Edi Rama gënjeu sot Europën dhe përfaqësuesin e saj të lartë sy për sy, kur tha se do të kërkojë interpretim në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me mandatet e deputetëve të tij, të kapur në shkelje të ligjit themelor.

Ky është një mashtrim i turpshëm sepse vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ai refuzon ta zbatojë është interpretimi i qartë dhe detyrues i Kushtetutës.

Të kërkosh interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është përqeshje, tallje dhe dhunim i hapur i detyrimit kushtetues për ta zbatuar atë.

Ja cfarë thotë Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj që Rama refuzon ta zbatojë:

“30. Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar…. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese…Vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.

  1. …Nëse do të pranohej një pushtet i tille i Kuvendit, (pra KM te refuzonte dorezimin e deputeteve te vet para drejtesise), atehere parashikimi kushtetutes do te zhvishej  nga qellimi i tij, cka do te perbente ABUZIM ME PUSHTETIN E SHUMICES dhe do te ishte ne kundershtim me parimin e ndarjes dhe balancimit te pushteteve.
  2. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen.

“Dispozitivi: Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.”

Gjykata Kushtetuese ka vendosur qartë. Me vendimin e saj, ajo thotë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë dhe jo Parlamenti.

Ky vendim detyron parlamentin që ti dërgojë rastet e oligarkëve-deputetë të Ramës, të kapur në shkelje të Kushtetuës, duke përfituar fonde publike e koncesione, në Gjykatën Kushtetuese, dhe vetëm ajo vendos më pas për mandatet e tyre.

Por Edi Rama zgjodhi edhe sot të mbronjë oligarkët e tij, të mbrojë abuzimin, vjedhjen e parave të shqiptarëve, dhe të dhunojë Kushtetutën, gjykatën, shtetin ligjor.

Me mashtrimin e sotëm para Europës e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian, Edi Rama thelloi paligjshmërinë e tij duke pohuar publikisht se ai qëndron mbi ligjin, mbi kushtetutën, mbi gjykatat. Ai thelloi edhe më tej hendekun mes një populli të tërë në varfëri, papunësi, arrati dhe një grushti plackitësish të babëzitur që po pasurohen duke dhunuar Kushtetutën dhe ligjin.

Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për zbatimin e Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese si themele të stabilitetit dhe shtetit ligjor në Shqipëri.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, 30 mars 2016