“Zonja deputete!

Zotërinj deputetë!

Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë parlament, të shndërruar nga tempull demokracie në një strofull krimi, i cili në çdo seancë nuk merret dot me problemet e jetës tuaj të përditshme por merret vetëm me krimin qeveritar, me hajdutërinë qeveritare, merret vetëm me skandalet dhe vjedhjet e pafundme të qeverisë dhe bandave të saj. Ky i Shullazit është rast i rrallë. Duhet ta pranojmë, se me lidhjet e tij direkte me kryeministrin dhe ministrin e brendshëm, ai de fakto ishte në mënyrë absolute nënkryetari i kësaj qëverisje. Emiljano Shullazi, meqë përmëndët kohën e qeverisë sime, është arrestuar katër herë, në një kohë kur ishte me Dritan Dajtin, me të cilin ti mbaje lidhje të ngushta, por që u këput në kryq më vonë dhe që na vrau katër oficerë policie, ndërsa Emili yt është arrestuar jo një por katër herë, në një kohë kur prej tre vitesh atij  i është dhënë imunitet absolut. Ai bën ligjin në Ministrinë e Brendshme, në Drejtorinë e Tiranës dhe ka vendosur në terror si kurrë në historinë e tij qytetin tonë, portin e Durrësit. Të gjitha këto vetëm për një arsye, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Edvin Shullazin dhe Saje Qorrin. Unë dua t’ju them ju këtu, dhe flas për ju qytetarë, se ky këtu (Rama) e ka shndërruar qeverinë në një organizatë kriminale, këtu kam me dhjetëra fotografi të ushtrisë së Shullazit, të armatosur me të gjithë llojet e armëve nga më modernet, nga snajperët tek armët e tjera. Ja ku e keni se si ruhej ai. Çfarë ndodhte në lagjen e tij? Terror i paparë. Dëshmira tronditëse kam këtu, nga oficerë policie, të cilët thonë se në lagje jetohej në terror të plotë. Kryebanditi nga ushtria e tij quhej “gjeneral”, dhe kur ai vendosej në kafe “Beku” tek Parku i Autobusëve, nga ora 5 deri ne 8 zbarkonin aty ushtarët e tij, sikur të ishin mafia më e fortë e botës, të cilët i thonin oficerit të policisë “largohu këtej, o shef ti bëj si të duash po ne të themi që më mirë të mos rrish këtu, se ne po ruajmë gjeneralin. Nuk mund të të përshkruaj se çfarë kam dëgjuar në atë lagje në të cilën jo vetëm punoja por ku kisha dhe fatkeqësinë të punoja.”

Në Policinë e Shtetit absolutisht ka njerëz të ndërgjegjshëm, kanë mbetur përsëri njerëz të talentuar, këtu kam të gjithë organigramën e Ushtrisë, se si kryekrimineli që terrorizonte Tiranën dhe Durrësin. Ja ku i keni, këto nuk i kam nxjerrë unë por agjentët e policisë kriminale, janë punë e shkëlqyer dhe e ndërgjegjshme e agjentëve të policisë kriminale. Por çfarë bënin me ta? Ju thonin se “gjenerali” është i paprekshëm. Ndodhi vrasja në “rrugën e Kavajës”, ndodhi atentati i QafëKasharit, në komunikatën e parë e policisë, korrekte e Drejtorisë së Tiranës, thuhej se në Qafë Kashar  mori një plumb në shpinë Emiljano Shullazi, dhe se në makinën e tij u gjetën armë, u gjetën gëzhoja, u gjetën shtatë mijë euro. Me ndërhyrjen direkte të Sajë qorrit dhe të atij që s’është më në krye të Policisë, gjithçka u ndryshua. U deklarua se ngjarja e Qafë Kasharit s’ka asnjë lidhje me ngjarjen e “rrugës së Kavajës”, u deklarua se nuk ka të plagosur fare, se Emili i partisë nuk është plagosur, u harrua gjaku që kishte derdhur, dhe si përfundim Emili i Partisë, pasi iu pastrua gjaku dhe krimi, u nis drejt Lulzim Bashës dhe i tha se “po dole në atë dritare, kokën ta masim me plumb”. Dhe ne e denoncuam këtë. Zotëria që thotë se ka ekzistuar gjatë periudhës sonë, po ka ekzistuar dhe ne e arrestuam katër herë, është dënuar disa herë. Ka patur një incident me Vasilika Hysin dhe Besnik Baren. Kishin një zyrë elektorale ata dhe kishin nxjerrë autoparlantat por “gjenerali” zhurmë nuk donte, ndaj dhe i prishi aktivitetin. Cfarë pësoi? U arrestua brenda 12 orësh. Për hir të së vërtetës, duhet të them këtu se Edi Rama i detyroi deputetët e tij që të bëjnë kallzim, ata bënë kallzim dhe ai u arrestua. KJo është e vërteta. Por ndërkohë, gjuajti me bazuka shtëpinë e kryetarit demokrat të Farkës, ndërkohë u bë gjithçka për të zhdukur provat. Cfarë ndodhi më vonë? Një ditë prej ditësh shqiptarët marrin vesh se “Bashkim kontrabandisti”, Bashkim Tahiri, i arrestuar për kontrabandë në flagrancë, dikush i vuri tritol tek farmacia e tij dhe dikush tjetër i dergoi një kallëp tritoli në rrugë ngjit me shtëpinë, ndër ata të parët që e ka quajtur “akt terrorist” kam qënë edhe unë, e kam dënuar dhe pavarësisht se ai është një kontrabandist i mirëfilltë por çdo akt terrorist e dënoj dhe do ta dënoj me ashpërsinë më të madhe. Kush i vendosi ato?  Për tritolin tek farmacia e kontrabandistin u arrestuan 7 vetë, por vetëm një mendje idioti mund të thotë se 7 vetë u morën me vendosjen e një tritoli. Po të jenë 3 e marrin vesh 13, por të jenë 7 e marrin vesh 70, këtë nuk e hante kush. U arrestuan të gjithë Gjutajt, edhe Bruka, unë nuk njoh asnjë prej tyre dhe kërkoj ndjesë që detyrohem tu përmend emrat këtu. U soll tjetri nga Suedia.

