Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike me shifra dhe emra konkret, vjedhjet, abuzimet, me paratë e shqiptarëve dhe kompanitë që përfitojnë shumicën e tenderave në vend.  2.2 miliardë dollarë të vjedhura në dy vjet. 88 milionë dollarë  tendera u ka dhënë Edi Rama 11 miqve, ndërtuesve të vilave dhe bashkëpunëtorëve të tij ndërkohë që 91.6 milionë dollarë janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks.

“E kam thirrur këtë bashkëbisedim me ju për të ndarë pikë së pari shifrat shokuese të korrupsionit dhe mekanizimin e korrupsionit, me anë të cilëve shqiptarëve iu janë marrë 2.2 miliardë euro​ vetëm në vitin 2014-2015. 2.2 miliardë euro në taksa, dogana, në prokurime publike.

Kjo është shumë e rëndësishme për kuptuar shkaqet se pse vendi ndodhet në krizë totale ekonomike, në varfëri, në papunësi, një pamundësi të 46% të shqiptarëve për të dalë nga nivel i mjerimit, siç e shfaqin edhe statistikat e fundit të Bankës Botërore, një pamundësi të biznesit për t’u zhvilluar për të hapur vende pune.

Dhe sado të bilbilosë me truket e vjetra të propagandës, Edi Rama këtë realitet nuk e mbulon dot, nuk i bën dot makijazh.

Rezultati i kësaj duket qartë edhe nga të dhënat e depozitave të bankave të Shqipërisë. E mbani mend parrullën e famshme të “Rilindjes” që “5% e shqiptarëve zotërojnë 50% të depozitave”?! Sot zyrtarisht këta drejtojnë një vend ku 4% e popullsisë zotëron  58% të depozitave. Pra, pjesën më të madhe të depozitave e zotëron një grup edhe më i vogël se sa pretendonin këta para ardhjes së tyre në pushtet. Ndërkohë që konfirmohet se 46.2% e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë për familje dhe jo për frymë” theksoi zoti Basha.

Lideri i opozitës është ndalur në bashkëbisedimin me gazetarët në tenderat që marrin miqtë dhe bashkëpunëtorët e kryeministrit. Janë 11 kompani që kanë marrë 88 milionë dollarë tendera.

“Pjesa e luanit në abuzime është pjesa e Edit në fakt, nuk është as e luanit, as e Gentit por është e Edit, pak e Olsit dhe e ndonjë tjetri. Është pjesa e prokurimeve publike ku kjo qeverisje ja ka dalë në këto dy vite të vendosë dy rekorde.

Rekordi i parë është që 1/3 e prokurimeve publike si mesatare kryhen drejtpërdrejtë, pra nuk ka garë.

Dhe së dyti do të shikojmë që në këtë nivel prokurimesh kemi një volum shpenzimesh luksi të pakrahasueshme me zërat e shpenzimeve të qeverisjes së mëparshme, të pakrahasueshme për frymë të ndonjë qeverie europiane me ekonomi në rregull e jo më me ekonomi në krizë.

Ja cila është kombëtarja e oligarkisë. Formacioni në fushë, jo se ai i stolit është më pak i rrezikshëm. Po ta nisim me fushën.

ALKO IMPEX.  Kompania është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi. Ka marrë 30 tendera në periudhën kohore nga viti 2014-2016 me një vlerë totale 1.4 mld lekë.

Atelier 4. Kompania e lidhur me kryeministrin Rama dhe arkitektet e tij personal, Shkreli, Eftimi ka fituar 18 tendera  e vlerë totale 267 mln lekësh.

CLASSIC. Kompania është në pronësi të Agron Papulit mikut dhe ndërtuesit të vilës së Dardhës të Edi Ramës dhe ka fituar 19 tendera me vlerë totale 595 mln lekë.

EUROCOL. Kompani  në pronësi të mikut të Edi  Rames Aleksander Carapuli, ndërtuesi i vilës së Surrelit, ka fituar 12 tendera dhe me një vlerë totale prej 1.8 mld lekësh.

Eurogjici Security. Kompania është në pronësi të Safet Gjicit, kandidatit socialist për Bashkinë Kamëz. Kjo kompani ka fituar 159 tendera me një vlerë totale prej 718 mln lekësh.

Fastech. Fastek”, kompania që përdoret nga Intech-u, Intech-u i famshëm që u bë shkak për humbjen e mandatit të Ilir Beqës, në legjislaturën e kaluar dhe që tani përdoret si kompani guackë për shkak të denoncimeve që i kemi bërë Intech-ut. Një kompani jashtëzakonisht e vogël që fiton tenderat por punimet i bën “Intech”-u i Ilirit, 45 tendera me vlerë 752 milionë lekë.

