Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për dhënien e masës “arrest me burg”  Shullazit është vendim i drejtë, i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët e ndershëm besojnë dhe vlerësojnë hapat e atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve me integritet të cilët zbatojnë ligjin, japin kuptim togfjalëshit shtet ligjor, japin drejtësi duke dhënë vendime të drejta siç ishte mbajtja në “arrest me burg”, masa e sigurisë për bandën e “Shullazit”.

Prej më shumë se dy vjetësh opozita, Partia Demokratike ka denoncuar lidhjet e tmerrshme të krimit me pushtetin e Edi Ramës, veshjen e pushtetit të Edi Ramës me krim dhe veshjen e krimit me pushtetin e Edi Ramës. Prej më shumë se dy vjetësh ne kemi denoncuar për epideminë e gjobvënies, tritolit, kërcënimeve, rrëmbimeve dhe industrisë së narkokultivimit dhe narkotrafikimit si rezultat i lidhjeve të bandave kriminale me Edi Ramën dhe Saimir Tahirin. Por me rastin e këtij operacioni të suksesshëm, të kësaj pike kthese, ku të paktën në këtë fillim duket se  pushteti nuk ia ka dalë të ndihmojë lidhjet e tij kriminale, shqiptarët po mësojnë disa të vërteta.

Po mësojnë se si Emiliano Shullazi me mbështetjen dhe përkrahjen e lidhjeve të tij qeveritare është pasuruar në këto dy vite, duke iu vënë pistoletën në kokë biznesmenëve duke iu thënë “o gjobën, o jetën!”.

Se si në këto dy vite Shullazi dhe shullazët me mbështetje qeveritare ia kanë dalë të përfitojnë shuma marramëndëse për shkak të kësaj mbështetje duke i vënë pronarët e bizneseve, qytetarët, pronarët e trojeve para zgjedhjes “o vër firmën për tjetërsim të pronës e prano diktatin e krimit me mbështetje qeveritare ose jetën!”.

Shqiptarët kanë mësuar dhe po mësojnë se si Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë bërë atë që ka kërkuar dhe kërkon Emiliano Shullazi dhe banda e tij dhe shullazët e tjerë. Dhe në këmbim edhe Shullazi bën atë që i kërkon Edi Rama dhe Saimir Tahiri.

Këto janë çështje që opozita i ka denoncuar me forcë, por që sot shqiptarët kanë shansin t’i shohin përmes një procesi gjyqësor i cili meriton dhe do të ketë vëmendjen e plotë të opozitës, por po kështu uroj edhe të partnerëve tanë strategjikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  të Bashkimit Europian, si një provë që kjo pikë kthese në vigjilie të reformës në drejtësi do të jetë për të gjithë shqiptarët shpresa që lidhjet e krimit me pushtetin dhe lidhjet e pushtetit me krimin nuk mund të jenë përherë mbi të drejtën, mbi ligjin.

Sepse shqiptarët nga njëra anë kanë mësuar se për 30 mijë lekë të merret shpirti, merresh dhe futesh në burg, ndërsa kur kapesh në flagrancë duke gjobitur, duke vënë tritol, duke mbjellur e korrur hashash në sasi të mëdha e duke e trafikuar atë, në qoftë se ke lidhje qeveritare shpëton paq. Dhe rasti i “Shullazit” nuk është as i fundi, as i fillimi.

Dje patëm në Fushë-Arrëz rastin e vëllait të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrësit i cili u arrestua në dijeninë tonë sipas të dhënave operacionale të përfituara sipas hetimeve të Prokurorisë dhe pak orë më vonë u lira sepse deputeti Pjerin Ndreu u gjend papritmas në Fushë-Arrëz dhe zgjodhi të festonte me këtë person me precedentë penalë, të dënuar për 7 vite, sipas informacioneve paraprake.

Përpjekja për të ndalur dorën e drejtësisë vazhdon. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në këmbë dhe po bëjnë gjithçka që Shullazi të mos thotë atë që di për këta të dy.

Jo vetëm kaq, presioni ndihet kudo, presioni është shtrirë edhe në mediat kombëtare të cilat nën këtë presion po ndërtojnë alibitë e biznesmenëve të cilët po na dalin dhe po thonë se nuk ndihen të kërcënuar apo nuk kanë qenë të kërcënuar, apo në nxirjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë hetim. Shteti dhe media e kapur nga shteti është në dispozicion të Shullazit.

Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në zi, janë dhe në këmbë për ta ndalur, për ta sabotuar këtë hetim dhe kjo është diçka tronditëse por që nuk na habit

Çfarë do të bëjmë ne si opozitë?!

Ne do ta monitorojmë deri në fund këtë proces. Do t’i japim mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme prokurorëve dhe gjyqtarëve me integritet që kanë në dorë këtë rast. Do të ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë të vrasin frikën dhe të dalin përpara me provat, faktet e dëshmitë mbi aktivitetin e kësaj bande dhe bandave të tjera. Sepse ne jemi të bindur që Shqipëria e së nesërmes nuk mund të jetë kurrë Shqipëria e shullazëve, nuk mund të jetë kurrë Shqipëria e qeverisë së bërë njësh me krimin dhe që ka ngritur perandorinë dhe koorporatën e krimit këtu në Shqipëri. Që kjo të ndodhë Saimir Tahiri duhet të largohet një orë e më parë.