U bënë një seri arrëstimesh. Ec procesi, ngec procesi. Thirri prokuroria Bashkim kontrabandistin,  tha se ata më janë vendosur për shkak të detyrës së djalit tim. U arrestuan 7 vetë, por çfarë ndodhi? Një ditë prej ditësh prokuroria i liroi të gjithë ata ndërkohë zotëria hapte fjalën se një nga Gjutajt ka tradhëtuar Gjutajt e tjetër dhe se ka dëshmuar kundra tyre. Mirëpo ata, nga i pari tek i fundit dolën jashtë. Pse dolën jashtë? Ja ku e kam dokumentin: “përshëndetje zoti Berisha. Jam një oficer policie që ka marrë pjesë në hetimin e atentatit të vendosjes së tritoleve kundër të atit të ministrit të brendshëm. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, unë, së bashku me një kolegun tim arritëm në konkluzionin e prerë se tritolet i kishte vendosur banda e Shullazit por ministri i brendshëm, sapo e mori vesh, akti i parë që bëri ishte të më largojë nga hetimi, më pas më transferoi në periferi dhe unë sot jam jashtë rradhëve të policisë”.

Prokuroria njofton se edhe i tmerrshmi i të tmerrshmëve, Vladimir Gjuta, dhe një me mbiemrin Bruka, të lirohen menjëherë nga paraburgimi. Çfarë kishte ndodhur! Jua them unë.  Saje Qorrin e kishte kërkuar prokuroria jo një herë por disa her, zoti ministër urdhëroni dhe dëshmoni. Saja nuk shkonte. Po pse nuk shkonte, sepse Gjutajve u kishte dërguar Shullazin.  Saje Qorri i dërgoi Emilin Vladimir Gjutës disa herë dhe zhvilloi negociata të mëdha që ta mbyllnin këtë punë, sepse Emili e kishte vendosur vetë. Përse u arrestuan Gjutaj? Sepse përpara zgjedhjeve, në Bllok e kishin shtrire përtokë Saje Qorrin dhe rrahur në mënyrën më të egër. Dhe tani Saje Qorri u bë me krahë dhe duhet t’u bënte rremën Gjutajve dhe për t’u bërë rremën Gjutave duhet të vendoste me Emilin e partisë… Nëse Saja se kishte vendosur vet tritolin me Emilin, shkonte në prokurori ai, por Saja nuk shkonte dot nga përgjimet, të cilat fatmirësisht kësaj here nuk janë vetëm të një burimi, por të disa burimeve.

Saje Qorri nuk shkoi të kryente detyrën, sepse veten e konsideron mbi ligjin, sepse Emilin e tij e ka mbi ligjin dhe ligji nuk ekziston për ta. Ligji ekziston për ata që kanë detyrim 35 dollarë, për ata që parkojnë diku  gabim, për ata që bëjnë gabime të tilla, po për Sajen, Emilin dhe Edvin Shullazin nuk ka dënime. Ai kishte frikë. Mediat kapën një gjë interesante para dy ditësh. Për herë të parë në jetën e tij ai shqiptoi emrin e Emilit të partisë, nuk e shqipëronte dot.  E kisha akuzuar me dhjetëra herë këtu, dhe ai një herë të vetme nuk e kishte shqiptuar  emrin e tij.  Po pse? Sepse e kishte në mendjen dhe në shpirtin e tij, sepse EMili i kishte gllabëruar shpirtin këtij njëriu.

