Ne jemi sot para dëshmisë së një shteti inegzistent, të një shteti të padrejtësisë, i cili dënon, burgos, të pafajshëm që s’kanë të paguajnë energjinë elektrike, që duan të rregullojnë pullazin e shtëpisë, por ndërkohë vë me qindra forca policie në mbrojtje të atyre që po e shkelin ligjin hapur dhe përditë.

Duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët shqiptarë dhe këta policë që janë këtu, detyrimin e kanë përballë Kushtetutës dhe Kushtetuta u thotë qartazi se edhe policia edhe polici më i thjeshtë dhe jo vetëm shefat e tyre duhet të zbatojnë ligjin dhe jo urdhrat e paligjshëm, përndryshe do të përgjigjen një më një, kokë më kokë për shkeljet e ligjit, atëherë kur Ligji të vendoset.

Sot e them edhe një herë, jemi para faktit që tregon se këtu nuk ka shtet, ka një shtet të padrejtësisë i cili dhunon qytetarët e tij në të gjitha format. Me një kryeministër i cili urdhëron dhunimin e qytetarëve të thjeshtë dhe mbron me shtet dhe me polici oligarkinë kriminale që po drejton sot këtë vend.

Ky është vetëm një shembull, e dëgjuat të gjithë kryetarin e bashkisë kur tha se këtu nuk do të hidhet asnjë metër beton, nuk do të pritet asnjë pemë, shihni sot se ç’po ndodh. Është rrethuar dhe po mbrohet betoni i Edi Ramës. Ky është akti më skandaloz që tregon se si shteti shkel ligjin me vetëdije të plotë dhe dhunon qytetarët e tij të cilët nuk guxojnë as të rregullojnë shtëpinë e tyre sepse përfundojnë burgjeve. Ndërkohë, që kryeministri i pari, kryetari i Bashkisë i dyti, duhej të ishin sot përpara Prokurorisë për këtë shkelje të rëndë. Askush nuk përgjigjet për shkeljen e ligjit, kur këtë e bën Edi Rama dhe Erion Veliaj, përkundrazi vihet represioni shtetëror kundër qytetarëve të cilët kërkojnë të mbrojnë të drejtat e tyre. Edhe një herë i them këtyre policëve të cilët janë aty në mbrojtje të krimit dhe nuk janë në mbrojtje të ligjit, sot janë në mbrojtje të atyre që po shkelin ligjin, dhe do të përgjigjen një më një ata që japin urdhër edhe këta vetë. Qytetarët kërkojnë të drejtë  e tyre dhe nuk mund ti ndalojë askush. Ne jemi këtu në mbështetje të shoqërisë civile, qytetarëve, që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre, dhe absolutisht do të jemi në çdo rast, jo vetëm si deputetë të Partisë Demokratike, si opozitë, në mbështetje të çdo akti që mbron interesat e qytetarëve. Ata që dalin kundër interesave, të jeni të bindur që në mos sot nesër do të mbajnë përgjegjësi, një më një.

Protesta vazhdon të jetë e shoqërisë civile, ne do t’i mbështesim. Ne nuk kemi skenar. Ne nuk shesim çdo akt që ata e quajnë të arsyeshme dhe logjike, por e rëndësishme është që jemi në krahun e ligjin, ata që keni përballë janë në mbrojtje të shkeljes së ligjit.


Prononcim i kryetarit të Grupit Parlamentar të PD në protestën që po mbahet tek Parku i Liqenit, 28 mars 2016