Historia me Shullazin ka evidentuar dhe një herë makthet dhe tmerret e Edi Ramës nga një drejtësi që nuk është e kapur prej tij, totalisht prej tij dhe që mund t’i dalë jashtë kontrollit, dhe nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Këto dy tmerret e Edi Ramës i ka evidentuar ngjarja e fundit me shefin e tij, Shullazin. Pse e them këtë? Sepse, tek ajo që ndodhi me Shullazin, që e morët vesh papritur dhe pa kujtuar, dhe ky nuk arriti ta kuptonte se çpo ndodhte, kanë frikë se i ndodh nesër atyre të tjerëve që ka rrotull. Ka frikë se mund ti ndodhë dhe atij vetë, papritur, nga dikush që nuk kontrollohet dot nga ai, që nuk varet nga ai. Mund  ti dalë para derës dhe mund t’i vendosë prangat. Për këtë, ky zotëria nuk e do atë Byronë e Hetimit që nuk varet nga Tahiri i tij. Prandaj i ka bërë gjithë këto numra, nga kjo frikë, se i trembet që si Shullazi mund të përfundojë dhe vetë pa e lajmëruar kush, pa i thënë se çfarë mund t’i ndodhë. Ja pse ky bën lloj-lloj akrobacirash për të mos e pranuar  reformën në drejtësi, pavarëisht se del e thotë gjithë ditën se opozita nuk e do reformën në drejtësi.

Ka frikë se atje ku ishte, mos i vjen ndonjë porosi tjetër. E patë si u trullos për tri ditë zotëria bashkë me Tahirin e tij, u kap Shullazi, tri ditë qendroi memec, nuk fliste njeri. Bëri lajm dje se i përmendi emrin. Ministri i Brendshëm më në fund i përmendi emrin e Shullazit, kjo u bë lajm nëpër media. Folën të gjithë, Tahiri i përmendi emrin. Pse? Sepse sado që të flasin për gjyqe për shpifje, të vërtetën e dinë këta dhe për fat të mirë e dinë të gjithë shqiptarët.

Eshtë lidhja direkte e ministrit të brendshëm me Shullazin dhe indirekte e kryeministrit, dhe mbase do zoti hapen ato tabulate që nuk mi pranuan mua në gjyqin tënd si prove, se ku i dihet se çfarë del zoti Rama. Uroj që prokuroria ta vazhdojë ashtu siç e ka nisur këtë çështje   në mbështetjen e atyre që e kanë nxitur dhe sigurisht mbështetjen e opozitës që është gjithmonë për luftën kundër krimit. Uroj që t’i shkojë deri në fund, ti hapë ato tabulate, ti shohim me kë ka biseduar ky zotëria dhe pastaj të shohim nëse jam unë shpifësi? A kam shpifur unë kur kam folur për lidhjet e tua, apo është ashtu siç kam folur unë.

Dhe sa për atë pjesën tjetër të gjyqit që lidhet me pulën, ti e di mirë, se ti ike nga gjyqi. Dole dhe the që këtu vazhdon e njëjta farsë. Për fat të mire, janë të gjitha të filmuara. Dole nga gjykata dhe ti kishte premtuar që do të vije në çdo seancë dhe the që nuk mund të vazhdosh të vish sepse këtu vazhdon e njëjta farsë. Ti e di shumë mire, që kurrë para teje nuk kam qëndruar si pulë. Dhe këtë e mbyllim këtu si çështje aq më tepër kur bëhet fjalë për lidhjet e tua me krimin, që unë i njoh prej një kohe të gjatë.

Po çfarë e tremb tjetër zotin Rama?

Se do vini prapë në 2017, prapë këtu do të jemi.

Çfarë do të ndodhte sikur Sali Berisha mos të dilte dhe të denonconte aktin që ndodhi, me  kërcenimin ndaj kandidatit për rektor, i cili shkoi për të dhënë dorëheqjen? Çfarë do të ndodhte?

Sot do të kishim Shullazin rektor, sepse ai zotëria u kërcënua të jepte dorëheqjen dhe sigurisht do të fitonte kandidatja e tij që tha nuk ka mbështetje, por e ka në krye të listës së këshilltarëve socialist, por nuk ka lidhje me PS. Pra sot do të kishim këtë situate.

Kandidati që sot është rektor, se kishte votat dhe e tregoi që kishte votat dhe mbështetjen, sot do të ishte në shtëpi dhe në krye të Universitetit do të kishim një person që nuk i kishte votat. Për këtë u kërcënua ai zotëria dhe kjo tregon se çfarë mentaliteti ka ky njeri për zgjedhjet . Dhe nuk është rasti i pare, e tregoi dhe në partinë e vet, që na thonë për të na kompleksuar se; c’punë kemi ne me partinë e tyre, se çduam ne se çfarë bën PS.