Sot është një ditë e veçantë për vendin. Dje të gjitha Universitetet bënë zgjedhje. Si u zhvilluan zgjedhjet akademike? Që të gjitha në shenjën e Edi Ramës, në shenjën e Edvin Shullazit. Në Vlorë, Koço Kokëdhima përzuri kandidatin, sepse gara duhej të bëhej në stilin “alla Rama”, me një kandidat të vetëm. Burri i ministres fitoi me 97% me një kandidat të vetëm në garë.

A mund të më thuash pak këtu se çfarë ju bëre ti atyre rivalëve të burrit tënd, që u tërhoqën të gjithë? Sot do të doja shumë ti çoja një urim botës akademike dhe urojë të gjithë ata që janë zgjedhur me dy kandidatë. Dënoj garën me një kandidat si një akt të shëmtuar. Dënoj ndërhyrjen e krimit. Një akt i paprecedent ai që ndodhi. E arrestoi Edi Rama Shullazin tha. Jo more jo. Polici i Edi Ramës nuk pranonte ta arrestonte. Përgëzoj prokurorinë  për aktin e saj dhe i jap mbështetje të plotë.

Perandorinë e krimit, Emiliano Shullazi e krijoi nëpërmjet tytës së armëve, nëpërmjet fallsifikatorëve, nëpërmjet gjykatësve dhe prokurorëve. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, i bëj thirrje Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të studiojë  në detaje dosjen “Shullazi”, se është fytyra më e shëmtuar e kësaj qeverie organizatë kriminale. Po të doni i marrim një nga një krimet e tij. Saje Qorri tha se e arrestova me një sms. E kuptoni se ku jemi, të arreston Saja me një sms. Me këtë shndërrim në organizatë kriminale që i keni bërë qeverisë së vendit, në mënyrë absolute po e çoni vendin drejt një konflikti të pashmangshëm të të gjitha llojeve.

Unë kam një kërkesë për qytetarët shqiptarë sot. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarëve që për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre, sepse nuk kanë asnjë siguri. Nëse ju, o organizatë kriminale, mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se nopozita dhe qytetarët jeanë të gatshëm tua kthejmë me të njëjtat mjete dhe ju të mos gjeni vrimë miu ku të futeni. Të armatosen, sepse armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët  që duan të mbrojnë veten e tyre dhe me urgjencë të sjellim ligjin. T’u japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë. Me këtë organizatë kriminale nuk ka siguri, me këtë organizatë kriminale nuk ka rend, me këtë organizatë kriminale nuk ka rend, nuk ka qetësi. Këta këtu që hidhen, sigurisht hidhen sepse janë me bandat dhe sigurinë jua japin bandat.

Opozita është këtu për të qëndruar dhe do të qëndrojë fuqishëm. Dhe ju që bëni lojën e armëve ndaj qytetarëve, për kërcënimet ndaj opozitës, ne jemi të gatshëm t’ju përgjigjemi juve në mënyrën më solemne. Vetëm një gjë; ju dhe ata që ju japin zemër juve, jeni më frikacakët e kësaj toke. Jeni si minjtë, që do të kërkoni vrima për t’u futur dhe nuk do të gjeni dot. Nuk mundeni ju të trajtoni shqiptarët në këtë mënyrë. Nuk mundeni ju të përzeni dhe spastroni shqiptarët nga vendi i tyre.

A nuk ishte Shqipëria në vitin 2011-2012, nuk ishte një gjendje brilante ekonomike, gjithmonë Shqipëria me probleme  ka qenë, dhe ai shtet që thotë Edi Rama (Gjermania), ishte i pranishëm prej vitesh, por ai shtet u përdor në dy vjet vetëm nga 432 vetë sipas Byrosë Federale Gjermane, asnjë më tepër. Po pse? Njerëzit nuk kishin, por kishin pak shpresë. Erdhi Edi Rama patën edhe më shumë shpresë, normale, sepse një shumicë  që vjen, vjen pa diskutim me një nivel të ri shprese, por Rama është vrasësi i shpresës.

Shpresën e vret kur nuk bën ligjet, kur nxjerr një kasë të urryer mbi ligjin.

Shpresën e vret kur bandat bëjnë ligjin.

Shpresën e vret  kur Kostandini i Partisë shtrin përdhe katër djem të rinj dhe ia lënë djalin ish-prokurorit të vdesë vetëm për të fshehur gjurmët e krimit. Për të dalë pastaj Ledi Makbeth  në tapetin e kuq të kryeministrisë, si heroina e partisë që po jep dorëheqje.  Një korbë  e zezë, djali i së cilës, ka çuar në atë botë pesë persona.  Secili  nga ju që nuk dënoni këtë, jeni aksioner  në këto akte.

Shpresën e vret kur Frroku i ka duart me gjak.

Shpresën e vret kur liron me presion ndaj gjykatësve, deputetin tënd, që shkon dhe i bie me revole tjetrit në pragun e shtëpisë së tij dhe tjetrit në Komisariatin e Policisë dhe shkon e na e sjell këtu.