 Vetë “Intech”-u, 32 tendera me vlerë 1.5 miliardë lekë.

Ndreu Security. Kompania është e lidhur me deputetin Pjerin Ndreu dhe në tre vjet ka fituar 37 tendera me vlerë 91.6 mln lekë.

Marketing Distribution. Kompania në pronësi të Vilma Nushit ka fituar 23  tendera në vlerë totale 134 mln lekë.

Trimed.  Kompani në pronësi të Vilma Nushit ka marrë 458 tendera me vlerë 260 mln lekë.

Omega Pharma. Mbi 70% të tenderave përmes negocimit pa shpallje, 58 tendera me 70% prej tyre me prokurim të drejtpërdrejtë, pa tender, 830 milionë lekë.

88 milionë dollarë të shqiptarëve të marra nga kjo 11-she me prokurime të drejtpërdrejta, pra pa tender apo me tendera korruptivë, me tendera të paracaktuar”, theksoi zoti Basha.

Ndërkohë në r muajt e parë të këtij viti, nga 2186 tendera, 1596 prej tyre janë pa tender, janë me negocim të drejtpërdrejtë. 71% e pazareve të qeverisë kanë shkuar drejtëpërdrejtë tek klientët, pa tender, theksoi zoti Basha, i cili u ndal në bashkëbisedimin me gazetarët edhe në abuzimet me  shpenzime luksim, zyra, orendi, makina etj.

“Ta nisim nga banda e OSHE-së që ka blerë zyra, mobilje, në 2015 në vlerën 12.6 miliardë lekë. Në 2015 12.6 miliardë lekë për zyra, për mobilje, orendi, etj. Në total tendera të tjerë abuzivë me vlerë 8 miliardë lekë duke përfshirë këtu trajnime psikologjike për stafin e OSHEE-së, etj, etj, bëhet fjalë pra për një total prej 20.7 miliardë lekësh apo 21 milionë dollarë. 21 milionë dollarë do të thotë 10 shkolla të reja me orendi të reja. Do të thotë duke marrë parasysh pagën mesatare në Shqipëri prej 542700 lekësh, sipas INSTAT-it, do të ishin punësuar 38695 persona në muaj apo 3300 persona në vit më këtë pagë, 542700 lekësh në muaj. Apo do të thotë 306000 familje në ndihmë ekonomike do të merrnin ndihmën e plotë ekonomike, sipas INSTAT-it në vlerën 68500 lekë të vjetra, apo 26 mijë familje në një vit do të përfitonin këtë ndihmë të plotë, të pacunguar, në qoftë se OSHEE-ja nuk do të kishte bërë paratë e tyre rrush e kumbulla.

Blerje karburanti 34 milionë dollarë, ta kemi të qartë se për çfarë bëhet fjalë. Prapë duke përdorur indekset mesatare të ndërtimit të një shkolle apo të një page mesatare, apo të ndihmës së plotë ekonomike bëhet fjalë për 17 shkolla të reja pajisura totalisht me orendi të reja, të pandërtuara. 5200 persona të punësuar për një vit me pagë 542700 lekësh në muaj, apo ndihmë të plotë ekonomike 68500 lekë për 42 mijë familje në vit.

Blerje automjetesh dhe servis, 8.8 miliardë lekë të vjetra ose 8.8 milionë dollarë në 2015 dhe 1.3 të tjera në 2016, pra në këto tre muaj. Bëhet fjalë për një total prej 10.1 milionë dollarësh për blerje automjetesh dhe servis në këto 15 muaj, 5 shkolla të reja që nuk janë ndërtuar, 1500 shqiptarë që mund të punësoheshin me 542700 rrogë në muaj apo 12 mijë familje të tjera në ndihmë ekonomike, që nuk e marrin ndihmën ekonomike.

Orendi dhe mobilie, totali 12.5 milionë dollarë, pra 6 shkolla, 1900 të punësuar për një vit me pagë mesatare 542700 lekë për muaj apo 15 mijë familje të tjera në ndihmë ekonomike që nuk e marrin ndihmën ekonomike.

Bileta avioni 14.8 milionë dollarë.

Po t’i mbledhim sëbashku vetëm këto shpenzime dhe abuzime bëhet fjalë për afro 90 milionë dollarë me të cilat mund të ndërtoheshin 44 shkolla të reja të pajisura të gjitha me orendi, me të cilat do të ishin punësuar 14 mijë shqiptarë për një vit me rrogën 542700 lekë të vjetra në muaj ose do të kishin marrë ndihmën e plotë ekonomike prej 68 mijë lekë të vjetra në muaj, plot 109 mijë familje shqiptarësh që në fakt nuk morën këtë por morën rrugën e azilit.

