Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma bashkëbisedoi me banorët e qytetit të Përmetit mbi situatën ekonomike dhe sociale të tyre. Pronarët e bizneseve të vogla dhe qytetarët shprehën dhimbjen e madhe për varfërinë e skajshme që ka mbërthyer qytetin turistik, kur xhirot e biznese kanë shkuar përtokë ndërsa banorët vuajnë mungesën e një pune të çfarëdoshme.
“Problemet janë të mëdha dhe presioni është i jashtëzakonshëm. Nga të gjitha anëtvarfëria është e skajshme dhe tatimet vijnë gjithë kohës. Po nëse tatimori të vjen e të sillet si xhandar, atëhere ka mbaruar çdo gjë. Vjen e të bëhet zot në vendin tënd. Të shqyen derën dhe të vë gjobë. Taksat po ashtu nuk vejnë aty ku duhet. Xhiroja gjysëm për gjysëm në mos ka rënë më shumë. Çtë them tjetër. Njerëzit kërkojnë gjysëm kilogrami oriz, apo gjysëm litri vaj. Është e dhimbshme. Sheh fëmijë që i tërheqin zvarrë, qan sepse nuk kanë ti blejnë një çokollatë”, u shpreh pronari i një ushqimore në Përmet.
“Kemi qënë burrë e grua në punë. Unë në polici e burri në Bordin e Kullimit. Na kanë hequr të dy nga puna pa asnjë motivacion edhe me shkollë të lartë e të trajtuar pa asnjë thyerje të disiplinës në punë. Kam hapur këtë dyqan tani por as 10 mijë lekë xhiro nuk bëj. Jemi në vështirësi të paparë”, u shpreh një grua tjetër nga qyteti.
Situata e vështirë ekonomike ndjehet së pari tek të rinjtë dhe tek të moshuarit. Frika dhe mungesa e shpresës mbizotëron sot tek të rinjtë.
“Kisha një aktivitet dhe e mbylla. Falimentova. Para një muaji më pushuan edhe nga puna. Punoja në spital. Ne këtu po vdesim dita ditës. Nuk po vuajmë, por po vdesim. Gjerat kanë shkuar shumë keq. Madje po të akohesh e të flasësh ne do kemi pasoja nga sot e tutje. Nuk e di për vende të tjera për këtu është kthyer në një diktaturë. Po fole të kërcënojnë. Po e them me bindje që gjerat po shkojnë keq në Përmet. Njerëzit kanë frikë të flasin. Madje deri aty sa njerëzit mendojnë marrëzira”, tha një i ri.
“Unë marr 8 mijë lekë ilaçe. Nuk më rimbursohet asgjë. Këto janë ilaçe që i blej nga xhepi vetë. Ato që na rimbursohet janë kashtë, nuk bëjnë as për kafshët. Jam pensionist me gruan bashkë. Nuk na i rritën pensionet, vetëm 1 mijë lekë. Çfarë mund të bësh me 1 mijë lëkë të vjetra?!”, u shpreh një pensionist.
Sekretarja Duma u shpreh se kjo situatë e vështirë është në katër anët e vendit ku njerëzit ngrysin ditët në vështirësi të madhe ekonomike, në mungesë të plotë përkrahje dhe shprese tek kjo qeveri. Duma tha se opozita dhe Partia Demokratike do bëjë më shumë të fitojë besimin e njerëzve si e vetmja alternativë për të rikthyer shpresën për punë dhe një jetë dinjitoze për shqiptarët.
“Këtu në Përmet Partia Demokratike ka mundur të fitojë besimin e qytetarëve dhe duhet ta justifikojë atë deri në fund. Por lufta me varfërinë është shumë më e madhe se sa kaq. Dhe sot jemi me të drejtë në situatë ku të thonë se çfarë mund të bëjë opozita. Opozita nuk është në pushtet por opozita do të mbrojë qytetarët me të gjitha mjetet e veta, nga fatura e energjisë, nga kempet që u hiqen qytetarëve, nga pensionet që shkojnë sot në Gjirokastër apo në Tiranë se këtu nuk marrin shërbim pasi zyrat e punës i largojnë si armiq. Në fakt varfëria i ka bërë shqiptarët armiq sepse nuk po japin dot përgjigjen kur ai të thotë se marr borxh kur kam krah pune, që thotë që dikur mbaheshim me një punë private por tani në duhet një punë në shtet që të mbajmë biznesin privat se shkojmë në minus. Kjo është situata. Skemi për të bërë ndonjëherë opozitë vetëm për opozitë por në fat duhet bërë shumë më tepër që njerëzit të ndjejnë që zëri i tyre po ushtron presionin e duhur, ashtu siç duhet të ndodhë në një vend normal demokratik”, tha Duma.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Mars 2016