Katër familje me 29 anëtarë kanë mbetur në qiell të hapur nga djegja e banesave në orët e para të mëngjesit në Bujan të Tropojës, si pasojë e luhatjes së tensionit. Ibish Margjeka një nga kryefamiljarët tha se zjarri ka shkrumbuar çdo paisje e orendi shtëpiake, deri dhe tek muret.
“Ne jemi të varfër pa asnjë ndihmë sociale. Faturat dhe kamat-vonesat i paguajmë një më një, me borxhe dhe drejtoria rajonale e OSHE nuk na pret as edhe një orë nëse ne nuk cojmë pagesën. Kontrata pritet dhe gjobat janë marramendëse. Djali i madh me foshnje ka ikur në azil në Francë dhe tani që do ta kthejnë, ai është në qiell të hapur si afër 30 vetë këtu”.
Bujar Hasanpapaj, administratori i njësisë Bujan tha se është mrekulli që familjarët dhe fëmijët i kanë shpëtuar flakëve dhe se eksperti I zjarrfikësave ka evidentuar në procesverbal se shkëndijat janë pasojë e luhatjes së tensionit. Nuk ka asnjë reagim nga drejtoria rrajonale e OSHSHE, për të evidentuar dëmet e shkaktuara dhe asnjë reagim nga ndërmarrja në qendër për ti ardhur në ndihmë këtyre familjeve që humbën gjithçka nga zjarri. Dosja për tëmbështetur këto familje po plotësohet vetëm nga funksionarët lokalë, por asgjë nuk po bëhet nga strukturat ekzekutive.
Rastet e djegjes së banesave në Tropojë nga shkëndijat elektrike janë të shpeshta pasi OSSHE nuk ndërhyn në riparimin e rrjetit.
Deputetja Mimoza Hajdarmataj tha se është jonjerëzorë që familjet në nevojë paguajnë me borxhe, heqin bukën e gojës për faturat e energjisë, dhe OSSHE, strukturat e Ministrisë së Energjisë, injorojnë me shpërfillje banorët kur shkaktohen dëme nga luhatjet e tensionit.
Këta taksidarë, tha ajo, i qëndrojnë mbi kokë pensionisteve dhe të varfëreve për pagesën deri në qindarkën e fundit, dhe nuk duan tia dinë kur shkaktojnë vetë këto fatkeqësi. Skema sociale që kërkuam në Parlament për komensimin e të varfërve në pagesën e faturave vazhdon të refuzohet me arrogancë dhe asnjë pagesë e faturave nuk shkon për investime në rrjet.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 24 prill 2016