhe në dijeninë time, në Europë që do të përcaktojë 35 % të kandidatëve të ardhshëm nga radhët e rinisë për Parlamentin shqiptar.

Ju dhe ata që do tu ndjekin në këtë rrugë do të kenë rregulla të qarta loje, akses dhe mundësi të barabarta për tu shprehur e për ti treguar të rinjve, anëtarëve të partisë tonë, votuesve tanë e kujdo tjetër që do të shprehet me votë të lirë e të fshehtë për kandidatët tanë në të ardhmen, se çfarë dhe si e shihni të ardhmen. Se çfarë doni dhe duam të bëjmë për problemet e mëdha të rinisë, papunësinë, arsimin që është katandisur në një gjendje të lepeditshme.

Universiteteve të cilave u ka vënë drynin e rëndë të korrupsionit klientelist e për të cilin ne do të veprojmë shpejt dhe fort duke anuluar ligjin e duke vendosur askënd tjetër përveç studentit në qendër të skemës tonë të mbështetjes së arsimit të lartë, këto e shumë çështje të tjera, por me prioritet punësimin, arsimin e probleme të tjera të mëdha të këtij vendi do të jenë padyshim pjesë e debatit edhe më të fortë, edhe më të bukur që do te zhvilloni për të zgjedhur kandidatët tuaj, kandidatët tanë, kandidatët e mi për tu përballur me alternativën e së keqes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Por deri atëhere, derisa kjo garë e bukur dhe e paprecedentë të nisë me rregulla të qarta loje dhe standarde euro-amerikane, deri atëhere na pret një detyrë e vështirë. Përballja me të keqen është detyrë e përditshme dhe këtu nuk mjafton të besojmë, nuk mjafton të urojmë por siç e dini ju dhe më të mirët e më të fortët mes nesh: duhet të luftojmë.

Le ta dëgjojnë edhe njëherë shqiptarët sonte nga kjo sallë, e nesër nga çdo shesh e çdo rrugë e Shqipërisë se rinia demokrate është gati.


Fjala e kryetarit të Partise Demokratike, Lulzim Basha në takimin me drejtuesit e rinj të FRPD, 9 Mars 2016