Shpresën e vret  kur kapet fabrika më e madhe e miellit në Ballkan dhe ke me pronarët e saj kilometra telefonata, si kryeqeveritar i vendit.

Shpresën e vret kur në çdo krim të shëmtuar të bandave bën vetëm një gjë prish provat.

Shpresën e vret kur Shullazët e tu fitojnë çdo tender.

Shpresën e vret kur thërret dëshmitarë të Shullazit dhe i detyron të thonë se nuk kanë ditur se cilin kanë ortak. Sepse është Pandi Carapuli në mes. Ai Fezga, Kodra si quhet, që ta dini juve, ai është apo ka qenë menaxher tek Carapuli, para 2-3 vitesh u ankohej miqve të mi që ky Pandi më jep një rrogë të ulët dhe dua të iki, kur na del tani milioner, blen Vollgën, blen Ramën e Gjushin me lecka. Fezga ka Carapulin dhe Crapuli është Rama, se Carapuli është ndërtuesi i sarajeve të Surrelit. Carapuli është një lloj banditi më i lig se Shullazi, sepse midis atij që e bën dhe atij që fshihet, më i poshtër njëiqnd herë është ai që fshihet. Por Carapuli është Rama, s’është kush tjetër.

Shpresën e vret kur në regjistrër prish banesat, bizneset dhe lë sarajet e tij me Koço Kokëdhimën, duke shkelur të gjitha ligjet e shtetit në Qiparo. Shpresën e vret kur një njeriu, të një kompanie të rojeve të sigurisë, të cilit iu vodh banka ose vodhi bankën, të cilit vetëm për këtë minimumi i duhej hequr licenca dhe të përjashtohej nga gara. Por nga 6 tendera qe kishte fituar në 2013 ka fituar vitin e kaluar 58 tendera. Sigurisht që juve ju fut shuka dollarësh dhe eurosh në gojë dhe ju bën juve të kakarisni këtu.

Po më thoni ju lutem a mund ti jepet një firme që ju vodh banka 58 tendera? A mendohet në këtë mënyrë. Dhe pastaj më hiqni mua vërejtje. Ju mund të më hiqni mua njëmijë herë vërejtje, nuk ka gjë në botë që mua më ndalon pa e thënë. Kam ndërgjegje unë. Nuk mund të lejoj që një njeri të marrë 58 tendera, sepse duhet të hanë edhe ca të tjerë. Nuk mund të pranoj kurrë unë një njeri, që përdor mandatin këtu për të marrë tenderat me vëllain e vet.   Mos 58, janë 16 tendera, i kam lexuar herës që shkoi. Apo Abazi. Zotëria doli këtu dhe u shante me gjuhë ordineri. Pse u revoltua!? Çfarë i thashë?  Se tenderi i Kokoneshit me 3.3 milion dollarë u prokurua, u firmos nga një kompani që solli një ofertë më të shtrenjtë, sepse kompania Salillari ofroi një ofertë 1 milionë dollarë më pak sesa Kokoneshi.  Nëse ti hidhesh se unë të akuzoj kot, të kam dhënë një muaj afat, nuk kam folur, aty i kam pasur dokumentat dhe nuk kam folur pasi kam pritur sa përfundoi firmosja e kontratës. Dhe rezultoi se e dinte (Braçja). Çfarë tha? U tërhoq kompania tjetër tha. Ai tender anullohej 100 herë për çdo njëri  që ka integritet. Si jepet tenderi me 33% më shumë një kompanie, vetëm për të mbushur xhepat. Ju kërkoni qe të hesht por jo. Unë nuk luftoj më për karrierë. Asgjë në këtë botë nuk mund të më pengojë mua për të mbrojtur interesin publik ashtu si unë e mendoj. Harrojeni se punoj për gjë tjetër, harrojeni se punoj për njëri tjetër, për asgjë në botë, përveçse për interesin publik, siç e gjykoj pa pretenduar se kam monopolin e së vërtetës.”

Fjala jashtë sallës së Parlamentit:

Për të gjitha këto ka një shtet kudo, përveç Shqipërisë që ka një bandë, një bandë kudo e penetruar. Atëherë, vendi më i madh i lirisë në botë, SHBA-të kanë një praktikëë të tillë që u lejojnë armë qytetarëve. Unë kam kohë që e mendoj këtë punë, kur shoh mbi 40 roje, që i ka aty Edi Rama në dosje, të Shullazit të pajisur me të gjitha llojet e armëve për të vrarë, për të vjedhur, për të grabitur, për të plaçkitur, atëherë çdo qytetar i ndershëm duhet të ketë të drejtë ligjore të ketë, njëlloj si një vend tjetër i madh i lirë, armën për t’u mbrojtur. Këtyre u kërcejnë kaq keq se kjo jua cof morrat bandave të tyre dhe banditëve në pushtet.

