Kemi rënë dakord të konsolidojmë qëndrimet tona për tre çështje kryesore: zgjedhje të lira dhe të ndershme, sistemi që të garantojë përfaqësimin e shqiptarëve dhe platforma opozitare me taksa të ulëta, garantimin e pronës private, garantimin e lirisësi rrugët për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike drejt një ekonomike të fortë me një të ardhme të sigurtë.
Procesin zgjedhor, zgjedhjet e lira dhe të ndershme që janë prioriteti i parë dhe më i rëndësishmi i Shqipërisë.
Mundësia e qytetarëve për t’u shprehur me votën e tyre për keqqeverisjen, regjimin oligarkik dhe kriminal që është përgjegjës për shpunësimin masiv të tyre, për varfërinë, për eksodin masiv janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë po kështu mundësia për të zgjedhur midis programeve dhe për të nxjerrë vendin nga kriza. Ndaj e gjithë vëmendja e opozitës e gjithë vëmendja e koalicionit opozitar përqendrohet tek ky prioritet i prioriteteve : Garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Platforma opozitare, strategjia jonë e cila po rakordohet me të gjithë partitë politike pjesëmarrëse në këtë tryezë e do të rakordohet edhe me parti të tjera politike që kanë shprehur interesin ti bashkëngjiten tryezës, parashikon: 1. garantimin e votës së lirë, 2. garantimin e numërimit të votës. Për këto të dyja ka një sërë opsionesh ku nuk përjashtohet mundësia për votimin elektronik, numërimi elektronik i cili është tashmë një realitet ligjor që duhet respektuar që në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo kërkon përgatitje. 3. Çështja e financimit të partive, që do të thotë kriminalizim i donacioneve private, financim i drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Por jemi të hapur të diskutojmë çdo alternativë tjetër që pamundëson miliardat e korrupsionit qeveritar të derdhen me lugë kafeje për të blerë votën e për të ushtruar presion mbi votuesit. E padyshim 4. zbatimi deri në një i ligjit të dekriminalizimit dhe 5. garantimi i lirisë së medias.
Këto janë 5 shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet propozimi ynë, propozim i cili do të marrë formë finale pas diskutimit të kësaj platforme nga të gjithë partitë e koalicionit opozitar.
Çështja e dytë ka të bëjë me sistemin, ku partitë dhe kryetarët e partive opozitare kanë diskutuar në një frymë të hapur për të gjitha opsionet që garantojnë përfaqësimin sa më të mirë të qytetarit shqiptarë në vendimmarrjen e nesërme parlamentare. Për t’i dhënë fund këtij hendeku të tmerrshëm midis realitetit të dhimbshëm të çdo shqiptari – 47% e të cilëve jetojne në nivel varfërie sipas Bankës Botërore – dhe një parlamenti të mbushur me të korruptuar, kriminelë, banditë që nuk përfaqësojnë asgjë përveç trilleve të kryetarit që i ka sjellë aty. Kjo mbetet pjesë e dialogut – sepse jo gjithçka mund ta vendosë në mënyrë të njëanshme koalicioni ynë – por për të cilin do të mbështetemi në përvojat më të mira duke përfshirë edhe zgjerimin e kontrollit parlamentar mbi qeverisjen, edhe sistemin ”bikameral”.
Pra janë një sërë opsionesh të cilat jemi të përgatitur t’i diskutojmë me mirëbesim. Por mirëbesimi mund të ekzistojë vetëm nëse garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, kjo do t’i paraprijë diskutimeve për sistemin. Të gjitha opsionet që mundësojnë një përfaqësim qytetarit shqiptar në parlament. Që qytetari ta dijë se kush është deputeti apo deputetja që e përfaqëson dhe deputeti apo deputetja në Parlament ta dijë se kë qytetar përfaqëson. Pra mbushjen e këtij hendeku të tmerrshëm antidemokratik të krijuar si rezultat, kryesisht të inkriminimit të elitës së deputetëve dhe i kusarizimit të profesionit të deputetit, që ka qenë edhe beteja jonë e fundit dhe në vazhdim për çështjen e mandatit të atyre që abuzojnë me pushtetin për të përfituar materialisht.
Së treti, kemi diskutuar për çështjen e platformës opozitare, propozimin tonë për t’i dhënë shqiptarëve një ekonomi që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët. Dhe jo një ekonomi të dobët, një të sotme dhe të nesërme të pasigurt për hir të një grushti oligarkësh që rrëmbejnë miliardat e buxhetit të shtetit. Që kanë shndërruar shëndetësinë përmes kryehajdutit dhe kriminelit të luftës Ilir Beqaj në sektorin ku torturohen shqiptarët.
Të një klime biznesi që nxit investimet e brendshme dhe të huaja dhe nuk i fik ato pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë e cila në gjashtë muaj vazhdon t’ë ulë interesin por pa asnjë reagim pozitiv nga ekonomia.
Dhe të një sensi realiteti nga qeverisja për ndihmuar biznesin dhe jo një sensi donkishotesk prej Borati si ai që shprehu sot Edi Rama, ku në vend të ulte kokën dhe të reflektonte për atë që i thotë Banka Botërore, thërret “urra, urra!” për mosushqyerjen e fëmijëve shqiptarë, për rënien e punësimit, për eksodin, për korrupsionin.
Për koncesionet e tmerrshme të bashkëhajdutit të tij Ilir Beqja dhe hajdutëve të tjerë të cilët kanë bërë të mundur që Shqipëria në dy vite e gjysëm të trefishojë numrin e personave në mjerim e varfëri, që Shqipëria të bjerë në gjithë indekset e eksportit, importit, investimeve, besimit të konsumatorit dhe të vetmit që hedhin vallen e “Napolonit” janë këta pushtetarë të korruptuar të cilët grabisin nga mëngjesi deri në darkë, plaçkisin nga mëngjesi deri në darkë pa frikë se mund të ndëshkohen nga ligji dhe Kushtetuta sepse e shohin veten e tyre mbi ligjin dhe Kushtetutën.
Prononcimi per mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit me aleatët, 11 Prill 2016