90 milionë dollarë mjaftueshëm për tu dhënë subvencionim të drejtpërdrejtë çdo fermeri shqiptar, absolutisht çdo fermeri shqiptar në masën 30 mijë lekë të vjetra për dynym.

Ky është realiteti dhe këto janë destinacionet e turpshme dhe kriminale të parave, të taksave të shqiptarëve. Taksat janë marrë me kërbaç dhe në vend që të ktheheshin në ndihmë ekonomike për të pamundurit, në vende të reja pune për të rinjtë, të papunët dhe të shpunësuarit, në pensione të rritura apo subvencione për bujqësinë janë kthyer të gjitha në luks qeveritar që është skema më e pastër e korrupsionit dhe e vjedhjes.” theksoi kryetari i opozitës.

Zoti Basha u ndal dhe tek abuzimi i OSHEE me mbifaturimin e energjisë elektrike dhe me çmimin e rritur që sipas ERE ka prekur  56% të familjeve shqiptare.

“Vetëm për vitin e kaluar, OSHE-ja ka mbifaturuar 91400 qytetarë, 30 mijë më shumë se vitin e kaluar. Ndërkohë që ERE, sipas të dhënave të publikuara, tregon qartë se 56% e shqiptarëve konsumojnë më pak se 300 kilovat për muaj dhe si rezultat  pesha e rritjes së çmimit të energjisë bie tërësisht mbi shumicën e pamundur të shqiptarëve.

Sigurisht kryeministri pretendon që nuk është rritur çmimi i energjisë, ku në fakt ERE konstaton se çmimi mesatar i një kilovati për familjarët shkoi nga 8.89 lekë/kilovat në 9.52 lekë/kilovat. Për fat të keq nuk habit dhe nuk shokon askënd më por ja gënjeshtra publike e Edi Ramës se pse me heqjen e fashës së mbrojtjes për konsumatorët dhe me rritjen e tarifës “de facto” për konsumatorët por edhe për biznesin bie poshtë pretendimi për uljen e çmimit të energjisë. Çmimet e energjisë janë rritur.

Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë janë rritur dhe borxhet e pambledhura edhe kjo është e dhënë e ERE-s. Pra, gjithë miti për mirëmenaxhimin e OSHE-së është një gënjeshtër e pastër. OSHE-ja ka rritur përqindjen e faturave të pambledhura. OSHE-ja ka rritur faturat abuzive me 50% nga 60 mijë në 91400 dhe me faturat aforfe, abuzive dhe me çmimin e rritur të energjisë po i merr shpirtin shumicës më të varfër të popullsisë.

Të vetmit që po përfitojnë nga ulja e çmimit mbi 500 kilovat janë 15% e popullsisë që përbëjnë shtresën e mesme dhe mbi të mesme apo të pasur të vendit.

Këto dy komponentë, 88 milionë dollarë të dhëna klienteles qeveritare dhe 90 milionë dollarë shpenzime luksi do të ishin të mjaftueshme për të punësuar sëbashku mbi 25 mijë shqiptarë në një vit me rrogë 540 mijë lekë në muaj.

Do të ishin të mjaftueshme për të ndërtuar 90 shkolla të reja me orendi të reja. Do të ishin të mjaftueshme për t’i dhënë ndihmë ekonomike 215 mijë familjeve shqiptare për një vit me ndihmën e plotë sipas INSTAT-it, 68 mijë lekë të vjetra në muaj.

Nuk po ndodhin. Nuk ka vende të reja pune. Nuk ka investime të reja. Nuk ka asnjë rrugë të re. Nuk ka asnjë urë të re, asnjë shkollë të re sepse paratë që duhet të destinoheshin për këto investime janë bërë rrush e kumbulla nga një grusht qeveritarësh të babëzitur me bekimin e Edi Ramës dhe kanë përfunduar po kështu në kombëtaren e oligarkisë e cila depoziton të ardhura që merr përmes skemave korruptive në xhepat dhe kontot e saj dhe në xhepat dhe kontot e qeveritarëve të korruptuar shqiptarë”, u shpreh zoti Basha.

Kjo sipas, zotit Basha ka sjellë jo vetëm tkurrjen e ekonomisë, mbylljen e vendeve të punës, humbjen e besimit të konsumatorit dhe si rezultat edhe të biznesit, rënien e kreditimit, rënien e eksportit, rënien e importit, por ka sjellë edhe një damkë të madhe të biznesit dhe të investimeve të huaja për Shqipërinë.