Kërcënimet e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndaj opozitës nga Shullazi dhe shullazët vazhdojnë edhe për arsyen sepse protektori i tyre numër një vazhdon të mbajë detyrën e ministrit të Brendshëm. Ndaj është emergjente largimi i Saimir Tahirit, një njeriu botërisht të njohur për lidhjet e tij me Emiliano Shullazin. Një njeriu që është përgjegjës sot për një fushatë të 5-fishimit të mbjelljes së kanabisit anembanë vendit dhe për të cilën kemi kërkuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë që të nisë menjëherë monitorimi i kësaj situate të paprecedentë dhe të merren masa. Por çdo masë do të jetë e paplotë dhe çdo përpjekje kundër krimit do të kërkojë energji titantike sa kohë që krimi ka ambasadorin dhe protektorin e vet ministër të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë. Dhe ky është momenti që të përsërisim edhe një herë thirrjen tonë për largimin një orë e më parë të Saimir Tahirit, si një domosdoshëmri të ecjes përpara të procesit hetimor ndaj rastit “Shullazi” dhe për ecjen përpara me hetimete për bandat e tjera në lidhje me pushtetin.

Një gjë është e sigurt, kjo që ka filluar nuk mund të ndalet dhe nuk do të ndalet. Vullneti i shqiptarëve për shtet ligjor do të përkthehet në të tjera veprime, në të tjera demaskime të lidhjeve të pushtetit me krimin dhe opozita siç ka qenë do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj përpjekje.

Pyetje: Me protesta?

Basha: Me të gjitha format dhe mënyrat.

Pyetje: Zoti Basha, përse thoni se duhet të largohet Saimir Tahiri kur ju njësoj fajësoni edhe kryeministrin Rama por për ata nuk kërkoni largim?

Basha: Ne kemi kërkuar prej momentit të parë të daljes së skandalit të “Habilajve” largimin e Saimir Tahirit dhe këtu nuk ka asgjë të re. Siç e thashë unë duke rishprehur edhe një herë mbështetjen dhe inkurajimin për prokurorët, për gjyqtarët, për personelin e Policisë Gjyqësore në rastin e këtij hetimi, ritheksoj një qëndrim politik të opozitës: largimin e Saimir Tahirit si parakusht për t’i prerë shpresat e këtij grupi kriminal dhe grupeve të tjera të lidhura me të se mund të influencojë përmes kërcënimeve, presioneve hetimet dhe procesin e ndjekjes penale dhe të gjykimit.

Por përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të vendit është padyshim Edi Rama dhe largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhjet e ardhshme – sepse një pjesë e mirë e kësaj mbështetje politike jepet pikërisht për të kapur dhe prishur zgjedhjet e ardhshme: përmes fushatës së mbjelljes së drogës që shihet si një burim kryesor të ardhurash për të blerë dhe për të intimiduar votuesit shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme, përmes aleancës së çeliktë me krimin arkitekt i saj ka qenë dhe është sot e gjithë ditën Edi Rama, kryeministri i vendit. Kështu që qëndrimi ynë për Edi Ramën është shprehur tashmë. Me Edi Ramën nuk mund të ketë demokraci, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë shtet ligjor. Por largimi i Saimir Tahirit është parakusht për ecjen normale të procesit “Shullazi”.

Pyetje: A keni informacion ju se çfarë Emiliano Shullazi di për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën, siç ju edhe thatë?

Basha: Opozita prej kohësh ka denoncuar atë që dihet publikisht, botërisht. E di Tirana, e di Shqipëria, e dinë partnerët ndërkombëtarë lidhjen e ngushtë të Saimir Tahirit me Emiliano Shullazin, shërbimet e ndërsjellta që i kanë bërë dhe i bëjnë njëri-tjetrit. Pyetje dhe fakte tronditëse presim të dalin në dritë edhe në kuadër të hetimeve dhe procesit në fjalë, fakte dhe pyetje tronditëse do t’i drejtohen protagonistëve nga opozita duke filluar që nesër.

Pyetje: Zoti Ahmetaj më herët i konsideroi abuzuese deklaratat e opozitës në lidhje me ekonominë duke folur me shifra konkrete për investimet dhe papunësinë në vend. Jaanë abuzuese sipas tij deklaratat e opozitës. Keni një koment për këtë?

Basha: Unë mendoj se sot ai është sjellë si “shullazi i financave” sepse shifrat dhe faktet nuk i denoncoi opozita por i denoncoi Banka Botërore, anketa e Bankës së Shqipërisë, Departamenti i Shtetit, raporti i Fondacionit “ Bertelmann”, Shoqata e Investitorëve Gjermanë, Shoqata e Investitorëve të Huaj. Po përmend vetëm gjashtë raporte që u publikuan shtatë ditët e fundit por Arben Ahmetaj dhe kredibiliteti i tij tashmë dihen.  Ky ishte njeriu që tha jap dorëheqjen po të më nxirrni një udhëtim me charter. I kemi nxjerrë 15 –të udhëtime me charter. Ka guximin të dalë atje dhe të përrallisë për vende të reja pune, ndërkohë që qeveria e tij, qeveria e Edi Ramës ka mbyllur vetëm vitin e kaluar 72 mijë vende pune në dy muaj dhe është përgjegjëse për shpunësimin më masiv dhe më të shpejtë të shqiptarëve në historinë 25-vjeçare të demokracisë. Del atje kur duhet të ishte duke dhënë përgjegjësi për blerjen e një bilete avioni Tiranë-Vjenë 6 milionë e 700 mijë lekë, pra një hajdutëri me brirë. Megjithatë lajmi i ditës Emiliano Shullazi nuk ka për të shërbyer si alibi për Arben Ahmetajn. Koha do të vijë edhe për Arben Ahmetaj të japë llogari për megaskandalet, për aferat, për vjedhjen masive për leverdi të tij dhe shefit të tij. Ndërsa dënglat për rritje ekonomike nuk i beson as vetë e s’ka shqiptarë t’i besojë.


Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar