Projekti i Veliajt për parkun është tradhti ndaj qytetarëve dhe një shkelje e gjithanshme e ligjit sepse;

Nuk ka bërë ASNJE konsultim publik ashtu si e parashikon ligji.

Nuk ka një projekt përfundimtar por një projekt që ndryshon sipas rastit, kundër çdo parimi ligjor.

Nuk ka leje mjedisore e as studim mjedisor.

Genjeu kur tha qe s’do pritet asnjë pemë, sepse pemët u prenë.

Genjeu kur tha s’do ketë beton sepse 31 betoniera janë derdhur deri tani mu në zemër të parkut.

Gënjeu për lokalin, sepse lokali ishte tenderuar dhe ishte i publikuar në faqen publike të tenderave.

Mashtron njerëzit dhe veten nese mendon se shkarpat dhe fidanet 500 lekësh që mbjell poshtë e lart me 100 media nga mbrapa, do munden ta mbulojnë shkatërrimin me beton të mushkërisë së vetme të Tiranës.

Shkarpat dhe fidanet 500 lekesh as nuk i mbulojne dot dhe as nuk i zevendesojne dot pemet 60 vjeçare dhe natyrën që po masakron!

Shkarpat dhe fidanet 500 lekësh nuk do mbulojnë dot as pallatet që do ndërtohen tek garda e në anë të Universitetit. Sepse është pikërisht për t’i hapur rrugë pallateve brenda parkut që ky i ashtuquajtur “kënd lojerash” kale troje, po hedh beton ne zemër të Parkut të Liqenit.

I bëjmë thirrje të përsëritur prokurorisë, të veproje për denoncimet e njëpasnjëshme që janë bërë për këtë cështje nga PD dhe nga qytetarët.

I bëjmë thirrje cdo institucioni përgjegjës që të mos bëhet pale në këtë mashtrim antiligjor dhe shkeje flagrante ligji nga të gjitha anët!

Rezistenca dhe beteja e qytetarëve të Tiranës për Parkun e tyre do të jetë edhe më e fortë dhe më e vendosur.

Duke nisur sot, pas pak orësh, në orën 11 ku do të bashkohemi për të mbrojtur mushkërinë e qytetit, për të mbrojtur pasurinë e qytetarëve.

I bejme thirrje cdo qytetari të Tiranës të bashkohet në luften ndaj kesaj padrejtesie, për femijet tanë, për veten tone, për të ardhmen tone!

Sa më shumë thellon paligjshmërinë e tij në Parkun e Liqenit, aq më shumë Erion Veliaj shton dhe dhunën ndaj qytetarëve të Tiranës që kanë dalë në mbrojtje të Pasurisë së tyre.

Partia Demokratike e dënon ashpër dhunën brutale ndaj protestuesve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, dy netë më parë, nga drejtuesit e policisë së Veliajt, dhe i siguron ata se do të mbajnë përgjegjësi për paligjshmërinë ku janë zhytur, për zbatimin e urdhrave politike të shefit të tyre, për mbrojtjen e betonit dhe jo të qytetarit!

Tirana është e qytetareve, jo e arrogancës së pushtetareve!


Deklarata per mediat e deputetit, Gerti Bogdani, 28 Mars 2016