Eshtë zyrtare që kandidati për rektor i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, është kërcënuar nga Emiliano Shullazi, që të tërhiqet nga gara.
Eshtë po ashtu zyrtare se ky është fundi i çdo standardi të Republikës, një rrënim që mban emrin dhe firmën e Edi Ramës.
Profesor Koni, u kërcënua nga kreu i bandës më të rrezikshme në vend, sepse nuk është kandidati i Edi Ramës.
U kërcënua me jetën e djalit të tij, për ti hapur rrugën njeriut të Edi Ramës, për ti hapur rrugën kapjes së Universitetit të Tiranës.
Nga shumë këmbana alarmi që kanë rënë prej tre vitesh për arsimin në vend, kjo është padyshim më e rënda, është klithma e rënies së botës akademike në duart e krimit.
Universiteti ndoshta ishte i vetmi institucion ende i painkriminuar nga Edi Rama.
Dhe kjo ishte një sfidë për kryeministrin, që ka vënë në shërbim të banditëve e trafikantëve çdo zyrë publike, deri dhe parlamentin.
Pasi rriti tarifat, duke favorizuar klientelën e tij e duke privuar të rinjtë që s’kanë mundësi ekonomike, nga e drejta kushtetuese për arsim të lartë, Edi Rama tentoi ta pushojë së ekzistuari Universitetin, duke caktuar rektor Shullazin.
Por ky model i Edi Ramës për universitetin, ka për t’u refuzuar me përbuzje e neveri nga bota akademike, nga profesorët, pedagogët e studentët e Tiranës.
Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Arsimit, Luçiano Boçi, 18 Prill 2016