Pyetje: Ju ja keni hequr armët deputetëve…

Jo nuk i kemi hequr armët deputetëve, absolutisht. E theksoj, me ligj, jam plotësisht i mendimit që, përderisa këtu të zhduken bandat njerëzit duhet të kenë të drejtë të mbrohen.

Pyetje: Me këtë po kujtoni 97-tën…

Zonjë ajo është një histori krejt tjetër. Ai ishte një rebelim komunist. Armët me të cilat u armatosën fallangat e kuqe erdhën nga jashtë, kurse shqiptarët dhe kosovarët u armatosën me armët e tyre.

Kurse kjo këtu ka të bëjë deri me rivendosjen e rendit. Ligji amerikan është ligji më i drejtë, dhe unë do ta shof këtë me vëmëndjen më të madhe. Sepse unë nuk mund të konceptojë që një bandë me 40 vetë në mes të Tiranës të ushtrojë të gjitha llojet e dhunës. A e dini ju se Saje Qori dhe Edvin Shullazi e kanë shpërblyer Milin e partisë, në kundërshtim flagrant me ligjin, për dënimin që ka bërë, pa e çuar në Gjykatë të Apelit. Ligji detyron institucionin, që për çdo gjyq të humbur në shkallë të parë, detyrimisht në emër të mbrojtjes së interesave të taksapaguesve të vet, të shkojë në shkallë të dytë. Kurse Mili i Partisë bën përjashtim, nuk shkoi në shkallë të dytë por Edvini urdhëroi ministrin e financave t’ja jepje paratë një më një për krimet që kishte kryer. Pra, kemi të bëjmë me një organizatë kriminale. Këtu ju shihni që po diskutohet gjerësisht se policia ka denoncuar ndërsa prokuroria ska reaguar. Si mund të reagojë prokuroria, kur çdo njëri që denonconte në polici shkonte më parë tek Shullzi dhe banda e tij sesa në prokurori. Çfarë do bëjë prokuroria? A e dini ju sa zyrtarë të lartë janë në dosje të regjistruar? Shkoni shifni pak ortakët e Shullazit në dosjen e Shullazit. Që të gjithë politikanë me peshë, drejtora, ministra etj.

Pyetje: Ju në këtë moment po i riktheheni çështjes së ligjit por ju në fjalën tuaj nuk përmëndët ligjin në fillim…A po e kuptoni që thirrja juaj mund të shërbejë për të hapur një luftë civile në vend, ligjin e përmendët në fund?

Tani po i lejon vetes diçka joprofesionale. Më vjen keq, unë dua të të respektojë por nuk po më lë. Se si e ndërtoj unë fjalinë është puna ime. A je avokatja e Shullazit, apo e një përdhunuesi? Nëse je gazetare ti nuk mund të më thuash mua se ku duhet ta vë atë fjalë, në fillim apo në fund. Nuk e dikton dot atë, as unë ty e as ti mua. Natyrisht unë nuk i heq asnjë presje asaj që kam thënë dhe atë po e them prap. Përse po më thua se po e ndryshoj? Ku e gjen ti këtë të drejtë morale? Nuk shkon kjo, për ty se për mua s’ka problem..

Pyetje: Ju bëtë thirrje për armatosjen e qytetarëve dhe më pas thatë të bëjmë ligjin. Në fakt kjo për qytetarët merret si një thirrje për tu armatosur

Jo, kjo merret nga shullazët e qeverisë, ndërsa qytetarët e kanë shumë të qartë këtë. E kanë shumë të qartë se çfarë do të thotë kjo, kurse shullazët e qeverisë e kanë tmerr këtë. Mos u bëni zëdhënës të Shullazëve.

Pyetje: Pse do ndërmerrni një inisiativë ligjore për tu depozituar në kuvend referuar deklaratës që bëtë sot?

Fola kjo kërkon që të merret një nismë ligjore, por, a do e ndërmarrë apo jo, kjo është për tu parë. Asaj që thashë asnjë presje nuk i heq. Armë, në këto kushte kur nuk ka rend, qetësi, siguri, duhet të ketë çdo njeri duhet të ketë çdo njëri për të siguruar jetën e tij, të fëmijëve të tij, të pronës së tij. Mazhoranca është një organizatë kriminale. Ajo qeveri që bashkëpunon me Shullazin është një organizatë e mirëfilltë kriminale, në kuptimin absolut të fjalës.

Pyetje: Sa do ta mbështesni ju ngritjen e komisionit hetimor për këtë ngjarje, që propozoi ministri i brendshëm?

Së pari, a e dëgjove ti ministrin Saje qorri të thoshte një fjalë të vetme për Gjutën, Brukën, për arrestimin e shtatë pjesëtarëve nga një familje e vetme. A e dëgjove të thotë një fjalë të vetme për ndryshimin e komunikatave të qeverisë për ngjarjen e Kasharit dhe atë të rrugës së Kavajës, unë e akuzova direkt. A përmëndi ndonjë gjë ai apo vetëm u hodh si histerik meqë përmënda armët.

