Një seri atentatesh dhe shpërthimesh me eksploziv kanë tronditur Tiranën, duke mbjellë terror e frikë e duke shtuar pasigurinë publike. Ky përkeqësim i rendit dhe i ligjit e ka kthyer kryeqytetin dhe vendin në ditën më të keqe të sundimit të bandave dhe kriminelëve.
Atentatet me armë e me eksploziv në mes të Tiranës vijnë në kohën e klimës së miqësisë dhe partneritetit që ekziston mes qeverisë, mes Edi Ramës e Saimir Tahirit me krimin.
Vetëm kjo e shpjegon lehtesinë me të cilën krimi hedh në erë me tritol dhe ekzekuton, në zemër të Tiranës, në një serial që përsëritet çdo ditë.
Vetëm në 12 orët e fundit: një shpërthim tritoli te Rruga 5 Maji ndaj një biznesi, nje atentat tek Komuna e Parisit ndaj një biznesmeni, një vrasje në zonën e ish bllokut. Ndërkohë që të dielën pati shpërthim me eksploziv te rruga e Kavajës dhe pranë stadiumit Qemal Stafa.
Valë e pahasur më parë e krimit, e rënies së rendit dhe sigurisë publike.
Qytetarët në Tiranë e mbarë vendin janë të shqetësuar. Vetëm Edi Rama jo, i cili ka prioritet luftën brenda partisë dhe tenderat e koncesionet për miqtë. I pashqetësuar nga kjo valë krimi është dhe Saimir Tahiri, i cili ka prioritet miqësinë e përfitimet prej krimit, dhe jo qytetarët e rendin publik.
Deklarata për mediat e kreut të Departamentit për Rendin, Enkelejd Alibeaj, 17 Mars 2017