Lulzim Basha reagon publikisht për insinuatat e Raës. Basha i njeh gratë e Elbasanit me planin ekonomik që krijon vende pune dhe i kthen shkollat në një shtëpi të dytë për fëmijet e tyre
Lulzim Basha ka sqaruar publikisht gjatë takimit në darkë në Elbasan, mbi tymnajat që po përpiqet të mbjellë Edi Rama tek njerëzit.
“Dredhia e fundit e republikës së vjetër është ideja që po mbjell në kokat e njerëzve se ekziston një mundësi bashkëjetese me Republikën e Re. E keni vënë re apo jo. Luli është çun i mire. Unë nuk jam çun i mire, në këtë garë, ku do të vendosin shqiptarët për të ardhmen e tyre, unë jam më i miri. Jo vetëm kaq, por Edi Rama nuk i lan dot zullumet dhe gjynahet në këto katër vite, braktisjen e premtimeve, gjendjen e mjeruar të ekonomisë, duke u fërkuar pas Republikës së Re, pas Partisë Demokratike, apo pas meje. Mbaje mend këtë që po të them. Ti të thuash nga mëngjesi në darkë që unë jam çun i mirë, elbasallinjtë dhe gjithë shqiptarët e dinë që jam çun i mirë, por nuk jam thjeshtë i mirë por jam më i miri në këtë garë, me planin më të mirë, me vendosmërinë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Dhe kjo nuk kalon nga bashkëjetesa me republikën e vjetër por nga mundja totale e republikës së vjetër me votën e bashkuar të shqiptarëve në datën 25 Qershor”, tha Lulzim Basha.
Me gratë dhe vajzat e Elbasanit, Lulzim Basha foli për programin ekonomik për të nxjerrë vendin nga kriza e në veçanti të ndihmojë gruan shqiptare. Basha tha se numri i divorceve është rritur dhe numri i vajzave që shkollohen ka rënë për shkak të krizës ekonomike. Ai u shpreh se programi i tij do të rrisë punësimin.
“Unë dhe Partia Demokratike vijmë me një plan ekonomik. Asnjë aspekt i këtij plani nuk është premtim elektoral por është pjesë e një tërësie masash që ka një qëllim; të ndezin motorrët e ekonomisë. Nuk kanë qëllim timon për Lul Bashën por motorrin e ekonomisë për gjithë shqiptarët dhe natyrisht për gratë dhe vajzat shqiptare. Ky është një plan ekonomik që ka vulat e ekspertëve më të njohur ekonomik të Gjermanisë. Një plan ekonomik që do funksionojë nëse vihet në funksionim. Unë e kam parë se si ka funksionuar plani i uljës së taksave, i stazheve për studentët, me subvencione për fermerët siç e bën gjithë Europa, i mbështetjes për biznesin e vogël, siç e pashë këtë javë që isha në Amerikë. Në qendër të vemendjes së Presidentit Trump, një nga biznesmenët më të suksesshëm të botës para se të bëhej president, ishte ulja e taksave, mbështetja e rinisë me stazhe pune, mbështetja e rinisë për të kryer studimet, mbështetja e biznesit të vogël. Sepse këto janë masat që japin rezultat. Me planin tim ekonomik, me uljen e TVSh-së, me taksën e sheshtë 9%, me zerimin e dividentit, me uljen e çmimit të naftës dhe çmimit të energjisë më në fund Shqipëria do të ketë një klimë konkuruese për brenda dhe jashtë. Kam takuar 3 ndër investitorët më të mëdhenj amerikanë në vetëm 3 ditë vizitë në Amerikë të cilët kanë shprehur interes për planin tim ekonomik të cilët do të vijnë pas 25 Qershorit në Tiranë. Janë miq të mi dhe të Presidentit Trump dhe do të jenë miqtë e ekonomisë dhe punësimit të shqiptarëve”, tha Basha.
Ai u shpreh se biznesi i vogël do paguajë më pak taksa dhe asnjë gjobë në Republikën e Re.
“Biznesi i vogël paguan tarifa dhe taksa vendore që kanë shkuar në qiell si taksa gjelbërimi, tabele madje edhe taksë për arsimin deri 7 herë më shumë. Paguan edhe gjoba. Ne do ti ndalojmë gjobat me pullat fiskale. Do vendosim kufirin 1.5% të xhiros vjetore sipas totalit të vetedeklarimit. Nëse taksidari terrorizon biznesin, do ta terrorizojmë ne me fuqinë e ligjit e do ta cojmë në burg”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se fëmijët shqiptarë do të kenë shkolla me kushte më të mira dhe me afat më të gjatë. “Shkollat për fëmijët duhet të jetë shtëpia e tyre e dytë. Ndaj plani im parashikon investime në të 1360 shkollat e Shqipërisë. Nuk do ketë më shkolla pa ngrohje, pa energji elektrike, me lagështirë. Tek të 1360 shkollat do të ofrohet dreka e paguar nga republika e re, nga kopshti deri në fund të maturës dhe pas drekës deri në orën 4 do kenë mundësi me stafin e rritur pedagogjik të ndjekin aktivitetet passhkollore që nga bërja e detyrave, mësimi i gjuhes tjetër të re, internet, sporti, arti”, tha Basha.