Përsa i përket komisionit, absolutisht po, madje edhe më thellë se komisioni dhe absolutisht mos mendo se unë, personalisht flas, nuk po punoj në shumë drejtime për këtë punë. Unë jam i vendosur të bëj transparencën. Po kur unë, nga burime policore direkte, marr dosje në të cilat më faktohet se Shullazi është lejuar me mbi 40 e ca banditë me të gjitha llojet e armëve dhe snajpera, me të gjitha makinat e blinduara, atëherë kjo qeveri është një organizatë kriminale. Këta që bërtasin sot dhe mbrojnë Shullazin, këta janë ushtarë të Aldo Bares, të “Hakmarrjes për Drejtësi”, të gjithë atyre bandave që u arrestuan një për një.

Pra, Komisioni hetimor është plotësisht i mundshëm, mendoj unë. Por komisioni hetimor maksimumi që mund të hetojë në këtë rast është ligjshmëria. Dokumentet si ka ministri, i ka tjetër kush, i prokuroria ato dhe 5 shërbimeve të huaja.

Pyetje: Si e shini rolin e prokurorit në këtë proces?

Roli i prokurorit dhe i prokurorëve është për tu përshëndetur, morën përsipër për të bërë atë që se bënë oficerët e Tahirit. Nuk donmin ta arrestonin. Në këtë mënyrë, mendoj unë, duhet një mendim eksperti. Po të ishte se kemi të bëjmë vetëm me ligjin atëherë mund të behej komisioni, por komision për probleme të dokumentave të dosjeve, që janë në hetim nga prokuroria dhe gjykata, nuk mund ta bëjmë. Kur të mbarojë hetimi absolutisht po, mund ta bëjmë.

Pyetje: A do ta pengojë kjo situatë reformën në drejtësi?

Reformën në drejtësi e pengon Viktor Ponta dhe Edi Rama. Ponta i tha Edit se po e bërë reformën përgatit një vend si ky që më kanë bërë mua këtu (burgun). Ministri përgënjeshtroi kryeministrin. Edi Rama urdhëroi Tahirin të thotë se kryeministri gënjeu. I kuptoni vetë ju se ku janë gjithë problemet e tyre.

Pyetje: Mazhoranca ka depozituar në kuvend kërkesën …Jeni i gatshëm të shkoni në prokurori lidhur për këtë deklaratë?

Mazhoranca e krimit është e lirë të depozitojë çdo lloj akuze dhe kërkese. Mos harroni që rreth 16-17 vjet më parë, mazhoranca që kish dalë nga rebelimi komunist, më hoqi imunitetin me akuzën për krime kundër njerëzimit 8 muaj përpara se Haga të akuzonte Sllobodanin. Këta janë vetëm frikacakë e burracakë, forca e tyre janë bandat, forca jonë qëndron tek ligji dhe tek e drejta.

Fjala e dytë në seancën plenare: 

Përsa i përket fjalës time edhe një herë theksoj këtu se në mënyrë absolute nuk i heq asnjë presje. Pse. Sepse sot rendi dhe siguria e qytetarëve është më e kërcënuar se kurrë në memorien time. Ka patur krim në periudha të caktuara në këtë vend, por s’ka patur kurrë bashkëpunim qeveritar të shkallës së tillë siç ka sot. Ju e dëgjuat Saje qorrin. Foli një orë me histeri por nuk yha një fjalë të vetme për eksplozivin që ka vendosur tek i ati i tij kontrabandist për të arrestuar ata që quan kundërshtarë. Nuk tha një fjalë të vetme. Unë kam me dhjetëra fotografi, dhe ju tregova njërën me ushtarët e Shullazit me të gjitha llojet e armatimeve, të cilat i kam marrë nga policia e shtetit, por të gjitha ato ai i ka me autorizimin e Saje qorrit. Banda  e Edvin Shullazit ka të paktën 4 makina të blinduara të prodhimit të fundit ndërkohë që ligji i vendit makinat e blinduara i kodifikon në mënyrë të caktuar, se kush ka të drejtë të mbajë. U çudita pak me reagimin, mirë Vasilikën e kuptoj se ka ndjeshmëri më të madhe por ju të tjerët, se jeni dhe burra e nuk ju shkon.