Jo mor jo, nuk është ashtu, nuk bëhet fjalë për një problem të brendshëm të PS. Sigurisht ne nuk duam të dimë se kur zgjidhet kryetari i PS, por ne nuk mund të jemi të pa interesuar për mënyrën se ky zotëria që është në krye të qeverisë, bën zgjedhje qoftë në partinë e tij, qoftë në universitet. Dhe del se kjo është mënyra e vetme që ky mund të bëjë zgjedhje, sepse ndryshe nuk fiton. Pa shullazët, pa ata që blejnë votat, ky nuk fiton. Dhe e ka treguar edhe herë tjetër dhe për këtë arsye i duhen shullazët, dhe këtë tregoi edhe ky rast. Nuk është çështje e një universiteti, e një rektori, e një emri apo e një tjetri, jo. Eshtë koncepti i këtij për zgjedhjet, që e tregoi edhe kur ishin zgjedhjet në Korçë. Vetëm 2 muaj pasi kishte ardhur në pushtet. Zgjedhje që i kishte të fituara. Siç kishte të fituar edhe të ashtuquajturin Referendum brenda partisë, por kjo nuk e pengoi që të manipulonte prapë, të kërcënonte prapë, të dhunonte votën prapë, sepse ashtu e ka mentalitetin e zgjedhjeve. Prandaj e kemi thënë dhe do të vazhdojmë deri në fund të kërkojmë që zgjedhje me këtë kryeministër, nuk ka, dhe nuk mund të ketë në Shqipëri. Le të shkojë ku të dojë, se nga ai vendi ku ishte i erdhi edhe akuza se është kryeministri më i korruptuar dhe jam i bindur se ish-zëdhënësi i Pentagonit pavarësisht se ka akuzuar kryeministrin e vendit tim, është pak më i besueshëm se sa ky. Të jeni të bindur se ka më tepër personalitet ai, se kryeministri juaj, kur e thotë një gjë. Nga ai vend erdhi edhe raporti i DASH, që thoshte të njëjtën gjë, qeveria më e korruptuar në të gjitha degët e saj. Por çfarë ndodhi nga gjithë ajo fryrje e madhe. Sigurisht që të takosh presidentin e SHBA nuk është gjë e vogël, por ia mbylli Shullazi, ia mbylli gojën, e harroi vizitën në SHBA prej Shullazit, erdhi dhe e mbylli gojën për Obamën se nuk e linte Shullazi. E dëgjuat edhe këtu, as këtu nuk foli për vizitën e tij “të madhe” dhe “të suksesshme” sepse ia mbylli gojën Shullazi. Kujt do i thotë, kujt do i flasë për çudinë e tij në SHBA, kur dje doli ambasadori i SHBA- së dhe tha: më në fund është bërë ajo që duhej bërë prej kohësh, u arrestua kapomafia. Kush e bëri? Tre ditë nuk i përmendnin emrin dhe jo vetëm kaq, por ditët e para privatisht dhe publikisht duke përdorur mediat e tyre, u përpoqën ti thonin atij zotërisë, se nuk jemi ne, nuk dinim gjë, ne të morëm sa për të larë gojën, mundësisht ta nxirrnim bllof Sali Berishën.

Por iu prish plani sepse dolën të tjera gjëra. Kujtuan se do ta linin me aq. I priti në kafe ai zotëria policët, e morën vesh nga mediat, s’kishte asgjë me vete, i pastër krejt, se sipas tyre ai qarkullon i pastër gjithmonë, s’kishte asgjë, as telefon nuk kishte. Jo se e kishte njoftuar policia, se kjo kuptohet, s’ka lidhje policia me këtë. I priti, i përcolli, e çuan aty me bindjen se do të dilte pas gjysëm, siç ka dalë gjithmonë. Siç ka dalë gjithmonë për gjysëm ore në këto 3 vite. Dhe, do të dilte një nga këta zëdhënësit dhe do të thoshte se Sali Berisha është shpifës, Sali Berisha është mashtrues, etj, etj. U prish plani se ishin disa forca më madhore, që këta, nuk i kontrollonin dot, për fat të keq. Kjo i tremb. Se ka ca forca që nuk i kontrollojnë dot, dhe nuk e kam fjalën thjesht për prokurorinë e cila për këtë rast e përgëzoj dhe uroj që të vazhdojë të shkojë deri në fund.

Kjo pra është historia. Kush e bëri. Vetëm dje dolën dhe sot po përpiqen që të marrin meritat; e bëmë ne, ne e arrestuam ndërsa dje po përpiqeshin të justifikoheshin tek ai, që nuk të kemi prekur ne. Siç i thane, nuk e ke prej nesh, e ke nga SHISH dhe nga prokuroria. Kështu i thanë, ne nuk dimë gjë, na e futën, na ngritën kurth. Kjo është historia e asaj që sot dalin këtu e thonë e bëmë ne. Si duket e kanë marrë vesh se ai nuk do të flasë, se edhe ai nuk ka interes ti nxjerrë se i duhet mbrojtja e tyre nga jashtë, kanë marrë vesh këtë punë, dhe tani thonë: Ne e bëmë. Dhe sa për 2017-ën, të jesh i bindur se sado të mbledhësh si ai që hyri brenda, fundin e tij do të kesh!


Replika e kryetarit të grupit parlamentar Edi Paloka, me Edi Ramën, 21 prill 2016