“56% e biznesit gjerman i pyetur dy javë më parë, ju të gjithë i keni të dhënat, e rreshtuan Shqipërinë të fundit në Europë. 56% e biznesit gjerman të pyetur, të anketuar u përgjigj më negativisht se vitin e kaluar për klimën e biznesit në vend. Taksa të larta, korrupsion i lartë, paparashikueshmëri ligjore, pra mungesa e sigurisë ligjore, janë tre arsyet kryesore pse biznesi ka braktisur dhe po braktis Shqipërinë”, u shpreh lideri i opozitës.

Qershi mbi tortën e korrupsionit e ka konsideruar zoti Basha koncensionin e check-up-it.

“Çdo vit në Shqipëri ka 360 mijë pacientë të cilët kërkojnë dhe marrin trajtim shëndetësor duke përfshirë operacione ose më shumë operacione për një individ. Dhe për të gjithë 360 mijë pacientët të sistemit publik shëndetësor shqiptar, shteti ka harxhuar mesatarisht në 5-6 vitet e fundit 800 mijë dollarë për analizat e tyre. Kini parasysh që nuk bëhet fjalë për analiza standard apo për analiza si këto që bën check-up-i i Vilma Nushit.  Bëhet fjalë për analiza komplekse për 2,3, 4 palë analiza në ditë dhe buxheti total për këto analiza është 800 mijë dollarë.

 Edi Rama ka vendosur të japë 12 milionë euro, apo 1 milionë euro në muaj për të bërë një palë analiza në vit të 800 mijë njerëzve që presupozohen të shëndoshë. 800 mijë dollarë për 360 mijë të sëmurë në vit, 12 milionë euro për 800 mijë të shëndoshë në vit. Bëjmë edhe një llogari tjetër. Një set reagentësh sot merret me çmim tregu, pra me fitimin e grosistit, 1.8 euro. Ky reagent, që është baza e shërbimit të ofrohet, i cili administrohet nga punonjësit e paguar nga taksat e shqiptarëve, blihet nga shqiptarët për 20 euro. Pra për çdo palë analiza që bëhen dhe nuk bëhen, sepse ne paguajmë edhe për analizat që nuk bëhen, shqiptarët paguajnë plot 18.2 euro fitim dyshes Nushi-Rama.

Çfarë mund të bëheshin me 11.2 milionë euro që vidhen dhe shpërdorohen përmes check-up-it çdo vit në sistemin shëndetësor shqiptar. Së pari mund të bliheshin ilaçe për të gjitha spitalet publike të vendit, ilaçe që sot mungojnë edhe në spitalin e traumës. Para dy ditësh e denoncuam. Së dyti mund të rinovoheshin të gjitha sallat e operacioneve në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe mund të silleshin në gjendje funksionale sipas standardit europian. Sot më pak se 10 % e tyre funksionojnë në këto kushte. Me paratë e shpenzuara dhe që parashikohen të shpenzohen për këtë koncension mund të ndërtohej një herë e gjysëm nga fillimi një qendër shëndetësore me kapacitetet e QSUT-së por me kushtet, pajisjet dhe mbështetjen me personal dhe ilaçe të standardit europian.

Të gjitha këto dhe shumë më shumë se këto, edhe në këtë moment që flasim, ai degradim i shërbimit shëndetësor vjen si rezultat i një koncensioni korruptiv siç është ai i check-up-it. E njëjta gjë vlen për sterilizimin. Ne kemi qendrën e sterilizimit të ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, personelit të trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, Por në vend që të përdoret kjo kjo shqiptarët duket të paguajnë për herë të dytë plot 9 milionë euro në vit mikut murator të Ilir Beqës dhe Edi Ramës për të vënë në punë një qendër që egziston, me personel që egziston dhe që është trajnuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo është pra lopata që ka gërmuar varrin e shëndetësisë shqiptare në këto 3 vite”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike ka shpalosur dhe alternativën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë ekonominë nga kriza,  i cili do të nisë pikërisht duke prerë kanalet e thithjes së parave publike, kanalet e korrupsionit.

“Së pari duke vendosur një sistem të ndershëm taksimi prej 9 % Taksë të Sheshtë dhe duke nxjerrë nga ligji që ditën e parë sistemin e pandershëm të taksimit të Edi Ramës.