Ka një vend në botë që ka armë, dhe ky vend është SHBA. Pse ky vend nuk i ka hequr dot? Dikush thotë për arsye se lobi i armëve është shumë i fuqishëm dhe nuk lejon bllokimin e tregut të armëve. Në fakt ka një argument tjetër pak më të thellë, për ju që kërcyet në këtë mënyrë. Ka një statistikë shumë kokëfortë, e cila tregon se në shtetet të cilat i kanë ndaluar armët krimi është shumë më i lartë. Dhe ky është shkaku më kryesor. Atëherë, çfarë të bëjmë? Mora vesh se keni bërë një kërkesë dhe ju them se më keni nderuar shumë, dhe ftoj Byronë që menjëherë ta çoj në Prokurori atë kërkesë. Në vitin 98 më akuzuat për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Millosheviçi të ishte i akuzuar nga Haga, ju hyri frika në palcë nga Sali Berisha. Dhe tani, sapo përmënda fjalën armë u shkritë nga frika, u hyri frika deri në palcë. Po pse e keni këtë frikë ju? Sepse keni bashkëpunim kriminal me banda, se ministri del këtu e flet 1 orë dhe nuk thotë se kush ndryshoi komunikatat e policisë për Qafë Kasharin. A e dini që Shullazin e shpërblyet ju? Ja dhatë një më një ditët e burgut që bëri në periudhën time, duke shkelur me të dy këmbët ligjin. Ja dhatë me vendim të shkallës së parë, sepse ligji kërkon që dëmshpërblimi jepet me vendim të formës së prerë. Dhe çdo njëri ka përfituar shpërblimet kur ka marrë vendimin e formës së prerë, kurse Mili Partisë s’kishte nevojë për vendim të formës së prerë sepse kishte Shullazin e partisë në krye, se kishte Shullazin tjetër në krye të rendit. Po kush e çoi të rekori? Asnjë tjetër përveç Ramës, i cili nxiu zgjedhjet në universitete me damkën e krimit. A e dini se në Univeristetin e Sporteve ka dalë dekani me 9 vota në një kohë kur 30 e ca të tjera i ka nxjerrë vetë të pavlefshme. Sepse Edi dhe Olsi donin që një basketbollist, ta vinin me çdo kusht dekan, me 9 vota.

Armët kanë lidhje sepse krimi po penetron në çdo qelizë të këtij vendi dhe armët janë e vetmja mënyrë për ti kërcënuar bandat, për ta ditur që në çdo tentativë që bëjnë marrin përgjigje kushtetuese të merituar.

Kjo mazhorance ka humbur çdo ligj dhe moral për të qeverisur më tutje. Me revolucion demokratik e me mjete paqësore ti hedhim sa më parë në koshin e plehrave të historisë! 

Zonja deputete!

Zotërinj deputetë!

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Cfarë po diskutohet në këtë moment në parlament. Po diskutohet shkelmimi që Edi Rama i bëri një ligji konsensual, një ligji në të cilin ne pranuam një procedurë që i jepte mazhorancës drejtuesit e televizionit, por jo çdonjërin prej tyre. Një ligj në të cilin opozita nuk kishte asnjë shans për të zgjedhur vet drejtorin e RTSH. Nisur nga ky pranim ne zgjodhëm çfarë kriteri; njëriun më eficent të të gjithë kandidaturave që garonin nga krahu i mazhorancës. Zgjodhëm njëriun, i cili pas një ore diskutimi me Edi Ramën mori plotësisht mbështetjen e tij. Dhe një njëri, i përcaktuar në qëndrimet e tij në spektrin politik të majtë, por një artist i mirë, një menaxher i shkëlqyer, një njëri që kishte arritur, jo me shullazër por me merita, të zgjidhej rektor i Universitetit të Arteve. Në këtë kontekst ne menduam se nga rektor mund të ishte drejtor i RTSH. POr zotit Malaj i mungonin dy kritere; kriteri parë ishte kriteri xhepit, nuk i jepte dot para Ramës, nuk ja ngrohte xhepin. E kishte patur Rama edhe kandidat për deputet por xhepin nuk ja ngrohte dot sepse ai kishte atë rrogë që i kishte dhënë qeveria gjithë jetën dhe ato pak kursime. Ai nuk kishte para për rryshfet, nuk kishte lidhje drogë, nuk kishte lidhje krimi. Dhe puna arriti deri aty sa që ju, në mënyrë të turpshme, të sillni ndryshimin e ligjit. Në fakt hoqët maskën, në fakt do ja u kthejmë reston, sepse në qoftëse shkelmuat një konsensus mos mendoni se ne nuk mbajmë shënim, se akt më të turpshëm se ky nuk ka. Opozita po zgjidhte një kandidat tuajin dhe ju do mburreshit në mbarë institucionet ndërkombëtare se për herë të parë u zgjodh drejtori i TV me konsensus. Por juve nuk ju duhej konsenusi, ju duheshin paratë. Ndaj na mblidhni këtu për të ndryshuar ligjin dhe vini këtu në një akt të shëmtuar të shkelmimit të një konsensusi që ishte kryekëput në favor tuajin.

