Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi axhendën e vizitës së tij në Kosovë me takime me drejtues të​ partive opozitare, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, kryetarin e Vetëvendosjes Visar Ymeri dhe kryetarin e Nismës për Kosovën Fatmir Limajn. Në të gjitha takimet me kryetaret e partive opozitare, zoti Basha ka përcjellë mesazhin e perzgjedhjes së rrugëve dhe mjeteve te duhura te aksionit opozitar në mënyrë që të mos kercenohen arritjet e deritanishme, dhe t’i shërbehet konsolidimit të shtetit të Kosovës.

“Duke çmuar sfidat e Kosovës si një mundësi ku gjithsecili të japë kontributin e vet për t’i tejkaluar ato, uroj dhe shpresoj që te punohet per ti bashkuar vullnetet për qëllime të përbashkëta e të zgjidhen rrugët më pa kosto në mënyrë që të mos dëmtohet por t’i shërbehet konsolidimit të shtetit të Kosovës. T’i shërbehet njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës, integrimit europian dhe euroatlantik të Kosovës si interes themelor kombëtar. Pa lënë mënjanë detyrat e opozitës që kanë të bëjnë me vënien para përgjegjësisë së qeverisjes, ky është një rregull i artë i demokracisë dhe prioritetet kryesore që i kemi të përbashkëta në Tiranë dhe në Prishtinë, – në masa të ndryshme e kontekste të ndryshme – luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit, luftës kundër varfërisë dhe përpjekjes për zhvillim ekonomik dhe punësim, e shpresë për gjithë qytetarët tanë,” -u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me kryetarin e AAK-së.

Ramush Haradinaj ka ndarë të njëjtin qëndrim me zotin Basha, për një aksion opozitar që nuk dëmton arritjet e Kosovës por i çon ato më përpara.

Haradinaj: “Për ne është e mirë se ardhur, një kujdes, një interesim për gjendjen në Kosovë nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Parti opozitare dhe një parti që me përgjegjësi të madhe ka ushtruar funksione e përgjegjësi në shtetin shqiptar por edhe në interesimin për Kosovën. Edhe shqetesimi që të mos dëmtojmë të arriturat e deritanishme në Kosovë është real është i të gjithëve ne. Ne e kuptojmë që i tillë është ndjenja e mirë, ndjenja vëllazërore. Por opozitë që shkojmë përpara duke ndërtuar. Ne mirëpresim një interesim të tillë për diçka që të gjithë ne kemi interes.”

Në takimin me kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymeri zoti Basha ka theksuar se çështja kombëtare është ylli polar i Partisë Demokratike.

Lulzim Basha: “Shpreh bindjen se në qëllimet që i bashkojnë forcat politike në Kosovë e Shqipëri e në veçanti në ato qëllime që kanë të bëjnë me interesin kombëtar, rrugët dhe mjetet e zgjedhura do të jenë të tilla që do t’i shërbejnë arritjes së këtyre qëllimeve, që të ndihmojmë konsolidimin  e mëtejshëm të vlerave të fituara në këto vite, siç është shteti i Kosovës, konsolidimi i të cilit është një interes esencial kombëtar për shqiptarët kudo që jetojnë, për Republikën e Shqipërisë dhe natyrisht për Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë duke ruajtur dhe duke mos dëmtuar arritjen e deritanishme të punojmë gjithsecili duke shfrytëzuar lirinë e pluralizmit dhe duke kontribuar përmes vlerave të veçanta që ai sjell në mozaikun e faktorëve politikë për t’i përmbushur këto interesa kombëtare si dhe për të shërbyer në mënyrë të përditshme atë për të cilën forcat politike ekzistojnë, interesin më të mirë të qytetarëve. Për përmirësimin e shanseve për ta, cilësinë e jetës për ta dhe garantimin e një të nesërme të sigurt dhe një ekonomie të fortë për Kosovën, për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo që ndodhen.”

Kryetari i Vetëvendosjes zoti Visar Ymeri tha se: “Patëm shansin që të këmbejmë idetë tona dhe përvojat tona në skenën politike e veçanërisht për bisedën që e patëm nevojën dhe domosdoshmërinë që Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të jenë dy shtete që i kontribuojnë një kombi që është kombi shqiptar dhe që bashkëpunimi mes dy shteteve të jetë bashkëpunim që zhduk barrierat dhe pengesat e komunikimit si ekonomik, arsimor dhe politik mes dy vendeve. Në mënyrë që potenciali i faktorizimit të shqiptarëve në rajon të bëhet realitetet dhe kështu që kjo e mirë që na sjell ky faktorizim dhe zhvillim ekonomik, të shërbejë për të përmirësuar jetën e qytetarëve në këto vende dhe gjithë shqiptarëve në rajon”.

I pyetur nga gazetarët për qëndrimin e Partisë Demokratike për bashkimin kombëtar, një kërkesë e Vetëvendosjes, zoti Basha u shpreh: “Çështja kombëtare ka qenë ylli polar i Partisë Demokratike që në minutën e parë të ekzistencës së saj. Çështja kombëtare vijon të mbetet ylli polar i Partisë Demokratike. Ne kemi mbështetur në të gjitha format dhe mënyrat, çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Partia Demokratike dhe Shqipëria ka një interes themelor në konsolidimin e shtetit të Kosovës si dhe në hedhjen e hapave të përbashkëta për integrimet gjithëkombëtare veçanërisht në fushën ekonomike dhe sektorë të ndryshëm në fusha ekonomike në mënyrë që shqiptarët dhe kombi shqiptar të ndihet sa më i papenguar, sa më i bashkuar pavarësisht ekzistencës së kufijve dhe domethënies dhe kontekstit të tyre konjuktural dhe historik.”

Pas takimit me kryetarin e Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, zoti Basha shprehu bindjen se liderët politike të Kosovës do te arrijnë të kapërcejnë përmes konsensusit sfidat që kanë përpara në interes të qytetarëve të Kosovës.

“Kam besim të madh se zoti Limaj së bashku me kolegët në opozitë dhe me faktorët e tjere politike do të dinë të marrin vendimet e duhurae ne lidhje me sfida jo të lehta që duhen kapërcyer përmes gjetjes së konsensusit  bazuar në interesin më të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Dhe për këtë Partia Demokratike dhe unë personalisht i japim atij mbështetjen e plotë”, tha Basha.

Gjatë vizitës në Kosovë, Basha u takua edhe me kryetarin e Partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Kryetari i Partisë Demokratike u prit në takime të veçanta edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti si dhe nga komandanti i KFOR Gjenerali Major Guglielmo Miglietta.

Homazhet në nderim të familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari mbyllen vizitën një ditore të kryetarit te Partisë Demokratike  në Kosovë.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 1o Mars 2016