Së dyti, duke vendosur procedurat e prokurorimit më transparente që do të eleminojnë mundësinë e prokurorimit pa konkurencë me anë të së cilës ne do ti shërbejmë dhe do ti kthejmë taksapaguesve shqiptarë minimalisht 150 milionë euro çdo vit përmes prokurimeve të ndershme dhe të pakorruptuara.

Së treti, përmes destinimit të çdo qindarke të shqiptarëve në funksion të politikave që hapin vende pune apo përmirësojnë punësimin për shqiptarët si përmes subvensionit të bujqësisë dhe subvencionimit të çdo aktiviteti ekonomik e industrial që punëson rishtazi e në veçanti punëson rininë shqiptare”, tha Basha.

Përpjekje të dëshperuara i ka konsideruar kryetari i Partisë Demokratike daljet e herepashershme të mazhorancës për t’u thënë shqiptarëve që sa mirë është situata ekonomike.

“Dhe çdo përpjekje  për të pikturuar një tablo të ndryshme është e dështuar, jo sepse Lulzim Basha publikon shifrat e vetë  qeverisjes së Ramës që e rrëzojnë Edi Ramën, siç e ka rrëzuar ekonomia, por se këto shqiptarët, i ndiejnë në lëkurën e tyre në përditshmërinë e tyre.  Shifrat e qeverisë akuzojnë vetë qeverinë dhe sot, të paktën sot, këtë bashkëbisedim dua ta përdor për të folur më shumë, për të sotmen dhe për të nesërmen sepse  Edi Rama është e djeshmja e këtij vendi.

Unë kam vendosur me aq sa mundem dhe me çfarë mundem shqiptarëve t’u jap të vërtetat, t’u jap rrugët e daljes. Sot gënjeshtra më e madhe në Shqipëri dhe në Ballkan, rrena më e madhe, epike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve e ka emrin Edi Rama. Asgjë në këtë diskutim me ju, nuk është drejtuar ndaj personit të tij, por ndaj mekanizmit të korrupsionit që ka ndërtuar dhe rrugëve për të çmontuar këtë mekanizëm korrupsioni, jo thjesht si një ushtrim në ligjvënie, por si një mënyrë për ti kthyer shqiptarëve ato para që u mungojnë në përditshmërinë e tyre. Kështu që, nese na ndjek dua t’i them  se kam me ty, por me paratë që ke vjedhur”, tha Basha.

Duke iu referuar shifrave zyrtare të KLSH-së, zoti Basha ka theksuar se  dëmi ekonomik në 2015-ën është  125.8 miliardë  lekë, dy herë më i madh se sa në vitet 2008-2014 marrë së bashku. Basha iu përgjigje edhe interesimit të medias ku theksoi se i kupton të gjithë ata qytetarë që janë të pakënaqur pse opozita nuk përdor të gjitha mjetet për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar, por Basha tha se rruga e ndryshimeve jodemokratike vjen në një kosto shumë më të lartë se sa përfitimi i parë i saj që është largimi i kësaj qeverie.

“Rruga e ndryshimeve jodemokratike vjen në një kosto shumë më të lartë se sa përfitimi i parë i saj që është largimi i kësaj qeverie e cila është edhe dëshira e këtyre njerëzve që duan një orë e më parë me çdo mjet për largimin e kësaj qeverie. Një grup njerëzish kërkojnë alternativën, mirë denoncime por çfarë do të bëni ju?! Dhe ndaj në mënyrë të paprecedentë në historinë politike të këtij vendi ky formacion politik, Partia Demokratike e Shqipërisë, është e angazhuar prej një viti me ekspertët e saj më të mirë dhe me mbështetjen e familjes tonë të Partisë Popullore Europiane dhe partive simotra, CDU-së në veçanti, për hartimin e një programi tërësor, e një alternative për të nxjerrë vendin nga kriza. Dhe unë jam në mënyrë të përjavshme mes shqiptarëve për t’u shpjeguar aspektet e veçanta të kësaj platforme siç janë: Platforma për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Platforma Fiskale, Platforma Ekonomike, Arsimi, Shëndetësia. Kjo po ndodh pothuajse një vit e disa muaj para zgjedhjeve. Dhe po ndodh pikërisht që shqiptarët të kenë kohë ta përtypin dhe ta kuptojnë; janë bajgat e rilindjes që i përtypën dhe po i vjellin tani, apo është diçka e besueshme, e bëshme dhe nëse bëhet e aftë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe për të siguruar prespektivën e rritjes ekonomike, punësimin, luftën kundër varfërisë. Do ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza, nga të gjitha krizat, duke filluar që nga kriza e kriminalitetit duke shtypur krimin”, u shpreh Basha.


Bashkëbisedimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me gazetarët, 26 Prill 2016