Së dyti, dënoj me ashpërsninë më të madhe kiber-atakund ndaj portaleve të cilat irritojnë shumë Edvin Kristaq Ramën. Të gjitha të dhënat e deri tanishme tregojnë se ai kiber-atak është ndërmarrë nga grupi i mbrojtjes kibernetike të Këshillit të Ministrave nën drejtimin  e kushurirë Kolekës. I bëj thirrje prokurorisë të bëj një hetim ndaj këtij akti të shëmtuar censorial të një njëriu i cili udhëhiqet nga haluçinacione dhe fuga paranojake.

Së treti, paradite ju lexova letrën në të cilën më thuhej tekstualisht: “përshëndetje zoti Berisha. Dua t’ju njoftoj se, në kohën kur është vendosur eksplozivi i babait të ministrit jam angazhuar për hetimet më serioze dhe jo krijimin e iluzioneve hetimore, siç ndodhi, dhe në atë kohë jam takuar me drejtues të rëndësishëm të agjensive të tjera. Kam shfrytëzuar të gjitha burimet dhe atëherë rezultoi, sipas të gjitha informacioneve, se autorë të tritolit ishte grupi “ Shullazi”. Për këtë unë bëra raport me shkrim dhe krye-Shullazi më largoi menjëherë nga hetimi dhe më degdisi nga detyra nga Tirana dhe më çoi atje ku unë mund të lija kokën dhe sot nuk jam më në radhët e policisë.”

Cfarë më shkruan sot, para një ore, gardiani dixhital: “përshëndetje doktor, ndoqa me vëmëndje diskutimet në parlament. Jam në roje të paraburgimit të Shullazit. Ju garantoj se sms Sajmir Tahirit për të përgënjeshtruar Ramën, ja ka dërguar direkt Shullazi, i cili ka dyshimet më të mëdha se ja ka bërë policia, i cili nuk bëson se ajo ishte një grackë e prokurorisë siç e paraqesin mediat, dhe pasi e kërcënoi Saje qorrin se do nxjerrë gjithçka di për të, Saja  doli i mori fytyrën Ramës dhe tha se ai bëri një lapsus”

Cila është kërkesa ime. Kërkesa imë është kjo; i bëj thirrje prokurorit të sekuestrojë të gjithë trafikun e thirrjeve e sms të komunikimit të Shullazit, të gardianëve të Shullazit, të Saje qorrit dhe Emil Shullazit.  Me këtë rast prokuroria do gjejë një nga çelsat e të vërtetave mbi Shullazin. Edi Rama tha këtu se kemi kërkuar përgjimin e tij. Po s’mund të binte prokuroria në kurthe të Edi Ramës, kurrsesi. Në fakt Rama ra në kurthin e prokurorisë dhe të shërbimeve të tjera. Pra ky është gardiani dixhital. A e pyetët veten ju si ka mundësi ta përgënjeshtrojë Saje qorri në mënyrën më flagrante Edvin Shullazin? Ai të thotë se  e arrestpi prokuroria kurse ky të thotë se ishte një lapsus pasi e arrestoi prokuroria?

Qytetarët kanë gjithë ditën që dëgjojnë krimet e shëmtuara, dëgjojnë emra vrasësish kriminelë, qeveritarësh kriminelë, anëtarë bandash e me radhë, por unë kam dy probleme të tjera të rëndësishme. Në Elbasan çdo faturë elektrike është dyfishuar me urdhër, sepse punonjësit e OSHEE mbetën pa rroga për shkak të “suksesit” të madh të Celës dhe tani bjeru qytetarëve të thjeshtë. Qytetari tjetër më thotë: “përshëndetje zoti Berisha, kemi mbifaturim nga OSHEE rreth 200 kv për çdo familje, jemi 17 familje që jemi në këtë pellg dhe na kanë bërë këtë gjë”

Kurse nga Shkodra një qytetar më thotë: “Ne në qytet, na kanë faturuar kësaj radhe për çdo familje 100 kv më shumë sesa rrethinave me aforfe”

Cfarë më njofton biznesi i Korçës, kanë nxjerrë që biznesmenët duhet të paguajnë taksën e komunave të cilën se kanë paguar nga 2007 dhe kanë rekrutuar individë që s’plotësojnë kriteret për të qënë agjentë tatitimorë, të cilët shkojnë e ja u marrin me dhunë, pa dokumenta, po shkojnë po i gjobisin vetëm e vetëm për të mbushur arkën dhe janë gjoba të pa apelueshme.

Mendoj se këto zhvillime janë dëshmi e një shpartallimi tuajin, janë dëshmi e një shpartallimi përfundimtar të kësaj mazhorance e cila ka humbur çdo ligj dhe moral për të qeverisur më tutje. Ndaj dhe ftoj qytetarët që me një revolucion demokratik e me mjete paqësore ti hedhim sa më parë aty ku e meritojnë; në koshin e plehrave të historisë!


Fjalimi ne Kuvend e ish kryeministrit Sali Berisha, 21 Prill 2016