Shëndetësia nuk është më humane, Rama e ktheu në armiqësi me qytetarët. 

Si arriti Edi Rama, që shëndetësinë sektorin që duhej të ishte më humani, ta kthejë në armiqësi të plotë me qytetarët e vendit?

Edi Rama, kësaj ia arriti, me korrupsionin skandaloz të koncesioneve dhe tenderave që i morën miqtë e tij, me krizën e madhe të mungesës së medikamenteve e pajisjeve bazë, me largimet masive, arbitrare dhe të paligjshme nga puna.

Spastrimet me motiv politik në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit koordinohen nga Ilir Beqaj, i mirënjohur si kampioni i korrupsionit në qeverinë Rama. Vala e re e shkarkimeve në disa raste vjen për herë të dytë, siç po ndodh në spitalin e Fierit.

Një jetë në shërbim, statusi social, eksperienca dhe performanca nuk kanë asnjë vlerë. Njerëzit hidhen në rrugë, hapen vende për militantët e partisë.

Historia shokuese në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku infermierë dhe sanitarë pushoheshin me me letër me vrimë, po përsëritet në të gjithë vendin edhe pas denoncimeve në media.

Ndërkohë që hidhen në rrugë nëna dhe kyefamiljare që mbajnë fëmijët me pagën e tyre, Beqaj mban militantet e punësuar rishtazi, pa arsim përkatës e pa eksperiencë, e që paguhen edhe me të ardhurat dytësore të spitaleve.

Në Kukës, Beqa ka pushuar 32 zonja dhe ka punësuar rishtazi 20 militante.

Urdhrat politike të pushimeve nga puna kanë prekur edhe personat në nevojë dhe atyre me aftësi te kufizuar, siç ishte rasti i infermieres së Spitalit të Fierit.

Në Shkodër u hodhën në rrugë 89 sanitare dhe personeli mbështetës në spitale me status kritik social. Në listën e të pushuarave nga puna në spitalin e Shkodrës ka: kryefamiljare, gra me burrin të papunë, gra që vijnë nga familje në gjak. (tabela bashkangjitur)

Ne Fier, Vala e dytë e shkarkimeve po prek 20 punonjës, në Kukës 32, në Tropojë 30, në Vlorë 20, e kështu, lista e pushimeve vazhdon e gjatë.

Në Elbasan u pushuan 80 nga personeli mjekësor me 15 deri në 30 vite pune dhe një pjesë e madhe e tyre u zëvendësuan me anëtare partie.

Këto nuk janë shifra por janë drama e dhjetëra grave e nënave që kanë një jetë në shërbim, që mbajnë familjet e tyre me këtë punë.

Si rasti i Vlorës është tronditës, ku një nënë e pushuar nga Beqaj tha në dëshpërim se po mendon të vetëflijohet.

Në Tropojë, punonjësja me 37 vite pune e me arsim përkatës, hiqet nga puna, dhe pagën e saj e merr një e njohur e Beqës që punon, jeton dhe qëndron në Tiranë.

Në informacionin dërguar Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë e Çështjet Sociale, Beqaj mashtron që reforma spitalore bëhet për shkak të mosshfrytëzimit të shtretërve e që kjo nuk arrin shifrat e shfrytëzimit të shtretërve në Evrope.

Po si mundet të shfrytëzohen shtretërit maksimalisht në spitale që qëllimshëm janë katandisur e ngjajnë me spitalet në gjendje lufte? Si mund të shfrytëzohen spitalet në kohën që ka mungesë totale barnash, pajisjesh e mjetesh mjekësore, kur infrastruktura është e mjeruar dhe ka mungesa të theksuara në personel mjekësor të specializuar??

Partia Demokratike dënon këtë arbitraritet e armiqësi të qeverisë ndaj këtyre punonjësve.

Partia Demokratike i bën thirrje KLSH, prokurorisë, Avokatit të Popullit, institucioneve ndërkombëtare të hetojnë largimet dhe punësimet e paligjshme në spitalet rajonale dhe ato bashkiake.


Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi, 30 prill 2016

 

20160430_113009 IMG-20160430-WA0002 IMG-20160430-WA0003 IMG-20160430-WA0004