Kryetari i Partisë Demokratike ka nisur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me takime me kongresmenë dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut. Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës, si zbatimi i reformës së dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi janë në qendër të axhendës së liderit të opozitës Lulzim Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u prit në Washington nga drejtuesit e lartë të Këshillit të Atlantikut. Në këtë takim të konceptuar si seancë degjimore, kreu i opozitës iu përgjigj interesit të Zv/Presidentëve të Këshillit të Atlantikut Damon Wilson dhe Fran Burwell, anëtarëve të bordit Ian Berzinski dhe Frank Kramer mbi situatën politike dhe zhvillimet në Shqipëri dhe rajon. E në veçanti mbi ecurinë e procesit të dekriminalizimit, luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, reformën në drejtësi dhe rolin e Shqipërisë në NATO, çështje të sigurisë, luftës kundër terrorizmit etj.
Kryetari i Partisë Demokratike e ka konsideruar të paprecedent për një vend demokratik dhe aq më tepër një vend anëtare të NATO-s që në Parlament të ulen njerëz me rekorde kriminale, të dënuar për trafik të qenieve njerëzore, trafik droge, plagosje me dashje, siç ka ndodhur në Shqipëri me bekimin e kryeministrit.
Zoti Basha theksoi se sot në Shqipëri ka një përballje jo mes socialistëve dhe demokratëve por mes shumicës dërrmuese të qytetarëve nga njëra anë dhe një grushti oligarkësh të cilët kanë futur në duart e tyre pasuritë publike, paratë e qytetarëve dhe janë të vetmit përfitues të tenderave dhe koncesioneve.
Shqipëria dhe shqiptarët janë sot para një sfide të madhe: Të largojnë të inkriminuarit nga politikbërja dhe administrata, të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të rikthejnë shpresën në vend. Këto sfida nuk janë të lehta, tha zoti Basha. Ky grup oligarkësh që kontrollon pasuritë e Shqipërisë do të kërkojë me çdo kusht të deformojë vullnetin e zgjedhësve, siç bëri në 2015-ën duke blerë vota, kërcënuar votuesit. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, tha zoti Basha është implementimi i ligjit të dekriminalizimit. Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe reforma në drejtësi janë prioritet i çdo shqiptari, përtej simpative partiake, tha zoti Basha. Të vetmit që nuk i duan janë oligarkët ne pushtet dhe për këtë zoti Basha ka kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-ve. Zv/Presidentja e Këshillit të Atlantikut Fran Burwell, theksoi se problematika të cilat i kishim konsideruar të tejkaluara janë rishfaqur duke kthyer pas standardet demokratike.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Këshilli i Atlantikut duhet të jetë i pranishëm në Shqipëri për të parë nga afër problematikën dhe për të ndihmuar në formulimin e zgjidhje të qarta dhe afatgjata që garantojnë siguri. Fokusi dhe ndihma e SHBA-ve për tejkalimin e sfidave të demokracisë shqiptare është imediate dhe e shumëpritur nga çdo qytetar që vuan situatën e rëndë ekonomike, mungesën e shtetit të së drejtës dhe sheh si zgjidhje vetëm largimin nga Shqipëria.
Zv/Presidenti i Këshillit të Atlantikut Damon Wilson e falënderoi zotin Basha për angazhimin e tij si ministër i Jashtëm dhe më pas i Brendshëm për bashkëpunimin me SHBA-të në çështje të rëndësishme për sigurinë globale.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u prit në Kongresin Amerikan nga Bashkëkryetari i Komitetit për Europën Eliot Engel, Gregory W Mwks, anëtar i Komitetit për Punët e Jashtme dhe Gus Billiraki, anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
Zoti Basha i ka njohur bashkëbiseduesit me situatën në Shqipëri dhe kërcënimin që po i bëhet demokracisë nga krimi, korrupsioni dhe promovimi në poste kyçe të administratës dhe në Parlament i personave me rekorde kriminale. Këta tre element janë përdorur, theksoi zoti Basha për të blerë vota dhe intimiduar votuesit në zgjedhjet e 2015-ës, të cilat janë konsideruar nga institucioni përgjegjës për certifikimin e standardit, si jo të lira dhe të ndershme. Për këtë arsye, tha zoti Basha beteja kryesore e çdo qytetari është përqendruar tek garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Përballë një mazhorance dhe një kryeministri që jo vetëm nuk ka vullnet t’i largojë personat me precedent kriminal por po i promovon në strukturat drejtuese të partisë, pasi në këtë mënyrë synon të manipulojë zgjedhjet e ardhshme. Ndihma e SHBA-ve e Kongresit Amerikan është jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë, theksoi kryetari i opozitës.
Kongresmenët amerikan shprehën mbështetjen e tyre për përkushtimin e opozitës për zgjedhje te lira dhe te ndershme dhe e garantuan për një vëmendje të shtuar të kongresit amerikan ndaj Shqipërisë, qytetareve shqiptare dhe sfidave me të cilat ajo po përballet.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Mars 2016